Në shtëpinë e tokës

I kam dhënë liri vetes të shkruaj, dhe leje të përballem vet me idetë, prej kohësh jam mërguar në poezi, për fjalën e mprehtë të së vërtetës.
Në frymën çlirimtare të së bukurës
fjala e lirë është majë e qytetarisë
fuqia e saj prej gjeniut është, dije
dhe forca e saj prej gjeniut është, popull
Kjo fjalë e bimur në pemën e jetës
ka lëngun epik të të gjithë neve
mendjen e më të ndriturve të kohës
guximin e më prijetarëve në histori
Shiu që po bie është lot i Kosovës
lot i nënave të fëmijëve të pagjetur
lot i prindërve për ëndrrën e çarë
lot i shtëpisë së atdheut dhe kombit
I kam dhënë liri vetes të shkruaj
motivet edhe përtej tokës së shkretë
që fjala e lirë të jetë vërtetë e lirë
e do që ta pijë një det me dhimbje!..
Rrustem Geci – Dortmund, 2016