Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Klinika “Swiss” ka ofruar kontrolla falas për disa gra

Gjilan – Tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën. Në kuadër te kësaj fushate QRSHP në Gjilan në bashkëpunim me Klinikën “SWISS” ka ofruar kontrolla falas për disa gra me ç’rast e falënderojmë për mbështetje.
Cilat gra janë të rrezikuara për kancerin e gjirit.
Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Përgjithësisht preken moshat mbi 50 vjeç, por kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja.
Studimet kanë treguar se rreziku për kancerin e gjirit është rezultat i një kombinimi faktorësh.
Disa nga faktorët e rrezikut përfshijnë:
• Mosha-rreziku rritet me rritjen e moshës; por nga kanceri i gjirit preken dhe moshat e reja
• Ndryshimet në disa gjene – deri 10% e kancereve të gjirit janë si rezultat i një defekti gjenetik. Gratë që kanë trashëguar këto ndryshime gjenetike janë në rrezik të lartë edhe për kancer të vezoreve.
• Fillimin e hershëm të menstruacioneve – femrat që u fillojnë menstruacionet para moshës 12 vjeç, janë të ekspozuara ndaj hormoneve për një periudhë më të gjatë kohore, duke rritur rrezikun për kancer gjiri.
• Fillimin e menopauzës pas moshës 55 vjeç – ashtu si fillimi i hershëm i menstruacioneve, edhe menopauza e vonshme rrit ekspozimin e femrës ndaj hormoneve për një periudhë më të gjatë kohore, duke rritur kështu rrezikun për kancerin e gjirit.
• Shtatzënitë në moshë të madhe ose moslindjen e fëmijëve.
• Mungesën e aktivitetit fizik.
• Të qenit mbipeshë apo obeze pas menopauzës.
• Indi i gjirit i ngjeshur/i dendur
• Historitë personale me kancer gjiri-femrat që kanë pasur kancer gjiri kanë më shumë gjasa për t’u prekur përsëri nga kanceri i gjirit.
• Historitë familjare me kancer gjiri – rreziku i një gruaje për kancer gjiri është më i lartë nëse ka patur nënën, motrën, vajzën (të afërm të shkallës së parë) me kancer gjiri.
• Alkoolpirjen dhe pirjen e duhanit
Si zbulohet kanceri i gjirit
Ekzistojnë disa mënyra kontrolli për gjirin si:
Vetëkontrolli mujor i gjirit
Ekzaminimi klinik i gjirit nga një personel shëndetësor
Mamografia
Eko e gjirit
dr .Igballe Shalaku – Qerimi
Specialiste e Ekologjisë Humane
Koordinatore për Edukim Shëndetësor për Rajonin e Gjilanit