ARKATANA

Ndahet nga jeta profesori Avdi Hajredini, kontribuues i madh i vlerave arsimore

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Avdi Hajredini u lind në fshatin Uglar të Gjilanit, më 30 qershor 1949. U nda nga jeta më 29 maj 2018. Nga nëntë fëmijët e Hamitit, atit të Avdiut, Avdiu është i vetmi që në kushte të skamjes së vazhdueshme arriti të vijojë shkollimin, që nga shkolla fillore deri te fakulteti. Lufta e Dytë Botërore nuk e solli lirinë e mirëfilltë për shqiptarët e ndarë nga Shqipëria. Pellgu i Moravës, veçmas Uglari ishte ndodhur mes ushtrive ndërluftuese pushtuese: serbëve, italianëve dhe bullgarëve. Ati i Avdiut, Hamiti vazhdimisht ishte ndjekur nga serbët për tu likuiduar. Falë kujdesit e syçelsisë tij, si dhe fatit në fatkeqësi kishte shpëtuar, por shtëpia dhe të lashtat e arave ia kishin plaçkitur deri në palcë serbët e Pasjanit.

Pas shkollës katër klasash në Uglar dhe klasave tjera të tetëvjeçares në Malishevë të Gjilanit, vijoi në gjimnazin klasik “Zenel Hajdini” në Gjilan. Po ashtu, me kushte të vështira vazhdoi studimet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës- dega e Pedagogjisë. Gjashtë semestra të fakultetit i ndoqi pothuajse rregullisht, por pastaj pa shkëputje nga puna, arriti t`i mbaronte studimet në degën e Pedagogjisë. Në vitin 1973, filloi të punonte si mësimdhënës në gjimnazin e Vitisë, mandej në shkollën fillore të Llabjanit. Pas kryerjes së studimeve u angazhua në Normalen e atëhershme të Gjilanit, e cila u shndërrua në rangun e Akademisë Pedagogjike. Për një periudhë më të gjatë ishte mësimdhënës në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, andaj, pas disa “reformave” gjimnazi u degëzua në QAMO (Qendra e Arsimit të Mesëm të Orientuar).

Pas vendosjes së masave të dhunshme mbi arsimin shqip të Kosovës nga Serbia: arsimtarë, prindër dhe nxënësit shqiptarë vendosën të mos i nënshtroheshin dhunës dhe mohimit të shtetit okupues të Serbisë, për të mos humbur identitetin e shkollës dhe të kulturës kombëtare. Mosnënshtrimi ndaj asaj politike shtypëse, për arsimin në gjuhën shqipe pati pasoja financiare e sociale e gjithfarë tjerash, por njëkohësisht u hapën shtigjet për shkëputjen e shkollës shqipe nga kthetrat e okupimit serb dhe pavarësinë e saj.

Avdi Hajredini meqë kishte katër fëmijë u detyrua të dilte në Gjermani për t`ia siguruar ekzistencën familjes tij. Ndonëse u largua nga profesioni i mësimdhënësit, mësimdhënia ishte mburrja, krenaria dhe dhimbja e përhershme e tij.. Nuk ka pasur ndejë a takim i cilitdo karakter qoftë, që Avdi Hajredini të mos i kujtonte me mall e pasion vitet e punës në shkollë… Aq dendur iu kthehej temave e kolegëve të arsimit, sa kush e ka njohur, i dukeshin përsëritje të skajshme. Ai u angazhua për ligjërimin e lëndës së Filozofisë në gjimnaz, duke zbatuar metodologjinë e mësimdhënies së kohës, ngase profesioni i pedagogut i mundësonte zbatimin e shtjellimit efikas të orës mësimore në klasë, sipas kërkesave të respektuara metodike-didaktike të ecurisë dhe rrumbullakimit të orës mësimore.

Për rrethanat politike të kohës, në procesin e diferencimit nam-keq “ideo-politik”, Avdi Hajredini mund t`i ketë pasur frikësimet e veta, por në procesin edukativ-mësimor respektoi parimet dhe kriteret e vlerësimit objektiv të njohurive të nxënësve.

Në Gjermani, Avdi Hajredini kishte bërë përpjekje të herë pas hershme për organizimin e mësimit, përkatësisht përfshirjen e fëmijëve të diasporës shqiptarë në arsimin shqip. Nuk kishte hezituar, as ngurruar të kërkonte përkrahje nga autoritet vendim-marrëse gjermane për mundësinë e funksionimit të paraleleve shqip, atje ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët. Madje, kishte marrë dhe një rol ndërmjetësues mes autoriteteve gjermane dhe përgjegjësve të arsimit shqip në Qeverinë e Kosovës.

Mobi Casa

Si njeri Avdi Hajredini ishte natyrë e hapur, komunikatave e mahitar. Në ndeja të lira karakterizohej për batuta të shumta, të llojllojshme, duke shkaktuar atmosferë gazmore tek të gjithë të pranishmit. Prandaj, edhe ndonjërit sish, të cilit nuk i pëlqenin mahitë e tilla, afrohej se nuk durohej dot pa iu bashkangjitur ahengut, imitimeve, paraqitjes së karikaturave të disa personaliteteve dhe qeshjes deri në lot. Edhe kur nuk pajtoheshe me Avdiun hidhërimin e mospajtimin nuk e mbante gjatë; kthehej shpejt sikur nuk kishte ndodhur asgjë më parë.

E veçanta e tij ishte kujtesa e fortë deri në çastet e vdekjes. Përpos citate nga profesioni i lëmit të tij, ai mbante në mend një varg përkufizimesh, ai dinte përmendësh dhe recitonte poezi të tëra, vargje të rilindësve tanë, si nga: Naimi, Shiroka, Mjedja, Gurakuqi, Çajupi, Migjeni, Noli e tjerë.

Sëmundja e lukthit që do t`i shfaqet para shtatë muajve, më saktë që nga fillim – dhjetori i 2017-s, deri më 29 maj 2018, me gjithë përpjekjet e personelit mjekësor gjermanë dhe kujdesin e familjarëve, për pedagogun Avdi Hajredini ishte rrënuese.

Si i tillë, në kronikën arsimore-edukative të Kosovës, kontributi i Avdi Hajredinit do të shënohet si një vlerë e shënuar arsimore./rajonipress/

Gjilan, më 4 qershor 2018
Mehmetali Rexhepi, prof.