RCCOLA

Në Prishtinë “Lincolni” i çoi edhe politikanët në kinema

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë – Presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Lincoln, i ka pasur në qejf “meseletë” kur ka dashur të thoshte diçka apo të kumtonte një vendim. Shpesh ka qëndruar vetëm dhe në mendime. Mbi të gjitha ai njihet si presidenti i cili ka luftuar skllavërinë.

Një personalitet të tillë të presidentit amerikan e shpërfaq filmi fitues i dy çmimeve “Oscar” me regji të Steven Spielbergut, “Lincoln”. I zgjedhur si filmi i vitit nga Instituti Amerikan i Filmit, “Lincoln” është dhënë premierë në kinemanë ABC në kryeqytet.

Termini i orës 22:00 është i rezervuar për shfaqjen e filmit i cili bazohet në periudhën e Luftës Civile në Amerikë në rreth viteve 1860, kohë kjo kur Lincoln nëpërmjet miratimit të amendamentit të 13-të të Kushtetutës së SHBA-së heq skllavërinë.

Aktori Daniel Day-Lewis që ka marrë çmimin “Oscar” për këtë rol, personifikon presidentin Lincoln, teksa Sally Field luan rolin e zonjës së parë të shtetit në atë kohë, Mary Todd Lincoln.

Ashtu sikurse në premierat e tjera botërore të filmit që kanë qenë bajagi politike, “Lincoln” është shfaqur në Prishtinë, nën organizimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Ka qenë ambasadorja e këtij shteti në Kosovë, Tracey Jacobson, që ka mbajtur një fjalim fare të shkurtër para një audience me shumicë politikanë. Sipas saj “Lincoln” është film që tregon njërën prej historive më të lavdishme amerikane dhe se presidenti Lincoln mban epitetin e liderit që u dha liri të gjithëve. Por më shumë ka preferuar që të shikohej filmi. Me të kanë qenë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, zëvendëskryeministri dhe ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ambasadorë të vendeve të ndryshme të stacionuara në Kosovë dhe pjesëtarë të tjerë të Qeverisë së Kosovës.

Shfaqja e këtij filmi para kësaj audience ka bërë që përpara kinemasë të bëhet goxha tollovi. Por më pak tollovi ka pasur kur filmi është shfaqur për publikun e thjeshtë. Opinionet e disa prej tyre në lidhje me filmin kanë qenë të ndara rreth “150 minutave të gjatë të filmit” dhe “rëndësisë historike” që ekranizon “Lincoln”.

RCCOLA

“Filmi i mirë ama shumë i gjatë. Mos me qenë i interesuar për atë periudhë historike, ndoshta edhe e kisha lënë në gjysmë”, ka thënë Ardit Gjikolli (21) student në Universitetin e Prishtinës. Për kolegun e tij në Fakultetin e Arteve, Driton Berisha (23) nga Peja, çfarëdo filmi nga Spielberg ia vlen të shikohet. “Nuk jam shumë i interesuar për ndodhinë e filmit por më shumë sesi regjisori e ka trajtuar atë ndodhi”, ka thënë Berisha.

Përtej vlerësimit të thjeshtë, në një kritikë të studiuesit Ag Apolloni, të botuar në shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore” shkruan se filmi “Lincoln” është një vepër kinematografike, kuptimi i së cilës rritet falë edhe një analogjie historike-politike.

“Derisa në janar të vitit 1865, Lincolni mezi arriti të hiqte zyrtarisht skllavërinë dhe t’u jepte zezakëve të drejta të barabarta me të bardhët, në janar të vitit 2009, në Shtëpinë e Bardhë u bë president një zezak, mandati dytë i të cilit filloi në janarin e vitit 2013”, shkruan Apolloni.

E kritika botërore e filmit e ka vlerësuar “Lincoln” për ekranizimin fantastik të një ngjarjeje dhe personalitetit historik.

“Steven Spielberg ka arritur që të paraqesë emancipimin e madh amerikan duke eksploruar mendjen dhe urtësinë një njeriu”, shkruan Instituti Amerikan i Filmit, në vlerësimin e tij. “Lincoln” është bazuar në librin e Doris Kearns Goodwin dhe ka fituar “Oscar” edhe në kategorinë “Best Achievement in Production Design”. Gjithsej ka pasur 49 çmime nga 103 nominime nga shumë institucione të kinematografisë në botë.

Filmi ka pasur një buxhet prej 65 milionë dollarësh teksa sipas të dhënave të “IMDB” deri me 1 mars “Lincoln” ka arkëtuar më shumë se 180 milionë dollarë vetëm nga shfaqja e tij në kinematë amerikane. Premiera botërore e tij është dhënë me 16 nëntor 2012 në kinematë amerikane.(koha)