HIDROMORAVA

Ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës Lindore

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Flamur Hyseni dhe Burim Haliti- Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti tjetër, kjo çështje është e specifikuar edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (nenin 1, paragrafi 3), dhe është një nga parimet që shtetet moderne e shfaqin në raportet e tyre.

Mirëpo kjo nuk e përjashton mundësinë që Republika e Kosovës të interesohet për qytetarët e saj kudo që ndodhen në botë, e aq më shumë për qytetarët e Kosovës lindore të cilët janë në trojet e tyre etnike dhe të cilët historikisht dhe gjeografikisht kanë qenë pjesë e Kosovës por, për shkak të padrejtësive historike ata sot gjenden në një shtet tjetër.

Republika e Kosovës shumë seriozisht duhet ta merr parasysh lobimin për avancimin e të drejtave të qytetarëve të Kosovës lindore në arenën ndërkombëtare sepse, ata janë vetë ne, dhe ne jemi ata, kështu që ne duhet lobuar si institucione për të bërë presion demokratik tek mekanizmat dhe institucionet rajonale dhe botërore të qeverisjes (SHBA, BE, OKB dhe NATO) për të ngritur çështjen e shqiptarëve të Kosovës lindore në arenën ndërkombëtare.

Në këtë aspekt duhet gjetur zgjidhjen konform praktikave më të avancuara se, në Kosovën lindore njëherë kishte shprehje të pakënaqësisë nga ana e shqiptarëve që rezultoi me luftë të armatosur, tani është koha që zgjidhja të kërkohet me mjete paqësore, duke e ndërkombëtarizuar çështjen e shqiptarëve në këtë pjesë dhe duke kërkuar avancimin e tyre ose zgjidhje e cila shpie në shkëputje të tyre nga Serbia dhe bashkimin me Kosovë, nëse ky është vullnet i qytetarëve të Kosovës lindore.

Zgjidhja duhet kërkuar duke e trajtuar si të veçantë rastin e Kosovës lindore, dhe bisedimet për këtë çështje duhet të zhvillohen në mes tri palëve, Kosovës, Serbisë dhe përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës lindore me ndërmjetësim të SHBA-ve.

Çdo kërkim zgjidhje tjetër duke e ndërlidhur çështjen e shqiptarëve të Kosovës lindore me veriun e Kosovës, do të sjell pasoja të pa parashikueshme në dëm të Kosovës lindore, kur dihet se atje kemi të pranuara institucionet e shtetit serb, dhe jeta institucionale dhe vetëqeverisja lokale ushtrohet nga shqiptarët shumicë.

Tendenca për ta zgjidhur një çështje, siç është çështja e veriut të Kosovës, tanimë e shndërruar në “çështje” duke e përfshi edhe rastin e Kosovës lindore është ide e pa planifikuar mirë, si në aspektin politik edhe në atë strategjik dhe sjell rrezikun e humbjes së rëndësisë së kërkesave të shqiptarëve të Kosovës lindore për një zgjidhje më të avancuar dhe më të drejtë.

Tezat e shumta se, Kosova Lindore duhet të përfshihet në bisedimet e ardhshme mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe teza tjetër se duhet bërë shkëmbime territoriale janë dekonstruktive, jo në interesa afatgjata kombëtare dhe jo serioze, ndërsa në realitetin ballkanik mund të prekë edhe shumë çështje tjera të papërfunduara në ballkan.

Teza se, Kosova lindore duhet të përfshihet në bisedimet e ardhshme është e dëmshme për vetë qytetarët e kësaj pjese dhe e dëmton më shumë situatën e krijuar në pjesën veriore të Kosovës, sepse njëherë e përgjithmonë çështja e Kosovës veriore është zgjidhur (Pakoja Ahtisari – është maksimumi i garancive dhe të drejtave për komunitetin serb në Kosovë dhe veri, ofrimi i funksionimit të qytetit me dy komuna, veriore dhe jugore) dhe nuk duhet të ketë negociata për statusin e kësaj pjese, kjo është çështje e brendshme e Kosovës.

Por, duhet biseduar që Serbia t’i largojë mekanizmat ilegalë të sigurisë nga kjo pjesë e sovranitetit kosovarë, të bashkëpunojmë në çështjet teknike dhe ekonomike në zhvillimin e kësaj pjese dhe të ndihmojmë rimëkëmbjen dhe rikthimin e institucioneve qendrore të qeverisjes kosovare (gjykata, policinë, etj.).

Eco Higjiena

Qytetarët e Kosovës lindore (Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës), nuk duhet barazuar me ata që çdo ditë bëjnë kriminalitet ekonomik të përmasave botërore, serbët e pjesës veriore – disa, sepse këta (qytetarët e Kosovës lindore) kërkojnë vetëm barazi në institucionet dhe në të gjitha mekanizmat jetësore, të mos ju bëhen padrejtësi juridike dhe ekonomike (pjesa e Kosovës lindore është zona më e varfër në Serbi), të ju ofrohen të drejta të garantuara siç parashihen edhe me akte ndërkombëtare dhe çështja e sigurisë jetësore duhet të jetë e përmasave të demokracive moderne, pra në nivelin e duhur.

Teza tjetër se, duhet bërë shkëmbime territoriale mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë (propozim i një deputeti të Kuvendit të Kosovës) është praktikisht e pamundur sepse, precedenca (praktika) ndërkombëtare njeh disa raste të shkëmbimeve territoriale me marrëveshje por, të cilat kërkojnë plotësimin e disa kritereve apo parakushteve të marrëveshjes në rastin tonë:

Së pari, Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës në kufijtë e tanishëm (të marrim pjesë në bisedime si palë të barabarta – shtete),

Së dyti, të zhvillohet një konferencë ndërkombëtare me përfshirjen e fuqive botërore (SHBA, BE dhe NATO) dhe

Së treti, Republika e Kosovës duhet ta ketë ushtrinë e saj (FSK të merr juridikisht statusin e ushtrisë, sepse praktikisht është ushtri) si mekanizëm për implementimin e kësaj marrëveshje për shkëmbim territoreve.

Logjika bashkëkohore e politikbërjes nënkupton se të dyja opsionet janë të pa mundshme fizikisht për tu realizuar në realitetin e sotëm, sepse Kosova ka status ndërkombëtar në kufijtë e tanishëm dhe “super ekstra të drejta” të garantuara me legjislacion për komunitetet që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Çështja e Kosovës lindore duhet të sensibilizohet në arenën ndërkombëtare si e nëpërkëmbur nga shteti serb, vetëm e vetëm pse është e populluar me shqiptarë dhe Republika e Kosovës duhet të ja bëjë me dije faktorit ndërkombëtar se, Kosova lindore duhet të bashkohet me Republikën e Kosovës, si zgjidhje e drejtë dhe e pranueshme (jo shkëmbim territoresh por bashkim) nëse vazhdon ky avaz i asimilimit të qytetarëve shqiptarë nga këto treva, mosdhënie të drejtave në aspektin juridik-shtetëror, mos ofrimin e sigurisë në jetë dhe zhvillim, neglizhencën për ta zhvilluar ekonomikisht këtë rajon, atëherë ne si shtet duhet shfaqur ambiciet tona se, do ta mbrojmë dinjitetin e qytetarit shqiptar me arsyen e vetme se, shteti serb po e keqpërdor deri në largim nga shtëpitë e tyre, por këtë duhet ta bëjmë duke i shfrytëzuar mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, diplomacisë dhe qeverisjes në botë.

Ne, duhet të kërkojmë që Kosovës t’i bashkohet Kosova lindore dhe në asnjë mënyrë të mos ketë shkëmbim territoresh dhe futje në bisedime për këtë trevë tradicionalisht dhe historikisht shqiptare.

Prandaj si zgjidhje e vetme të kërkohet të ketë bisedime të veçanta për çështjen e Kosovës Lindore me ndërmjetësim ndërkombëtar, duke mos e ndërlidhur këtë çështje me veriun e Kosovës se, mund të vijmë në një situatë të vet legjitimimit të ndarjes së Kosovës. Kosova ka bërë “KOMPROMISIN e MADH” dhe çdo zgjidhje përtej frymës së “Pakos Ahtisari”, Kosovën do ta dëmtonte dhe do të shkaktojë destabilizim rajonal, e aq më shumë çështjen e Kosovës Lindore.

(Flamur Hyseni, asistent në Katedrën e të drejtës kushtetuese dhe administrative, Fakulteti Juridik, UP
Burim Haliti ka titullin shkencor Master i shkencave Juridike – Financiare)