Visar Ymeri akuzon Vetëvendosjen për bllokadë: Po synon zgjedhjet më 27 dhjetor
Pas më shumë se një muaji ngërç politik, Kuvendi i Kosovës të mërkurën bëri një hap drejt konstituimit të legjislaturës së re, por procesi nuk u përmbyll.
Në seancën konstituive, Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit me 62 vota për, ndërsa për zgjedhjen e nënkryetarëve pati mospajtime mes subjekteve politike.
Përplasja kryesore u zhvillua gjatë procedurës për zgjedhjen e nënkryetarëve ku LVV nuk u pajtua me mënyrën e votimit dhe nuk pati dakordim për mbështetjen e kandidatëve të PDK-së e LDK-së.
Situata u tensionua edhe më tej për shkak të kandidaturës së Listës Serbe.
Deputeti Igor Simiq, gjatë paraqitjes së kandidaturës së Sllavko Simiqit për nënkryetar, përdori një formulim që kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cilësoi si antikushtetues dhe kërkoi të tërhiqej.
Pas debatit dhe disa pauzave, seanca u shty për të premten, duke lënë të papërfunduar konstituimin e plotë të Kuvendit.
E, lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend për “Front Online” ka folur ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.
Ymeri ka kritikuar zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës, duke akuzuar LVV-në se po e bllokon qëllimisht konstituimin e institucioneve për të çuar vendin drejt zgjedhjeve më 27 dhjetor.
“Lëvizja Vetëvendosje qartazi e ka vetëm një plan dhe vetëm një qëllim, ta bllokojë themelimin e institucioneve për të arritur deri te data e preferuar e zgjedhjeve për të që është 27 dhjetori”, ka shkruar Ymeri.
Ymeri thotë se partia e Kurtit këtë herë është kthyer te Lista Serbe si arsye për bllokadën, ndërsa kujton se LVV kishte votuar për përfaqësuesit e saj pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar.
“Këtë radhe u kthyen te Lista Serbe pasi që e kishin votuar të njëjtën pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar. Në ndërkohë edhe argumentimin për mos votim të nënkryetarëve që vijnë nga radhët e PDK dhe LDK e ka përdorur si kërcënim gjatë bllokadës së vitit 2025. VV është një parti që nuk do institucione funksionale, don vetëm uzurpim të pozitave”, ka deklaruar Ymeri.
Ymeri tha se situata politike në Kosovë mund të ndryshojë vetëm nëse Lëvizja Vetëvendosje humbin shumicën bllokuese në Kuvend.
Sipas Ymerit, nëse VV nuk do të kishte më mundësi për të bllokuar proceset institucionale, Kurti do të detyrohej të ndryshonte qasje.
“Duke e pasur parasysh sjelljen e Kurtit karshi interesit të vendit, mendoj që e vetmja gjë që do ta ndryshonte situatën është nëse partia VV dhe Kurti humbin shumicën bllokuese në Kuvend”, tha Ymeri.
Ai ka thënë se humbja e mundësisë për bllokim do ta detyronte Kurtin të kërkonte marrëveshje me partitë e tjera, në vend të bllokadës.
“Në momentin që nuk ka mundësi bllokimi të vazhdueshëm, Kurti do ta ndryshonte qasjen dhe do të obligohej t’i jepte përparësi kompromisit, marrëveshjes e bashkëpunimit karshi bllokadës e polarizimit”, ka thënë ai.
Ymeri ka paralajmëruar se deri në një ndryshim të tillë, VV do të vazhdojë me të njëjtën qasje.
“Por deri sa të zbresë në këtë nivel të ulëseve në Kuvend, kam drojë që VV do të vazhdojë me këtë avaz. Dhe kështu Kosova rrezikon të shndërrohet në një vend të dështuar”, është shprehur Ymeri.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për mungesën e reagimit të partnerëve ndërkombëtarë ndaj zhvillimeve politike në Kosovë.
“Mosinteresimi kaq i gjatë i partnerëve tanë ndërkombëtarë për këto zhvillime, mendoj që duhet parë si alarm. Askush nuk po do të merret më me ne”, ka deklaruar Ymeri.


