Fundamenti

Milionerë me rroga shteti

/ 23 minuta lexim
FITORJA

Plot zyrtarë, edhe aksionarë në biznese. Politika mbetet profesioni më profitabil, sepse iu siguron zyrtarëve të korruptuar t’i mbushin shpejt xhepat, duke abuzuar me pozitën dhe fondet publike

Politikanët, që po e udhëheqin shtetin për gjithë këto vite, herë në pozitë dhe herë në opozitë, pushtetin po e shfrytëzojnë për pasurimin e tyre individual, asnjëherë në interes të zhvillimit të shtetit. Se sa ka qenë dhe vazhdon të mbetet politika profitabile për pasurimin e zyrtarëve, më së miri pasqyrohet nga të dhënat që nga viti në vit po i zbardh Agjencia Kundër Korrupsionit , institucion të cilit zyrtarët e shtetit janë të obliguar me ligj që të raportojnë për pasurinë e tyre. Ndonëse këto deklarime asnjëherë nuk janë të plota, dhe nuk pasqyrojnë gjithë pasurinë me të cilën disponojnë zyrtarët e lartë të shtetit, bizneset e tyre që mbajnë edhe me ortakëri të ndryshme në emra të individëve të tjerë, megjithatë janë tregues se si janë pasuruar në mënyrë të paligjshme.

Diferencat e pasurisë së zyrtarëve, ministra dhe deputetëve janë të ndryshme nëpër vite dhe krahasuar me të ardhurat e tyre personale, asnjëri prej tyre nuk mund ta arsyetojë krijimin e një baze aq të lartë materiale.

Jahjaga e mbush konton

Kreu i shtetit, presidentja Atifete Jahjaga, sipas të dhënave të vitit 2014, në raport me vitin 2013, i është trashur pasuria dukshëm brenda një viti. Sipas deklarimit të pasurisë, asaj i janë shtuar paratë e deponuara në banka. Po ashtu, në deklarimin e pasurisë së saj është shtuar edhe një veturë e re. Në vitin 2013, sipas AKK-së, Jahjaga ka pasur para të ruajtura në bankë 47,853 euro. Kurse, bashkëshorti i saj në vitin e kaluar nuk e ka pasur asnjë cent të deklaruar në bankë. E, të hyrat mujore të familjes së presidenciale kanë qenë 2,873 euro presidentja dhe 551 euro bashkëshorti nga puna në QKUK dhe 415 euro nga angazhimi si asistent i Fakultetit të Mjekësisë-Stomatologjisë. Ajo në vitin 2014 ka deklaruar të deponuara në një bankë (të afatizuara) 42,500 euro, dhe po ashtu në një bankë tjetër 28,535 euro. Kurse, në një tjetër xhirollogari 400 euro i ka kursyer bashkëshorti i saj. Po atë vit, presidentja Jahjaga ka deklaruar edhe një veturë “Shkoda New Octavia 1.6 TDI”- vlera e së cilës është 16,500 euro. Për dallim nga rritja e pasurisë dhe blerja e veturës presidentes, Atifete Jahjaga dhe bashkëshortit të saj të hyrat mujore u kanë mbetur të njëjtat.

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2015, presidentja ka deklaruar para të gatshme në “ProCredit Bank” 82,788 euro. Në po të njëjtën bankë ka deklaruar edhe 3 mijë e 171 euro, ndërsa, në “Raiffeisen Bank” para të gatshme të bashkëshortit ka deklaruar 413 euro. Paga mujore nga Zyra e Presidentes i ka deklaruar 2 mijë e 478 euro. Derisa, paga mujore e bashkëshortit që merr nga QKUK-ja është 602 euro. Presidentja nuk ka qenë keq as për nga mëditjet, pasi ka deklaruar se mëditje nga Zyra e Presidentes para kesh 6 mijë e 75 euro. Sikur vitin e kaluar, edhe këtë vit presidentja ka deklaruar një veturë, “Shkoda New Octavia 1.6” në vlerë 16 mijë e 500 euro.

Thaçi, mbi gjysmë milioni

Pasuria nga viti në vit i është trashur shumë edhe ish- kryeministrit Thaçi në dy mandatet e kaluara, tani në pozitën e zëvendësit dhe ministër i Jashtëm, sado që në deklarimin e tij të fundit ka një minus të vogël prej -0.45 %, në raport me vitin paraprak ai vazhdon të radhitet ndër politikanët e pasur. Zëvendëskryeministri Thaçi, në vitin 2014 ka pasur një total të pasurisë së deklaruar prej 694,153 €, derisa në vitin 2015 figuron shifra prej 691,046 euro. Hashim Thaçi ka deklaruar tokë (për ndërtimin e shtëpisë) në vlerë 157.000 euro, shtëpi në ndërtim 700 m2 në vlerë 220.000 euro, tokë bujqësore 7.00 hektarë- trashëgimi nga familja – 180.000 euro, shtëpi 250.00 m2- trashëgimi nga familja në vlerë 80.000 euro, veturën “VV Passat” në vlerë 13.000 euro, para të kursimeve në “NLB-Prishtina” 2.035 euro, në “Raiffeisen” 6.800 euro. Thaçi ka deklaruar pagën vjetore nga buxheti i Kosovës në vlerë 17.318 euro si dhe pagën e bashkëshortes në Universitetin “Fama” në vlerë 18.000 euro.

I kamuri Veseli

Zëvendëskryetari i PDK-së, partisë së parë në pushtet, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, në krahasimin e të dhënave pasurore, sipas të dhënave të AKK-së, në vitin 2014 kishte të deklaruar pasuri totale me vlerë prej 298,092 euro, kurse në këtë vit figuron një vlerë pasurore që përllogaritet në 312,785.00 euro. Ish- kreu i SHIK-ut ka deklaruar se numri dy i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka dy banesa, të cilat i ka blerë para se të marrë këto dy pozita. Ish-shefi i SHIK-ut ka deklaruar në fillim të marrjes së mandatit për deputet, një banesë në pronësi të bashkëshortes, të blerë në vitin 2001, e që ka 114 metra katrorë, vlera e të cilës është 97 mijë euro. Banesën tjetër, në pronësi të tij, Veseli thotë se e ka blerë në vitin 2009, për 125 mijë euro, dhe se ajo ka 207 metra katrorë. E gjithë pasuria e tij arrin në 298 mijë euro, por nga kjo shumë ai ka përjashtuar vlerën e shtëpisë 350 metra katrorëshe, për të cilën thotë se e ka të trashëguar, e që vlerën e saj e ka lënë në 0.00, sikurse ka bërë edhe me 10 hektarë tokë e mal. Për të dyja ka thënë se janë pasuri e përbashkët. Ka një “Jeep”, në pronësi të bashkëshortes, e të cilin thotë se e kanë blerë nga kursimet, me 16,300 euro. Veseli ka deklaruar si të tij dhe të bashkëshortes, 13, 500 euro para të gatshme, të shpërndara në dy banka. Të hyrat e tij arrijnë shumën vjetore 16,800 euro, dhe i derdhen në konto nga buxheti i Kosovës, ndërsa për bashkëshorten ka deklaruar të hyra vjetore rreth 26 mijë euro, nga “Kobit-Pc” dhe 3.500 të tjera nga një shkollë e mesme. Para të gatshme në emër të tij ka deklaruar 8,228 euro, kurse në emër të bashkëshortes 4,085 euro. Ai ka deklaruar se merr pagë 2,724 euro si kryetar i Kuvendit, po ashtu dhe dy paga që merr bashkëshortja, njërën si punëtore në bankë në vlerë 291 euro dhe tjetrën në biznes privat në vlerë 2,166 euro. Sipas formularit të deklarimit të pasurisë kryekuvendari Veseli del se nuk ka kredi.

Mustafa, edhe kryeministër,edhe biznesmen

Një nga bosët e pasur të politikës kosovare është edhe kryeministri Mustafa. Të dhënat e vitit të kaluar tregojnë se kryeministri ka pasur pasuri në një vlerës pre 610,625 euro, derisa në krahasimin e të dhënave për vitin 2015 del se pasuria e kryeministrit është trashur, dhe ajo tanimë llogaritet në 689,541.00 euro. Kryeministri Isa Mustafa në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar shtëpinë prej 180.00 m2 trashëgimi në vlerë 138.000 euro, tokë (1/2 e 2.43 hektar) 2.43 hektarë trashëgimi në vlerë 365.000 euro, aksionet prej 6 për qind në “Riinvest” në vlerë 20.000 euro. Mustafa ka deklaruar se ka para të gatshme në “BpB” 6.701 euro, “ProCredit Bank” 13.206 euro, “ProCredit Bank” 35.702 euro. Mustafa ka deklaruar honorare në UP 7.337 euro, si dhe shpërblimin në ASHAK në vlerë 12.000 euro.

Opozitari Haradinaj, më pak i pasur

Kreu i AAK-s, Ramush Haradinaj, subjekt politik në opozitë, në bazë të krahasimit të të dhënave pasurore del sa ka filluar paksa të varfërohet. Derisa në vitin 2014 të dhënat flasin se ai kishte në total pasuri që vlerësohet në 791,376 euro, në fillim të këtij viti të dhënat flasin se ai ka një minus prej 0.32 %, dhe vlera e pasurisë i llogaritet në 788,832 euro . Pasuria e paluajtshëm Ramush Haradinajt përbëhet nga shtëpi banimi me vlerë 300.000 euro, shtëpi familjare-kullë me vlerë 270.000 euro, tokë kodrinore e privatizuar me vlerë 75.000 euro dhe tokë-truall me vlerë 27.300 euro. Pasuria e luajtshme e tij vargohet me veturë “SUBURBAN” e blinduar që është dhënë në shfrytëzim nga aktivistët e SHBA-së me vlerë 30.000 euro, “Audi” e blinduar me vlerë 9.000 euro, motoçikletë me vlerë 9.000 euro dhe “BMW” me vlerë 20.000 euro në pronësi të gruas së tij. Ramush Haradinaj ka të deponuara në bankë 6.000 euro dhe para të gatshme 7.000 euro, kurse pagat e tij vijnë nga Kuvendi i Kosovës me vlerë 1.488 euro dhe paga e bashkëshortes me vlerë 660 euro. Ndërsa prindërit e tij marrin pensionin e pleqërisë dhe pensionin për dëshmorin.

Edhe Ymerit i ulen shifrat

I pasur, me tendencë të varfërimit, është edhe kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri. Sipas përllogaritjes së të dhënave pasurore për vitin 2014, del se kreu i “Vetëvendosjes” në vitin 2014 kishte pasuri me vlerën prej 346,806 eurosh, kurse në të dhënat e vitit 2015 del së pasuria po i shkon drejt minusit dhe ajo zbret në shifrën prej 299,864 eurosh . Ymeri gjatë deklarimit të pasurisë së tij ka raportuar se ka pasuri të paluajtshme 200 mijë euro. Sipas të dhënave më të reja në AKK, del se kjo pasuri është e përbërë prej dy banesave, një garazhi dhe një parcele. Ai ka pasur edhe shitje të disa parcelave. Ymeri e ka deklaruar edhe veturën e tij “Opel Zafira”, në vlerë prej 9 mijë euro. Kryetari VV-së ka deklaruar kursime afër 60 mijë euro, ndërsa detyrime mbi 18 mijë euro. Paga vjetore që Ymeri e ka deklaruar është 22,484.72 euro, ndërsa të hyrat e tjera vijnë nga paga e bashkëshortes, 7,920 euro dhe 1,020 euro nga pensioni i prindit.

I varfëri Kurti

Politikan me emër të madh, po jo edhe aq i pasur mbetet lideri dhe themeluesi i VV-së, Albin Kurti. Sido që të jetë, të dhënat e Kurtit flasin se ai ka një lëvizje progresive, me tendencë të rritjes së pasurisë së tij simbolike, kryesisht me të hyra. Në vitin 2014, pasuria e Kurtit përllogaritej në 19,240 euro , derisa ajo është shtuar brenda një viti në 103,719 euro. Ish- kryetari i kësaj Lëvizjeje, Albin Kurti del të jetë mjaft i varfër, pasi në deklarimin e tij të pasurisë ai nuk ka pasuri të paluajtshme. E vetmja pasuri e tij është paga mujore që ai merr nga Kuvendi i Kosovës. Kurti si deputet i Kuvendit të Kosovës merr pagë mujore 1 mijë e 55 euro, brenda vitit ai merr rreth 18 mijë e 719 euro. Kurti në bazë të asaj që ka deklaruar, nuk ka para të gatshme në bankat komerciale. Mirëpo, ai ka deklaruar se bashkëshortja e tij në një bankë komerciale në Oslo të Norvegjisë ka 85 mijë euro para të gatshme.

Shefi i shefave, milioner

Në mesin e atyre që bënë pasuri të madhe nga politika është shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Në vitin 2014, pasuria e tij llogaritej në 1,532,006 euro derisa në këtë vit përllogaritet më një luhatje të vogël në zbritje prej rreth -8.91 %, por megjithatë mbetet milioner me shifrën prej 1,395,456 euro. Sipas të dhënave të para, të futjes së tij në jetën institucionale, politikë, në vitin 2007 pasuria e deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit ishte rreth 130 mijë euro. Sipas formularëve të deklarimit të pasurisë, ai ka një banesë në vlerë 150 mijë euro, një truall në vlerë 150 mijë euro, 500 mijë euro ka deklaruar pasuri të trashëguar, 500 mijë të tjera pronë familjare, dhe një 50 mijë euro një pronë tjetër familjare. Grabovci po ashtu ka deklaruar një banesë me 117 metra katrorë në emër të bashkëshortes, por që nuk ia ka caktuar se çfarë vlere ka ajo pasuri, dhe thotë se kjo u ble nga kursimet dhe nga kredia e bashkëshortes. Shefi i deputetëve të PDK-së ka deklaruar se ka para të gatshme mbi 17 mijë euro dhe detyrime ndaj bankës 15 mijë euro. Të hyrat e deklaruara janë paga që e merr si deputet, rreth 19 mijë euro në vit dhe bashkëshortja që merr mbi 8 mijë euro.

Lata me jetë luksoze

Për pasuri nuk mund të ankohet as ish- zyrtari i lartë i SHIK-ut, deputet në dy mandate, Latif Gashi. Krahasimi i pasurisë dhe të hyrave e nxjerr atë si njeri mjaft të pasur. Në vitin 2014, pasuria i përllogaritej në 415,810 €, derisa të dhënat e këtij viti flasin për trendin e uljes, me një shifër prej 404,077 eurosh . Deputeti Latif Gashi ka deklaruar një mal gjërash në deklarimin e pasurisë. Ai fillon me një banesë 150.000 euro, shtëpi 3 arë me vlerën 160.000 euro, dhe një shtëpi në emër të fëmijëve me vlerën 30.000 euro dhe në fund ka një shtëpi të trashëguar nga babai. Gashi ka një xhip ‘Range Rover’ në vlerën e 40.000 eurove. Ai ka 240 euro në “BKT” dhe 90 euro në “Raiffeisen Bank”. Pasuria e paluajtshme e deputetit të PDK-së, Latif Gashi, kap shumën 340 mijë euro. Gjithashtu ai ka deklaruar se paguan një dorëzani gjykate në vlerë prej 20 mijë eurosh në afat të pacaktuar. Gashi merr rreth 7 mijë euro nga paga si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Beqiri te çerekmilionëshi

I majm për nga pasuria, është edhe deputeti i LDK-s Ismet Beqiri- shef i Grupit parlamentar i LDK-së. Në vitin e kaluar, pasuria e tij përllogaritej në 275,444 euro . Në këtë vit ka një minus të vogël, por nuk ia lë shenjë, sepse totali i kapitalit të Beqirit arrin në shifrën prej 267,938 eurosh. Kryeshefi i deputetëve të LDK-së dhe sekretar partie ka deklaruar pasuri të paluajtshme: banesë në shfrytëzim për kohë të pacaktuar, 232 mijë euro. Pasuri e luajtshme: veturë në vlerë prej 6 mijë e 500 eurosh. Para të gatshme: 22 mijë e 28 euro. Detyrime financiare: 20 mijë euro kredi. Të hyrat vjetore: 17 mijë e 856 euro nga Kuvendi i Kosovës, ndërkaq bashkëshortja 505 euro.

Haliti, nga 1.4 në 1.3 milion

Në mesin e milionerëve të politikës renditet edhe nënkryetari “i përjetshëm” i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti. Trendi i uljes së të hyrave hetohet edhe tek Haliti, në raport më të dhënat e vitit të kaluar për pasurinë e tij. Në vitin e kaluar, pasuria e Xhavit Halitit përllogaritej në 1,409,593 euro, derisa në këtë vit trendi ka shkuar drejt uljes në masën prej – 2.29 % dha kap vlerën e 1,377,254 eurove.

Ish- ministri Beqaj e ka milionëshin

Besim Beqaj, ish- ministër i Financave, tash deputet i PDK-së vazhdon trashjen e milionave të tij. Në vitin 2014, pasuria e tij llogaritej në 929,580 euro , derisa në 2015 sillet në 1,035,850 euro, me trend të rritjes prej +11.43 %. Të mirat pasurore janë të ndryshme, të shumta. Shtëpi dhe truall, 232 mijë euro, tokë, 30 mijë euro, shtëpi familjare-tokë, 500 mijë euro Pasuri e luajtshme: veturë në vlerë 50 mijë euro dhe veturë me kursime dhe kredi në vlerë prej 12 mijë e 500 euro. Para të gatshme: 26 mijë euro. Të hyrat vjetore: 13 mijë e 680 euro nga buxheti i shtetit, 6 mijë euro nga buxheti i UP-së, 18 mijë euro honorar nga gjimnazi “Cambridge” në Pejë, prindërit nga 12 mijë euro nga gjimnazi “Cambridge” në Pejë dhe bashkëshortja 12 mijë euro nga gjimnazi “Cambridge” në Pejë si dhe nga “TEB-Bank” 5 mijë e 400 euro.

“Supermenja” Bajrami, me tri vende pune

ARKATANA

Pasuria e vitit të kaluar i llogaritej në 390,810 euro kurse këtë vit ka rënë në 376,483 euro ose -3.67 %. Ajo ka deklaruar banesën në vlerë 180 mijë euro, shtëpi në vlerë 137 mijë euro, veturë 3.700 euro, si dhe të ardhurat nga shitja e veturës dhe kredia në vlerë 12.000 euro. Hykmete Bajrami ka deklaruar se ka para të gatshme në vlerë 1.500 euro në “ProCredit Bank”, ndërsa në Bankën Ekonomike 1.000 euro. Bajrami ka deklaruar pagën vjetore në Kuvendin e Kosovës për vitin e kaluar, në vlerë prej 19.750 euro, pagën nga Fakulteti Ekonomik në vlerë 4.560, si dhe pagën në Universitetin AAB në vlerë 3.000 euro. Bajrami ka deklaruar edhe pagën vjetore të bashkëshortit në PTK në vlerë 20.400 euro, si dhe pagën në UBT në vlerë prej 7.900 euro. Vlera totale e pasurisë së deklaruar të ministres Bajrami arrin në 390.081 euro.

Krasniqi bleu banesë 100 mijë euro

Nuk qëndron keq as Memli Krasniqi, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Përkundër minusit prej -12.09 %, ai për dallim nga viti i kaluar, që kishte një total të pasurisë së përllogaritur në 175,860 euro. Këtë vit ajo i ka zbritur në 154,600 euro . Ministri Krasniqi ka deklaruar apartamentin në vlerë 100.000 euro. Veturën 5.500 euro, bibliotekën personale në vlerë 10.000 euro, dhe veturën tjetër në vlerë 10.000 euro. Ka deklaruar se ka 8.000 euro para të gatshme në “ProCredit Bank”, 4.000 euro në “ProCredit Bank” dhe 10.000 po ashtu në “ProCredit Bank”. Memli ka deklaruar pagën vjetore nga buxheti i Kosovës në vlerë 13.300 euro si dhe pagën e bashkëshortes në EULEX në vlerë 15.060 euro. Ministri Memli Krasniqi ka pasuri në vlerë 175.056 euro.

Tahiri nuk lëviz nga gjysmë milioni

E pasur dhe pa asnjë lëvizje plus apo minus ka mbetur ministrja Edita Tahiri, ministër pa portofol në kabinetin “Mustafa”, ministre për dialog dhe zëvendëskryeministre në kabinetin “Thaçi 2”. Ajo në bazë të të dhënave të deklaruara ka një shumë prej 542,775 eurosh, vitin e kaluar dhe në këtë vit. Ajo ka deklaruar shtëpinë 300.000 euro, tokën familjare – 200.000 euro, truall 2.50 arë familjare – 5.000 euro, veturën 16.000 euro, 5.500 euro para të gatshme në “Raiffeisen Bank”, si dhe pagën vjetore nga Qeveria e Kosovës në vlerë 16.275.60 euro.

Stavileci, edhe aksionar

Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik, po shkon gjithashtu drejt minusit, derisa në vitin e kaluar kishte 216,670 euro , në këtë vit i llogaritet pasuria në 186,774 euro ose në -13.80 %. Ai ka deklaruar se ka banesë në vlerë 100.020 euro, lokal në vlerë 48.644 euro, si dhe dy vetura, njëra në vlerë 15.000 euro, tjetra në vlerë 18.000 euro. Stavileci ka paraqitur edhe aksionet në “Bamb” Sh.P.K në vlerë 666 euro. Para të gatshme në “ProCredit Bank” në vlerë 4.000 euro, “ProCredit Bank”, Prishtinë, 1.500 euro, “Raiffeisen Bank” 2.500 euro, dy vetura, njëra në vlerë 12.000 euro, tjetra 14.500 euro. Stavileci ka deklaruar edhe pagën mujore në vlerë 1.109.47 euro (paga vjetore 13.313), si dhe paga mujore të bashkëshortes në PTK në vlerë 1.086.35 euro (pagë vjetore 13.036).

Hyseni me hapa të sigurt drejt milionerit

Drejt milionerit po lëviz edhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni. Pasuria e tij ishte 605.018 euro, para një viti, por këtë vit ka rënë megjithatë, në 590,550 euro. Ministri Skënder Hyseni ka deklaruar se ka këtë pasuri: shtëpi nga pasuria e trashëguar dhe kursimet në vlerë 350.000 euro, banesë në vlerë 120.000 euro, veturë 45.000 euro, para të gatshme në “Raiffeisen Bank” në vlerë 68.605 euro, paga mujore nga Kuvendi i Kosovës në vlerë 1.294 euro (në vit 15.533 euro) si dhe pagën e bashkëshortes në vlerë 490 euro (apo 5.880 euro në vit). Pasuria e ministrit Hyseni arrin në 605.018 euro.

Edhe Çeku, i kamur

Nuk ka pse të ankohet as ish- ministri i FSK-së, tani deputet i PDK-së, Agim Ceku. Në pozitën e ministrit, vitin e kaluar, kishte deklaruar 641,381 euro, derisa tani pasuria e tij vlerësohet në 526,940 euro . Ai ka deklaruar shtëpi banimi me oborr, 200 mijë euro, shtëpi banimi me tokë, 100 mijë euro, banesë, 90 mijë euro, shtëpi për pushim me oborr, 60 mijë euro, banesë, 60 mijë euro, banesë garsonierë, 35 mijë euro, tokë bujqësore, 50 mijë euro. Pasuri e luajtshme: tri vetura në vlerë prej 19 mijë eurosh.

Agani mbetet te 400 mijëshi

Ferid Agani, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po vendnumëron rreth shifrës prej 400,584 eurosh. Ai ka pasurinë e njëjtë me atë të vitit të kaluar, banesën në vlerë 150.000 euro, banesën e vajzës 65.520 euro, truallin në vlerë 75.000 euro, vetura në vlerë 15.000 euro, inventar në ambulancë 10.000 euro, orendi shtëpiake në vlerë 10.000 euro, stoli ari 3.000 euro. Para të gatshme në “TEB” në vlerë 1.373 euro, në “NLB” 2.560 euro, në Bankën Ekonomike 510 euro. Ai ka paraqitur pagën vjetore në Ministri në vlerë 15.246 euro, pagën e bashkëshortes në QKUK në vlerë 6.000 dhe pagën në Fakultetin e Mjekësisë në vlerë 3.200 euro, si dhe pagën e fëmijëve në Universitetin “Clemson” SHBA në vlerë 800 euro, dhe pagën në Universitetin e Prishtinës 4.900 euro. Pasuria e ministrit Agani peshon 363.100 euro.

Kuçi me rroga të dyfishta dhe honorare

Në regres është duke rrëshqitur edhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Ai në vitin e kaluar pati 316,506 euro, derisa në këtë vit i llogaritet pasuria në 290,768 euro. Kuçi në AKK ka deklaruar shtëpinë dhe truallin e ndarë nga UP-ja dhe Komuna në vlerë 200.000 euro, tokë-mal në vlerë 17.000 euro, shtëpi (vikendi) në vlerë 60.000 euro, veturën 12.000 euro. Ai ka deklaruar se ka vetëm 1 mijë euro para të gatshme në “ProCredit Bank”. Kuçi ka deklaruar pagën mujore nga Qeveria e Kosovës në vlerë 1.183 euro, e që për një vit i bie t’i marrë 14.196 euro, honorarin në UP- Pejë në vlerë 600 euro (7.200 pagë vjetore), pagën në UP-Prishtinë 488 euro (5.856 euro në vit), honorare në KP në shumë 70 euro (840 euro në vit), si dhe pagën mujore të bashkëshortes në vlerë 482 euro (5.784 euro në vit). Sipas llogarisë, pasuria e Kuçit del të jetë 323.878 euro.

Akademikut të Kryesisë, i rritet pasuria

Sabri Hamiti nga LDK-ja gjithashtu vazhdon të ruajë trendin e njeriut që ka përfituar mirë nga politika për më shumë se një dekadë. 306,082 euro ka qenë përllogaritja e totalit të pasurisë së tij vitin e kaluar, derisa në këtë vit ajo kalon në 404,166 euro. Ose me një progres pozitiv prej +32.05 %. Hamitit i është llogaritur pasuria në vitin 2013 në totalin e vlerës prej 305,601 eurosh, derisa në vitin paraprak 329,439 euro.

Kamishi “dobësohet” pak

Bekim Haxhiu-Kamishi, deputet i PDK-së, në vitin e kaluar kishte nivelin prej 452,745 eurosh, derisa në këtë vit ka rënë paksa në 461,967 euro . Ai ka deklaruar pasuri të paluajtshme, shtëpinë me 220m² me vlerë 120.000 euro, të cilën e ka deklaruar si të trashëguar, dy troje me 20 arë tokë në vlerë 150.000 euro dhe tre hektarë tokë me vlerë 100.000 euro. Në deklarimin e pasurisë së luajtshme ka veturën “Golf 6” me vlerë 12.500 euro që e vozitë bashkëshortja e tij dhe një veturë tjetër “Mercedes ML” me vlerë 25.000 euro që e ka vetë. Në deklarimin e parave të gatshme në institucione financiare, posedon 1.400 euro, të cilat janë të deklaruara në emër të bashkëshortes, 2.000 euro në emër të fëmijëve dhe vetë .“Kamishi” ka 15.000 euro të gatshme në bankë. Të hyrat vjetore të Kamishit vijnë nga paga e tij si deputet i Kuvendit të Kosovës me shumë 17,378.15 euro, por që nuk i ka përfshirë mëditjet që është dashur t’i bëjë, paga si asistent në UP me shumë 3,103.75 euro dhe në fund ai merr edhe pensionin invalidor të UÇK-së me shumë 3,633.75 euro. Bashkëshortja, e cila punon në PTK , merr rrogë vjetore 11.952 euro.

Remi me rritje konstante

Në rrugë e sipër për t’u bërë milioner i politikës është edhe Rrustem Mustafa. Remi, komandant lufte dhe deputet i PDK-së, me një progres simbolik, pasuria e tij nga viti i kaluar, e përllogaritur në 572,280 euro është shtuar në masën prej +0.90 % në këtë vit, ose ka arritur shumën prej 577,410 eurosh. Ajo që vërehet te Mustafa është rritja e vlerës së pasurisë ekzistuese, të raportuar edhe në vitet e mëparshme.

Modesti Hoti

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka deklaruar banesë në vlerë 68 mijë euro, veturë në vlerë 5.800 euro, para të gatshme në “NLB Bank”, 28.786 euro, “Raiffeisen Bank” 12.408 euro. Hoti ka të deklaruar edhe pagën vjetore në UP në vlerë 8.078 euro, pagën vjetore në Kuvendin e Kosovës prej 16.560 euro, pagën me angazhim sipas orëve mësimore në kolegjin “Dardania” në vlerë 10.800 euro. Hoti ka deklaruar edhe pagën vjetore të bashkëshortes në KGJK në vlerë 5.400 euro. Pasuria e Hotit, sipas këtij deklarimi, del të jetë hiç më e madhe se 155.832 euro.

Bajrami me 4 burime rrogash dhe honoraresh

Arsim Bajrami mund të jetë një nga më të lumturit se po lëviz në autostradën politike të bërjes së shpejtë të milionerit të Kosovës. Derisa në vitin 2014 kishte një shumë totale të pasurisë prej 389,200 eurosh , në këtë vit ajo i llogaritet në 553,883 euro, ose me një rritje prej +42.31 %. Bajrami ka deklaruar shtëpinë familjare në vlerë 250.000 euro, banesë njëdhomëshe, investim i bashkëshortes, në vlerë 20.000 euro. Bajrami ka deklaruar edhe paratë e gatshme në “NLB” në vlerë 40.000 euro, në “Raiffeisen” 9.000 euro, në “NLB” 14.000 euro. Paga vjetore e Bajramit nga Kuvendi i Kosovës arrin 18.000 euro, paga në F. Juridik 5.400 euro, në kolegjin AAB 7.000 euro, si dhe honorarin në ASHAK në vlerë 10.800 euro. Ai ka deklaruar edhe pagën vjetore të bashkëshortes në vlerë 4.000 euro. Sipas këtij deklarimi pasuria e ministrit Bajrami është mbi 378.000 euro.

Abrashi, i ri dhe pasanik

Ministri Arban Abrashi ka hyrë si njeri shumë i pasur në Qeverinë “Mustafa”. Pasuria e tij e deklaruar me marrjen e detyrës zyrtare është 731,129 euro. Ai ka deklaruar shtëpinë në vlerë 200.000 euro, banesën në vlerë 40.000 euro, banesën prej 125.000 euro, truallin në vlerë 200.000 euro, banesën 21.000 euro, truallin investim familjar 50.000 euro, veturën në vlerë 5.000 euro. Ka deklaruar edhe aksionet në Laris Group në vlerë 1.000 euro, para të gatshme në “NLB” në shumë 1.457 euro, pastaj 10.000 euro në “Swed bank” dhe “SBAB”, si dhe 2.000 para të gatshme. Ai ka deklaruar pagën mujore në MPMS në vlerë 1.108 euro ( në vit 13.296 euro), si dhe pagën në LDK në vlerë 450 euro (apo në vit 5.400 euro), pagën e bashkëshortes në vlerë 4.000 euro në “Forsakringassa Suedi Swedbank” (48.000 euro në vit), si dhe pagën e prindërve nga biznesi privat në vlerë 200 euro (2.400 në vit) dhe në QKUK 548 euro (6.576 euro në vit).

Pasuria e Zharkut, rreth gjysmë milioni

I pasur del edhe ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i cili po e mban peshën e pasurisë, si në vitin e kaluar edhe në këtë vit. Ai në vitin e kaluar kishte 483,935 euro, kurse në këtë vit i përllogaritet pasuria në 482,986 euro . Ka deklaruar shtëpi në vlerë 150.000 euro, tokë bujqësore në vlerë 170.200 euro, veturë 17.800 euro, posedim të aksioneve në BprAL Riinvest në vlerë 108.600 euro, si dhe në “Komercialna Banka” Shkup (Maqedoni) -264 aksione në vlerë 4.300 euro. Ai ka deklaruar edhe paratë e gatshme: në “NLB Prishtina” Prishtinë 7.05 euro, “BpB” Prishtinë 1.876 euro, “BKT” Prishtinë “50.04”, “ProCredit Bank” Prishtinë 649.50, “ProCredit Bank” Prishtinë 1.356 euro, pagën vjetore nga Kuvendi i Kosovës në vlerë 17.856 euro, kompensimin në UP- Fakulteti Ekonomik 2.640, kompensim në Riinvest 3.200 euro, si dhe pagën e bashkëshortes në vlerë 5.400./kosova sot/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.