Ne nuk jemi këta
Nga Arben Ahmeti – Kushtrimi gjithmonë e ka pasur të vështirë të shprehet. Jo se çalonte, por për shkak të mentalitetit slloven ku ishte rritur. Kur erdhi në klasën e katërt të gjeneratës sime, djali i komandantit nuk i befasoi shokët dhe shoqet e tjerë të klasës.
Ata e panë si edhe një më shumë nga të rinjtë që po i shtoheshin shkollës. U befasuan vetëm me faktin se në cilën bankë dhe cilin rresht të klasës u ulë. Me Kushtrimin do ta ndaja që nga ai moment e tutje të njëjtën bankë, edhe pse shfrytëzimi më shumë i takonte atij. Jo se mburrem sot, por për të qenë korrekt më duhet ta kujtoj se isha kampioni i mungestarëve në gjeneratën që sivjet mbush dhjetë vjet nga përfundimi i gjimnazit në shkollën “Gjon Buzuku” në Prizren. Kushtrimi u ul me ftesën time. Jo se isha bujar, por kujdestari i klasës më kishte treguar se ai ishte djali i komandantit. Më habiste heshtja e mikut tim të ri. Në gjithë gjeneratën, ne e dinim saktësisht cili nxënës cilin kushëri, vëlla a prind e kishte pasur në UÇK.
Të gjithë e dinin psh. se unë i kam pasur disa kushërinj në luftë. Fakti që e ke pasur dikë në mal, të krijonte një lloj autoriteti. M’u deshën tre vjet ta kuptoja që Kushtrimi nuk e kishte ndërmend ta përdorte emrin e babës për t’i hequr notat e dobëta, e as të krijojë kurrfarë autoriteti. Kurrë nuk e pashë komandantin në shkollë. Ai nuk ishte si kushërinjtë, vëllezërit, axhallarët apo prindërit e të tjerëve nxënës që kishin qenë në UÇK, por që në vitin 2000 krejt ditën e kalonin në bufenë përballë shkollës.
Nuk po e zgjas shumë rrëfimin që aq shumë na mungon këto ditë. Vetëm desha të tregoj se para ca ditësh mora vesh që komandanti po e linte punën në një institucion të parëndësishëm. U shqetësova dhe mora guximin ta thërras. Më tregoi se Kushtrimi dhe dy djemtë e tij kishin migruar për shkak të kushteve financiare. Ata nuk i kishin dhjetëra banesa që baba ka mundur t’i uzurponte pas lufte. Më tha se për pesëqind euro rrogë nuk vlerësonte se ia vlente të rrinte larg djemve. Komandanti që ka bërë aq shumë për lirinë e këtij vendi, ka vendosur ta braktisë atë për shkaqe financiare. Ky nuk është si ata komandantët që i kanë milionat, por që ende nuk dinë ta përdorin celularin. Kaq për komandantin e vërtetë që po migron. Nuk po flas për ata komandantët që çdo hap të çizmes së tyre në luftë po e kompensojnë me mijëra euro ilegale në liri.
….
Nuk e mendojnë të ketë shumë detaje, por presin të ketë shumë publicitet. Krejt çka po mendojnë janë dhjetë minuta pamje ku zv/kryeministri Hajredin Kuçi do të dilte me homologun e tij serb në ndonjë park qeveritar në Beograd. Pamja do të duhej të dërgonte mesazhe paqeje e relaksi. Do të duhej të ishte në ambient të hapur për të arsyetuar mungesën e simboleve. Do të duhej të ishte Kuçi, sepse kryeministri Thaçi arrestohet nëse kalon matanë Merdares. Do të duhej të ishte në Beograd sepse diplomatët po vlerësojnë se Serbia tashmë e ka bërë “sakrificën” kur në Prishtinë ka qëndruar Borisllav Stefanoviq. Por, gjithçka e bukur në planet e diplomatëve ndërkombëtarë po dështon kur skenari po vihet në skenë.
Aktorëve në të dy anët nuk po u intereson suksesi i shfaqjes por protagonizmi i tyre individual. Në një skenar tragjik, ata po bëjnë batuta për të nxitur të qeshura te publiku. Publiku po qeshet aq shumë sa e ka huqur sensin e shfaqjes. Ajo që po ndodh në skenën e Brukselit, nuk është komedi. Është dramë ku po vendoset dhe për buxhetin shpirtëror që do të ketë publiku. Huqjes së qëllimit të shfaqjes iu bashkua edhe regjisorja Ashton kur tha se marrëveshja është neutrale përballë statusit. Kjo i bie që marrëveshjen do ta zbatoj një shtet që është Serbia dhe një territor që është Kosova. Kjo i bie që në veri mund të hiqen autoritetet e Serbisë, por atje nuk mund të vendosen autoritetet e Republikës së Kosovës. Atje do të vendosen disa autoritete të padefinuara të hapura ndaj Prishtinës dhe Serbisë. Ato të republikës e shkelin neutralitetin.
….
Për të gjithë ata që nuk e kanë lexuar shkrimin e Zekirjas në këtë gazetë, po ua rikujtoj se Qeveria do të duhet ta rrisë akcizën brenda këtij viti dhe të rindajë shumë buxhet për ta zbatuar marrëveshjen e Brukselit dhe për ta ndërtuar autostradën drejt Shkupit. Krejt kjo nënkupton që do t’i paguajmë më shtrenjtë produktet e përditshme. Kjo do ta vështirësojë jetën tonë të përditshme, gjë që është e kundërta e asaj që duhej të arrihej me dialogun: lehtësimin e jetës së qytetarëve.
Nuk dyshoj në asnjë moment të jetës sime që secili pjesëtar i UÇK-së ka pasur për qëllim çlirimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve, për ç’gjë ka qenë në gjendje të japë edhe jetën. Pa çka që disa prej tyre, pasi shpëtuan, me veprimet e tyre varfëruan shumë njerëz të këtij vendi.
Ai që e gjen arsyen se pse rezultatet po na dalin të kundërta me qëllimet, duhet të jetë ndonjë gjeni. Ne të tjerët do të kënaqemi me “machiato” teksa shohim çdo dite të kundërta që nuk janë tonat. Do të shohim çdo ditë fenomene si ai i hoxhës që duhet të ligjërojë për moral, por e ka huqur aq shumë rrugën sa ndjell urrejtje ndërgjinore.


