Fundamenti

Murat Mushica, njeriu që tronditi themelet e sigurimit jugosllav, rrëfimi i heshtur i një patrioti për torturat, burgun dhe sakrificën për Kosovën

/ 11 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Emri i Murat Mushicës është ndër ata emra që historia shqiptare i ruan me nderim të veçantë. Patriot i palëkundur, veprimtar i guximshëm dhe simbol i qëndresës shqiptare, Mushica mbetet një figurë që tronditi themelet e aparatit represiv serbo-jugosllav, duke u shndërruar në një ndër rastet më të bujshme politike të viteve ’80 në Kosovë. Emri i Murat Mushicës jeton sot në kujtesën kolektive si dëshmi se liria e Kosovës është ndërtuar mbi vuajtje, gjak dhe sakrifica të jashtëzakonshme njerëzore. Ky është Murat Mushica, një emër i veçantë, një figurë që Kosova duhet ta njohë më mirë dhe ta ruajë me kujdes në kujtesën e saj kolektive, si pjesë të pandashme të historisë më të re të popullit shqiptar.

Për Murat Mushicën, heroin e Gjilanit dhe të Kosovës, kisha dëgjuar qysh në fëmijëri. Emri i tij përmendej me zë të ulët, me respekt dhe me një ndjenjë të përzier frike e krenarie, si një histori që dukej se i përkiste më shumë legjendës sesa realitetit.

Ishte një rast që vetëm në ëndërr mund të paramendohej, një shqiptar me zemër të madhe dhe guxim vetëmohues, që në vetëmbrojtje do të ngrinte armën kundër një ish-drejtori serb të asaj kohe, njeriut që me arrogancë dhe dhunë sistematike poshtëronte, diskriminonte dhe maltretonte kuadrot shqiptare.

E kërkova Murat Mushicën me këmbëngulje, i shtyrë nga nevoja për ta parë nga afër njeriun pas historisë. Dhe, më në fund, u gjenda përballë tij. Një burrë pedant, i heshtur, me një qëndrim të matur e fisnik. Në pamjen e tij lexohej vuajtja, dërmimi i trupit dhe i shpirtit nga torturat çnjerëzore që kishte përjetuar, por asgjë nuk dëshmonte dorëzim.

Përkundrazi, ai rrezatonte një qetësi stoike, një forcë të brendshme që vetëm njerëzit e sprovuar nga dhimbja e dinë ta mbajnë.

“Burgu është për burra dhe nuk jam brengosur asnjëherë për veten,” më thotë Murat Mushica me zë të ulët, por të sigurt.

“E vetmja brengë e imja ishte familja, sepse nuk dija asgjë për fatin e tyre.” Këto fjalë, të thjeshta në formë, por të rënda në peshë, bartnin brenda tyre dramën e një njeriu që kishte sakrifikuar gjithçka, por që nuk kishte humbur asnjëherë ndjenjën e përgjegjësisë dhe dashurisë për të afërmit.

Ky rrëfim kishte qëndruar i mbyllur për plot 28 vite. Një heshtje e gjatë, e imponuar nga frika, rrethanat dhe përgjegjësia ndaj familjes. E megjithatë, para meje, Murat Mushica fliste pa rezerva. Fjalët i ndërpriteshin herë pas here nga lotët – herë lot gëzimi për lirinë dhe mbijetesën, e herë lot dhimbjeje për momentet e errëta, për përjetimet e tmerrshme që as koha nuk kishte arritur t’i shlyente.

Ky është Murat Mushica, një emër i veçantë, një figurë që Kosova duhet ta njohë më mirë dhe ta ruajë me kujdes në kujtesën e saj kolektive, si pjesë të pandashme të historisë më të re të popullit shqiptar. Ai nuk kërkon lavdi dhe as duartrokitje.

Sfida ime më e madhe ishte ta bindja të bënte një fotografi, sepse ndiente se po ekspozohej para publikut.

“Le të flasin historia dhe koha për mua,” më tha shkurt Murat Mushica, me një qetësi që flet më shumë se çdo deklaratë publike.

Për herë të parë, pas plot 28 vjetësh heshtje, Murat Mushica kishte rrëfyer publikisht në vitin 2008 për ngjarjen e rëndë të 10 shtatorit 1980, për torturat çnjerëzore që kishte përjetuar gjatë 11 viteve burgim, për kërkesat publike për pushkatimin e tij dhe për emocionin e papërshkrueshëm që përjetoi në momentin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Ngjarja që tronditi Jugosllavinë e Titos

Murat Mushica ishte punëtor në Kombinatin e Tekstilit në Gjilan gjatë viteve ’80. I njohur si punëtor i dalluar dhe përkrahës i kuadrove shqiptare të arsimuara, ai u bë pengesë serioze për politikat diskriminuese të drejtuesve serbë të asaj kohe.

Sipas rrëfimit të tij, drejtori serb i njësisë së tekstilit, Mirolub Joviqi – Mici, kishte larguar nga puna dhjetëra kuadro shqiptare me arsim të lartë, duke i zëvendësuar me punëtorë nga Leskoci, Nishi dhe Vranja. Kulmi i përplasjes ndodhi në një mbledhje të punëtorëve, ku Joviqi, në prani të rreth 200 punëtorëve shqiptarë dhe serbë, kërkoi publikisht ndërrimin e vendit të punës për Murat Mushicën.

“Fjala ime është ligj”, kishte deklaruar Joviqi, duke i fyer shqiptarët si “të pashkollë” dhe “të paaftë”. Ky moment shënoi edhe shpërthimin e revoltës.

Plagosja e Mirolub Joviqit dhe arrestimi

I provokuar rëndë dhe i ofenduar në dinjitet, Mushica reagoi fillimisht me një shuplakë. Joviqi tentoi të merrte armën nga zyra, por Mushica ishte më i shpejtë. Ai e qëlloi Joviqin me katër plumba, tre në gjoks dhe një në kokë.

Mirolub Joviqi mbeti i paralizuar dhe vdiq pas një kohe, ndërsa nga Beogradi u dërgua helikopter për ta evakuuar. Gjilani u rrethua nga qindra policë, ndërsa Mushica u arrestua pas ndërhyrjes së shefit të policisë së atëhershme, Jakup Baftiu-Poroshtica, të cilin Mushica e kujton si korrekt.

Torturat çnjerëzore dhe hetimet 27-mujore

Pas arrestimit, Mushica u përball me torturat më çnjerëzore nga inspektorë të ardhur nga Vranja, Leskoci dhe Beogradi. Për 27 muaj rresht, ai u mbajt në vetmi totale, pa dritë, pa ajër dhe pa kontakt njerëzor.

Gjatë hetimeve, ndaj tij u ushtrua presion ekstrem për të dëshmuar kundër veprimtarëve shqiptarë si Ramiz Bllaca dhe Rexhep Hamiti. Në këtë periudhë, Mushica u njoh me figura të shquara të rezistencës shqiptare, si Metush Krasniqi dhe Idriz Gërvalla.

Ai nuk harron as faktin se edhe disa shqiptarë u përfshinë në torturat ndaj tij, emra të cilët, sipas tij, do t’i zbulojë në librin e tij autobiografik.

Gjykimi dhe dënimi i rëndë

Në gjykimin kundër Murat Mushicës dëshmuan mbi 90 dëshmitarë shqiptarë dhe serbë, por vetëm një shqiptar, Bajrush Përlepnica, doli në mbrojtje të tij.

Një kthesë e rëndësishme ndodhi kur drejtori gjeneral Branko Zhigani dëshmoi pozitivisht për Mushicën, duke rikujtuar se ai në vitin 1976 kishte shpëtuar fabrikën nga një zjarr dhe për këtë ishte dekoruar për heroizëm.

Fillimisht u dënua me 8 vite burgim, por Gjykata Supreme e Kosovës, e kryesuar nga Riza Fazliu, e rriti dënimin në 11 vite burg. Mushica qëndroi në burg 11 vite, 3 ditë dhe 45 minuta.

ARKATANA

Pushkatimi i kërkuar publikisht dhe drama familjare

Garnitura politike e asaj kohe kërkoi publikisht pushkatimin e Murat Mushicës. Madje, vajza e tij Florije, atëherë nxënëse e klasës së parë, u detyrua të nënshkruante kërkesën për ekzekutimin e babait të saj, një nga episodet më të dhimbshme të kësaj historie.

Në të njëjtën kohë, shumë shqiptarë shpërndanë pamflete në mbrojtje të Mushicës dhe kundër pushkatimit të tij. Të gjithë u arrestuan dhe u dënuan me nga gjashtë muaj burg.

Republika e Kosovës, gëzim dhe dhimbje, hetimet, torturat dhe lotët e lirisë, rrëfimi i Murat Mushicës

Për 27 muaj rresht, Murat Mushica qëndroi nën hetime të pamëshirshme, të shoqëruara me presione psikologjike dhe fizike që lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e njeriut. “Vetëm shpirti im e di se çfarë kam vuajtur”, rrëfen ai, duke kujtuar netët e gjata në vetmi, frikën, dhimbjen dhe përpjekjet e vazhdueshme për ta thyer moralisht.

Gjatë kësaj periudhe, ndaj tij ushtrohej presion i pandërprerë për të dëshmuar kundër veprimtarëve shqiptarë Ramiz Bllaca dhe Rexhep Hamiti, në një përpjekje sistematike për ta përdorur si instrument të montimeve politike.

Në ato rrethana të errëta, Mushica u njoh dhe u lidh shpirtërisht me figura të shquara të rezistencës kombëtare, si Metush Krasniqi dhe Idriz Gërvalla, emra që i dhanë forcë morale dhe kuptim qëndresës së tij. Pasi aparati hetues provoi të gjitha format e dhunës dhe manipulimit, nisi edhe procesi gjyqësor.

Kryetar i trupit gjykues u caktua Sabit Syla, ndërsa prokuror i çështjes ishte Ahmet Imami, i cili kërkoi hapur dhe publikisht pushkatimin e Murat Mushicës.

Megjithatë, në errësirën e atyre ditëve, Mushica kujton me emocion një detaj që i ka mbetur thellë në zemër, reagimin e shqiptarëve të thjeshtë. Nëpër qytet u shpërndanë pamflete kundër pushkatimit të tij, një akt guximi qytetar në një kohë terrori. Të gjithë ata që i shpërndanë u arrestuan dhe u dënuan me nga gjashtë muaj burgim, por solidariteti i tyre mbeti një dritë shprese në një periudhë të errët.

Me respekt të veçantë, Mushica përmend Milaim Zeqirin, ish-pushtetar, për fjalët e mira dhe qëndrimin korrekt, ndërsa kurrë nuk harron ndihmën e Tahir Malokut nga Ferizaji, i cili u kujdes që djali i tij, Flamuri, të përfundonte studimet me sukses të shkëlqyeshëm, me nota maksimale, një dëshmi se humaniteti nuk shuhet as në kohët më të vështira.

Por të gjitha këto përjetime, për një çast, zbehen përballë emocionit që Mushica përjetoi ditën kur u shpall Republika e Kosovës.

“Kur Hashim Thaçi e përmendi fjalën Republika e Kosovës, kam qarë me zë dhe nuk jam ndalur për orë të tëra”, thotë ai.

Në atë moment, para syve i dolën të gjithë të burgosurit shqiptarë me të cilët kishte ndarë qelitë, vuajtjen dhe shpresën. “Sa shqiptarë janë dënuar e torturuar vetëm për këtë fjalë…”, shprehet Mushica, duke shtuar se ajo fjalë i sjell njëkohësisht gëzim të madh dhe trishtim të thellë.

Për vite me radhë, ai kishte heshtur edhe nga frika për fëmijët e tij, të cilët ishin nxënës të shkëlqyer dhe që mund të bëheshin objekt hakmarrjeje. Heshtjen e diktonte edhe fakti se mediat serbe kishin botuar libra të tërë kundër të burgosurve shqiptarë, duke e portretizuar rastin e tij si akt që “paska shkatërruar Jugosllavinë”, duke hedhur mbi të gjithë barrën e urrejtjes së një sistemi në shkatërrim.

As gjatë luftës së vitit 1999 Mushica nuk e braktisi Kosovën. Dy-tri herë i shpëtoi vrasjes së sigurt nga serbë dhe romë të porositur nga shërbimet sekrete.

Pajtimtar i gjaqeve dhe humanist i madh

Ajo që e bën Murat Mushicën figurë të pavdekshme është kontributi i tij i jashtëzakonshëm në pajtimin e gjaqeve. Me vullnet, urtësi dhe autoritet moral, ai arriti të pajtojë mbi 2025 raste në Anamoravë dhe në mbarë Kosovën.

Të pamurit e dëmtuar – pasojë e vetmisë

Si pasojë e viteve të gjata në vetmi, Mushicës iu dëmtua rëndë shikimi.

“Kërkoj falje të gjithëve që më përshëndesin dhe nuk i vërej. Nuk shoh më larg se dy metra. Nuk është mendjemadhësi, është pasojë e burgut,” shprehej ai.

Ndarja nga jeta e një legjende (mars 2010)

Murat Mushica u nda nga jeta në mars të vitit 2010, në moshën 61-vjeçare, si pasojë e problemeve shëndetësore të shkaktuara nga vuajtjet e gjata në burgjet serbe.

Në varrimin e tij morën pjesë qytetarë nga e gjithë Kosova, ndërsa ngushëllime dërguan institucionet e Kosovës dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë.

Trashëgimia e një emri që nuk shuhet

Mediat serbe e kishin quajtur Mushicën “shkatërrues i themeleve të Jugosllavisë së Titos”. Për shqiptarët, ai mbetet simbol i sakrificës, guximit dhe qëndresës kombëtare.

Emri i Murat Mushicës jeton sot në kujtesën kolektive si dëshmi se liria e Kosovës është ndërtuar mbi vuajtje, gjak dhe sakrifica të jashtëzakonshme njerëzore./rajonipress/