Muharrem Hilmi Kallaba (1938- 2012) – Të fala Roganës

Nga Xhavit Kryeziu – Kur e preku sëmundja e rëndë Muharremin dhe e dobësoi për një kohë relativisht të shkurtër, shkova ta vizitoj. Po ishte lodhur shumë dhe fjalinë e fundit që mundi ta thotë ishte: “Të fala Roganës”, vendlindjes që e deshi aq shumë, të cilat fjalë m`u rrënjosen në kokë dhe m`u përkujtua e tërë jeta e tij- arrestimi e likuidimi fizik i babait të tij nga sllavo-çetnikët- pa shenjë e pa nishan; angazhimi i tij në mësimdhënie; ndëshkimi e largimi nga Shkolla e Roganës më 1962, largimi nga puna sërish në vitin në fillim të viteve të `90 të shekullit XX.

Muharrem Kallaba, veteran i arsimit dhe mësuesi i parë i shkollës me mësim në gjuhën shqipe në Dardanë (ish Kamenicë), rrjedh nga një familje arsimdashëse. Gjyshi i tij Hafiz Shefki Kallaba për shumë vite ka ushtruar detyrën e imamit në xhaminë Roganës (ish Rogaçica), bashkëpunoi me mësuesin e parë të shkollës së Roganës – Xhevat Alia dhe e ndihmoi të akomodohet në mësimdhënie. Ai u thirr nga Gjykata dhe mori pjesë në gjykimin e Heroit të Kosovës- Metush Krasniqit, më 7 mars 1959, në Gjykatën e Gjilanit dhe ishte në mbrojtje të Metushit, kur u dënua me 18 vjet burg.

Babai i Muharremit- Hilmiu ishte bashkëpunëtor i Mulla Idriz Gjilanit që është njëri ndër 100 intelektualët e dalluar të botës islame. Ai ishte Sekretar i Myftinisë së Nënprefekturës së Gjilanit. Hilmiu detyrë parësore kishte udhëheqjen e administratës në gjuhën shqipe dhe shkollimin e femrës shqiptare. Në javën e fundit të dhjetorit 1944, te Xhamia e Madhe në Gjilan, forcat sllavo-çetnike e arrestuan. Gjatë rrugës, deri te burgu i Gjilanit e kishte parë Raif Kekën nga Muçivërci dhe e kishte porositur të tregojë te shtëpia se më arrestuan. Nuk e kishin mbajtur shumë në burg, pastaj e likuiduan, pa e ditur kurrë as varrin e tij. Të kota ishin angazhimet e familjes, sidomos të vëllait të tij- Fehmiut se çka u bë me jetën Hilmiut, ato përpjekje mbetën pa sukses. U arrestua dhe u likuidua pa prezencën e prokurorit, gjykatësit e avokatit.

Muharrem Kallaba u lind, më 1. 4. 1938, në Roganë- nga babai Hilmiu dhe nëna- Xhyhere. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen -Normalen në Prishtinë më 1956, Akademinë Pedagogjike- Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Shkup më 1968, ndërsa Fakultetin e Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore e kreu (pa shkëputje nga puna), më 1978, në Beograd.

Pas kryerjes së Normales emërohet mësues në Shkollën fillore “LIRIA” në Pogragjë, komuna e Gjilanit. Pas një viti dërgohet në shërbimin ushtarak, po në Shkollën e Oficerëve Rezervë në Bileqë, të cilën e mbaroi me sukses dhe me 1959, pastaj emërohet mësimdhënës në Shkollën fillore, atëherë, “1 Maji” të Roganës. Në vitin shkollor 1959/60 na jepte mësim në klasën e VIII, po ishte edhe kujdestar i klasës sonë e aty vijonte mësimet edhe motra e tij, Ismete Kallaba- nxënësja e parë shqiptare që po e kryente shkollën tetëvjeçare nga Rogana që pastaj mbaroi edhe shkollën e lartë.

Në fillim të viteve të `60 të shekullit XX, dukej se ishte normalizuar disi jeta e mësuesit Muharrem. Kishte krijuar familje, jetonte me familjen e vet në Roganë, punonte në shkollën fshatit të vet mësimdhënës e zëvendësdrejtor i shkollës. Po një ditë shkrepi rrufeja për së kthjellëti. U thirr një mbledhje e kolektivit të shkollës, ku si shkas u mor vizita e disa mësimdhënësve të shkollës së Roganës që i kishin bërë mësuesit Sejdi Kryeziu, pas vuajtjes së dënimit të ngarkuar për vepër penale- të bashkimit kombëtar. Në mesin e tyre ishte edhe mësuesi Muharrem. Vizita u trajtua si solidarizim me angazhimin e Sejdiut se bashkimi kombëtar është vepër antiligjore dhe pasoi largimi nga puna i disa mësimdhënësve, si ndëshkim edhe përjashtimi nga Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë. Për Muharremin ishte edhe më vështirë se likuidimin e babait të tij e veprimtarinë e tij e trajtonin si vepër armiqësore, reaksionare, kundër shtetit jugosllav. Si ndëshkim e largojnë nga shkolla e Roganës dhe e transferojnë në shkollën e Strezocit.

Në Kamenicë funksiononte Shkolla fillore vetëm për nxënësit me mësim në gjuhën serbokroate. Tani imponohet nevoja që të fillojë mësimi edhe në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë. Po ishin kohë të vështira se drejtori i shkollës P. N. i vente kushte komunës që të fillojë mësimi edhe në gjuhën shqipe. Ai i vuri kusht komunës që të evidentohen, në minimum 15 fëmijë shqipfolës që të formohet klasa e parë. Pati raste që të shkruhen në regjistër edhe fëmijë të moshës 5 vjet, vetëm e vetëm të arrihet numri 15 i nxënësve. Kështu, më 1963 nga Strezoci transferohet Muharrem Kallaba dhe punon mësues i parë, me mësim në gjuhën shqipe, në Shkollën fillore “16 Nëntori”, atëherë, ndërsa tash “Fan Noli” në Kamenicë.

Ishin ato ditë të vështira për punë në një mes të tillë, ku tërë kolektivi i shkollës ishte i përkatësisë serbe e tash aty ndodhej vetëm një mësimdhënës shqiptar. Vështirë kalonin minutat e pushimit, mes orëve mësimore, sepse asnjë nga mësimdhënësit serbë nuk e shihte të arsyeshme të këmbente ndonjë fjalë me atë. Prandaj, mezi pritja të binte zili, të merrja ditarin dhe të shkoja në klasë, në të cilën vijonin nxënësit – rrëfen Muharrem Kallaba, mësues i parë i kësaj shkolle. Gëzimi i nxënësve e prindërve për fillimin e mësimit në gjuhën shqipe ishte shumë i madh.

Ndërsa rapsodi popullor, Demir Krasniqi, këtë moment të rëndësishëm e historik e paraqet kështu:
“Në vitin gjashtëdhjetë e tre-
N`Kamenicë një frymë e re…
U hap shkolla për shqiptarë-
Muharrem Kallaba, mësues i parë.”

Në gjeneratën e parë të nxënësve shqiptarë që vijonin në Kamenicë, në klasën e mësuesit Muharrem janë këta nxënës: 1. Abedin Kryeziu, 2. Islam Gajtani, 3. Selim Vllasi, 4. Hana Selishta, 5. Rexhije Agaj, 6. Shefqet Ibrahimi, 7. Vebi Krasniqi, 8. Skënder Kërhanaj, 9. Nexhmije Isufi, 10. Nexhmije Kërqeli, 11. Hanumshahe Kërqeli, 12. Mehmet Vllasi, 13. Shehide Bunjaku, 14. Xhezide Bunjaku, 15. Sefedin Gajtani, 16. Ismet Vranja, 17. Bahtije Bucolli, 18. Xhevrije Lozana, 19. Hata Redenica dhe 20. Zejnepe Demolli (shënimi sipas Skënder Kërhanaj pasi që shënimet në shkollë mungonin).

Që në vitin vijues shkollor rritet numri i punëtorëve, paraleleve dhe nxënësve me mësim në gjuhën shqipe, tani aty punon edhe mësuesi Daut Maliqi dhe krijohet një mundësi më e mirë pune.

Veterani i arsimit, gazetari e poeti, Daut Maliqi, pati rastin të punojë në themelimin e shkollës shqipe në Kamenicë, për të cilin ka kujtime e mbresa të shumta, shkruan:
“Të evokosh kujtimet për punën madhore arsimore, intelektuale, kulturore e atdhetare të veteranit të arsimit në komunë të Kamenicës- mësuesit e profesorit të shumë gjeneratave, Muharrem Kallabës, vërtet është fisnike e krenari.

Mësuesi Muharrem, ishte shembull se si punohet me përkushtim në edukimin e arsimimin e brezave dhe në ngritjen profesionale të punëtorëve të arsimit. Kisha fat qê mê Muharremin u njoha nê Shkollën fillore “Bratsvo”, tani “Idriz Seferi” nê Strezoc të Kamenicës ku punuam bashkërisht. Ishte i përpiktë në punë, shok i mirë dhe rrezatonte për dije e sjellje intelektuale. Vazhduam bashkërisht punën edhe në Sh. f. “16 Nëntori” në Kamenicë, tani “Fan Noli”. Muharremi ishte i pajisur me dije të lartë intelektuale e pedagogjike. Kishte dhunti për vizatim dhe na ndihmonte të gjithëve për konkretizimin orëve mësimore. Muharrem Kallaba ishte një pishtar i dijes, pedagog i mirëfilltë i arsimit shqip, i cili mbolli farën e dijes, atdhedashurisë të shumë brezave dhe të unitetit shpirtëror e të mendimit pozitiv të popullatës. Krenohem që e kisha shok dhe që punuam bashkërisht në të dy shkollat e përmendura dhe vazhduam bashkëpunimin edhe në veprimtaritë e punët tjera profesionale përherë në të mirë të kombit e njerëzimit”

Në fund të viteve të `70, të shekullit XX, në një zyrë të komunës së Kamenicës dëgjova një paradoks. Një funksionar i komunës tha se janë me fat ata prindër që fëmijët e tyre e kanë mësues Muharrem Kallabën. U habita, u ndala dhe e shikova drejt e në sy. Ishte ai person – funksionar komunal që më 1962 këmbëngulte që, me çdo kusht të dënohet mësuesi Muharrem dhe të largohet nga shkolla e Roganës. Edhe tani ishte në funksion politik të komunës, kishte një kallaballëk fëmijë dhe disa prej tyre kishin mbaruar fakultetin. U befasova me këtë deklaratë të tij. Po, por…

Ai vendim për ndëshkim, me siguri, nuk ishte i tij se vendimet i merrte tjetërkush- i merrte UDBA serbe e funksionarët politik shërbenin vetëm si transmetues të atyre vendimeve, vetëm si zbatues të tyre.

Më 1970 Muharremi pranohet profesor i lëndës Mbrojtja dhe Siguria në Gjimnazin “9 Maji” të Kamenicës dhe aty shërben plot 12 vjet, kur më 1982 kalon në Shërbim të Kontabilitetit Shoqëror, Qendra në Prishtinë, në detyrën e këshilltarit për punët e Mbrojtjes dhe Sigurisë për Kosovë në kuadrin e këtij shërbimi. Në fillim të viteve të `90 pushteti i atëhershëm serb ia ndërpret marrëdhënien e punës, si të gjithë shqiptarëve që ende kishin ngelur aso kohe në punët e Mbrojtje së Përgjithshme Popullore. Që nga ajo kohë nuk punoi askund tjetër, jetonte me familje në Prishtinë- lagjja e Mirditës (ish Matiçan).
Gjatë shërbimit në arsim është shpërblyer me mirënjohje e dekorata të shumta për punë të zellshme e në arritjen e sukseseve optimale në procesin e mësimdhënies e mësim-nxënies, si edhe në angazhimin e tij me rininë shkollore dhe jashtëshkollore në lëmin e mbrojtjes dhe vetëmbrojtjes, siç janë: më 1979 dekorohet me Dekoratën e Artë të Kryqit të Kuq të Kosovës, më 1980, dekorohet po ashtu me Medaljonin e Artë nga Kryesia krahinore Lidhjes së Shenjëtarisë së Kosovës e të tjera.

Më 1980 nga Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Kosovës i besohet përkthimi i tekstit shkollor “Mbrojtja dhe Siguria II” të cilin tekst shkollor e kishin në përdorim nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme në Kosovë, Maqedoni dhe Kosovës Lindore e kanë përdorur deri me heqjen e kësaj lënde nga programi mësimor i shkollave të mesme dhe fakulteteve që e bënë organet përkatëse të arsimit të Kosovës në fillim tetorit të vitit 2001.

Mësimi i filluar në gjuhën shqipe para 55 vitesh në këtë shkollë vazhdoi në kontinuitet nëpër të gjitha kohët e vështira si rrjedhojë e rrethanave historike shumë të ndërlikuara, me të cilat u përballë populli ynë. Mësimi vazhdoi edhe në vitet e `90 të shekullit të kaluar, përkundër të gjitha masave represive që ndërmori pushteti serb kundër arsimit shqip që tani më janë të njohura për opinionin kombëtar e ndërkombëtar. Kjo vazhdimësi ishte rezultat i vetëdijes së lartë të nxënësve, mësimdhënësve e prindërve që u angazhuan dhe flijuan shumëçka për arsimin- deri në shkallën vetë-sakrifikimit për shkollën shqipe. Në vitin shkollor 1990/91 pasoi ndarja e shkollës kur hiqet lënda mësimore e obligueshme e gjuhës serbokroate për nxënësit shqiptarë dhe ata me mësim në gjuhën serbokroate ndahen definitivisht. Nuk ishte kjo vetëm një vazhdimësi e thjeshtë, por edhe rritje në sasi dhe cilësi arsimore. Tani në Kamenicë janë 2 shkolla të mesme të ulëta: Shkolla “Fan S. Noli” dhe “Dëshmorët e Kombit”, nëntëklasëshe, e secila nga ato ka nga 30 paralele, me nga afro 500 nxënës.

Muharrem Kallaba, pas një sëmundje të rëndë, vdiq në Matiçan, më 16. 8. 2012. Pas ka lënë bashkëshorten- Rukije, tre djem- Fisnikun, Ilirin e Arbenin dhe vajzën Flora, të gjithë kanë mbaruar fakultetin dhe kanë krijuar familje. U varros në varrezat e Zllatarit, afër Prishtinës, ku morën pjesë shumë shokë e miq dhe roganas nga vendlindja, të cilën e mbante gjithmonë në zemër, prandaj edhe porosia e tij ishte- Të fala Roganës./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).