RCCOLA

Mjegull në pikë të verës

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Nga Blerim Shala-Republika e Kosovës në Paktin NATO dhe në BE është epilogu i synuar i 2 korrikut të vitit 1990.

Qëlloi që Mbledhja e fundit e Grupit Drejtues Ndërkombëtarë (ISG), të mbahet me 2 korrik (2012 pra), në Vjenë, prandaj, pa menduar shumë këndejpari (mendimin politik e kemi gjithqysh ‘artikull deficitar’), ia shkrepëm krahasimit historik me 2 korrikun e vitit 1990.

Na kujtohet të gjithëve: Para 22 viteve, në hyrje të Kuvendit të Kosovës, delegatët kosovarë kodifikuan dhe legjitimuan vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të qenë të barabartë si Republikë në shtetin atëhershëm, në shpartallim e sipër, përndryshe.

Ky ishte ai çasti i parë i përligjjes së vullnetit të kosovarëve i cili pasiqë kaloi nëpër nëntë rrathët e ferrit, së pari më 20 qershor 1999 mbërriti tek çlirimi, e pastaj, me 17 shkurt, 2008, tek pavarësimi i Kosovës.

Gjithçka nisi më 2 korrik, 1990, në këtë aspektin e ndërlidhjes së një vullneti politik të një populli me kodifikimin ligjor të tij.

Më 2 korrik të këtij viti ISG në Vjenë përligji procesin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, gjë që pastaj shërbeu për ta tërheqë një paralele aspak të qëndrueshme më 2 korrikun e vitit 1990, dhe për të thënë, madje, që më 10 shtator të këtij viti, Kosova do të jetë shtet sovran në kuptimin e plotë të fjalës (edhe pse të tillët që bëjnë këtë vlerësim, me gjasë, nuk e dinë se çka është në fakt sovraniteti në një shtet evropian, në kohën e sotme), dhe që më 2 korrik të këtij viti përfundoi procesi i nisur me 2 korrik 1990.

Nuk është e vërtetë fare që më 2 korrik të këtij viti mori fund ajo çfarë filloi tash e 22 vjet më parë. Nuk është e vërtetë që realisht po merr fund me 10 shtator mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Nuk është e vërtetë që më 10 shtator të këtij viti Kosova do të bëhet shtet sovran.

Por e vërteta politike është një tjetër ‘artikull deficitar’ në këtë tregun tonë politik, vendor dhe ndërkombëtarë, i cili shquhet me zhurmë, piskamë, fyerje dhe madje rrahje (kohëve të fundit) kur kemi të bëjmë me raportet politike ‘vëllazërore a brenda-shqiptare’, dhe me një mësymje të përbashkët me faktorët kyç ndërkombëtarë në Kosovë që sa më parë që është e mundur, pa i bërë si duhet llogaritë, ta mbyllim kaptinën e mbikëqyrjes së pavarësisë, së paku në këtë segmentin e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), e cila të thuash asnjë ditë të vetme nuk e ka kryer si duhet mandatin e vet në Kosovë.

Pra, a do të agojë në të vërtetë Kosova si shtet sovran më 11 shtator të këtij viti?

Po është përgjigjja që të rri në maje të gjuhës, nëse pyetja konkretizohet: A do të ketë më Pieter Feith dhe ICO këndejpari, dhe a do të vazhdojnë ata të mos ushtrojnë mandatin që e kanë pasur, e që në fund u reduktua në miratimin e kornizës ligjore dhe ndryshimin e Kushtetutës, për të garantuar zbatimin e Pakos së Presidentit Ahtisaari, e cila, ndryshe, pësoi ndryshime përmes interpretimeve dorëshlira që ia bëri vetë ICO-ja.

Jo është përgjigjja reale, e cila përkon me krahasimin e elementeve kyç të sovranitetit të një shteti dhe realitetit legal dhe politik në Kosovë.

Fundamenti

Siguria e përgjithshme në Kosovë edhe tash e tutje (këtu duhet thënë menjëherë, shyqyr zotit që do të jetë kështu), do të jetë në duart e KFOR-it dhe Paktit NATO. Largimi i KFOR-it nga Veriu po atë çast do të shënonte fillimin e konfliktit të armatosur në këtë pjesë të Kosovë.

Sundimi i Ligjit në Kosovës, edhe tash e tutje (dhe së paku deri në qershorin e vitit 2014), në disa fusha të veçanta, edhe me kompetenca ekzekutive, do të jetë në duart e Misionit të EULEX-it.

Euro edhe tash e tuje (sërish duhet të themi, shumë mirë që është kështu), do të jetë valutë e Kosovës, por Banka Qendrore e Kosovës ka kompetenca të kufizuara në këtë segment shumë të rëndësishëm.

Më e keqja vjen në fund të kësaj renditjeje: Pos nëse ndodhë ndonjë mrekulli që do të renditej ndër shtatë më të mëdhatë të kohës së sotme (apo të Shekullit XXI), Veriu i Kosovës, edhe me 11 shtator të këtij viti, do të jetë nën kontrollin e Serbisë dhe të institucioneve të saja.

Pra, në këtë pjesë të Kosovës, as pas 10 shtatorit të këtij viti, kur do të ulet flamuri i ICO-së në Prishtinë, nuk do të mund të ushtrohet sovraniteti i shtetit të Kosovës apo të ngrihet flamuri i Kosovës.

KFOR-i dhe EULEX-i, sipas të gjitha gjasave dhe vlerësimeve, e kanë zgjidhjen e problemit të Veriut si ‘lejekalim’ për dalje nga Kosova, apo, për përfundim të mandatit të tyre. Njëkohësisht, prania e KFOR-it dhe e EULEX-it në vitet vijuese, do të duhej të shfrytëzohej për transformimin e FSK-së në Armatën e Kosovës, për fuqizimin e sundimit të ligjit në gjithë territorin e Kosovës, i cili, si po shihet përditë e më shumë, është kushti themelor që Republika e Kosovës të kualifikohet, dalëngadalë, për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Shteti i Kosovës do të mund të përfitonte pra shumë, po qe se do të krijoheshin raportet e partneritetit të mirëfilltë midis nesh, KFOR-it dhe EULEX-it.

Nëse ndodhë kjo, atëherë shteti i Kosovës në vitet e ardhshme, do ta bënte një kërcim të matshëm cilësor në drejtim të Brukselit, gjegjësisht, të anëtarësimit në Paktin NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Ky kërcim pastaj do të na afronte në përfundimin e mirëfilltë të ndërmarrjes së madhe historike dhe politike të nisur më 2 korrik të vitit 1990, në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Republika e Kosovës në Paktin NATO dhe në BE është epilogu i synuar i 2 korrikut të vitit 1990.

Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)