Fundamenti

Mësimdhënësit meritojnë kompensim për punën e kaluar 1990-1999

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Nexhat Buzuku – Mësuesit nuk po kërkojnë grada, as memoriale, as privilegje. Mësuesit po kërkojnë kompensim për djersën e tyre, për kontributin e tyre, që sadopak ta zbusin skamjen që ka mbërthyer ata dhe familjet e tyre.

Mësuesit nuk duan që të mëshirohen. Jo, ata vetëm kërkojnë pak më pak se atë që zbrazin demagogji dhe tirada nga karriget e buta të Kuvendit të Kosovës. Mësuesit nuk kërkojnë të shndërrohen në heronj, por duan që në kompensim paga mujore për 9 vjet pune paralele nën okupim të jetë sa pensioni i deputetëve që po e kërkojnë për pension. Edhe pse deputetët në karrige të buta, në vetura të zeza, mësuesit punuan në bodrume të ftohta dhe nën kërcënim të përhershëm.

Mësuesit kërkojnë përgjigje sa më të shpejtë – deri ku ka arritur trajtimi i problemit të tyre – kompenzimi i punës së kaluar 9-vjeçare, dhe çfarë do jetë mënyra e kompenzimit.

Mësimdhënësit që mbajtën gjallë frymën e arsimit shqip, që ruajtën dhe lartësuan të vetmen shkëndijë që e mbante popullin e Kosovës të mobilizuar e me shpresë për një ditë tjetër, për një ditë të re, duan një përgjigje – kur do vendoset për kompenzimin e punës që bënë në periudhën e vështirë 1990 – 1999.

A është duke u marr kush me këtë problem? A ka diçka të re në këtë drejtim? Kur do të miratohet çështja në fjalë? Çfarë do të jetë kompenzimi? Në para apo në fondin pensional?

A mos na kanë harruar apo lënë për më vonë, kur gjeneratat që punuan atëherë do të shuhen…? Këto janë vetëm disa nga pyetjet e përditshme që i bëjnë mësimdhënësit, disa nga të cilët nguten që kjo çështje të zgjidhet më shpejtë, sepse janë në prag të pensionimit, por edhe me shëndet të rrëzbitur.

Nëse u thua se ende nuk ka asgjë konkrete, sepse deputetet dhe pushtetarët kanë vënë në plan të parë interesat e tyre, se deputetet po përpiqen të rregullojnë me ligj që pensionit e tyre të jenë 70 përqindëshi i pagës së tyre, ose pension jo më i vogël se 500 euro, ata vërtet lemeriten.

Po ky vend a është mbretëri e disa personave, e një klani a grupi të themi grushti pushtetarësh, që të punojnë vetëm për vete, të zhvatin e të pasurohen pa fund.
Mësuesit janë shumë të zhgënjyer me privilegjet e pushtetarëve, dhe mbi të gjitha janë të irrituar e të pezmatuar me deputetët, që në vend të jenë zëri i qytetarit, janë bërë dhe kanë punuar për interesat e tyre, të klaneve të tyre, dhe vetëm vizuelisht para kamerave kanë përmendur “interesin qytetar”.

Mësimdhënësit u përkujtojnë deputetëve, qeveritarëve, pushtetarëve se edhe ata kanë nevojë për të jetuar me dinjitet, edhe ata kanë nevojë për të shkuar ndonjëherë në pushime, se edhe ata kanë fëmijë që duhet shkolluar, mbathur e veshur.
Edhe mësimdhënësit, që kryejnë një mision shumë të rëndësishëm duhet të kenë kushte dinjitoze për punë, që të kenë mundësi për veshmbathje solide dhe të dalin para nxënësve me rroba të vjetra, të zhubrosura e këpucë si të Lulit të Vocër të Mugjenit. Edhe mësuesit paguajnë taksa për shtetin, fatura të rrymës, ujit, mbeturinave, telefon e shërbime të tjera.

Të mos harrojmë se mësuesit, kështu po i quaj në vazhdim të gjithë mësimdhënësit e fillores dhe të mesmes, punuan në kushte skajshmërisht të vështira, në të ftohtë, në objekte të vjetra, të rrëzbitura, disa pa dyer e dritare. Shumë mësues nuk i kishin shtëpitë – shkolla afër, por udhëtuan nga njëra komunë në tjetrin, sepse kështu e kishin marrëdhënien e punës. Punuan edhe pa ngrënë. Udhëtuan si munden, dhe shikoheshin vëngër nga ndonjë autotransportues, e disa sish meritojnë respekt.

Pa u ndalur këtu te presioni policor, sigurimi serbe i shtetit, bisedat informative, burgosjet e izolimet. Çështja që shtrohet sot e këtu, e që është kërkesë e mësuesve, së paku e atyre me të cilët jam në kontakt, është kompenzimi i pa vonuar për punën e kaluar, për punën e bërë.

Ka pasur zëra e përpëlitje se “shkolla e bodrumeve” nuk ka dhënë asgjë, se ka nxjerr sistemin arsimor jashtë rrjedhave dhe ecurive bashkëkohore të mësimit. Mirëpo, sistemi arsimor i Kosovës, si organizatë institucionale – shtetërore arsimore njihet e respektohet dhe është marr model i rrallë, pothuaj i pashembullt në shekullin e kaluar. Shkolla shqipe e viteve 1990-1999 është quajtur shkollë qëndrestare. Prandaj, sistemi arsimor në Kosovë, në historinë e zhvillimit të saj, fazë të dytë dhe të rëndësishme të arsimit në Kosovë njeh periudhën 1990-1999.

Eco Higjiena

Edhe pse jemi të vetëdijshëm për mungesa të shumta në organizimin e sistemit paralel arsimor nën okupim, rezultatet janë pakrahasimisht madhore. Sukseset janë kolosale në mbajtjen gjallë të shkollës shqipe, por edhe në ndaljen e rinisë shkollare që të mos emigronte në shtete të Evropës.

Shkolla shqipe e asaj periudhe ka mobilizuar rrugën qëndrestare të kohës – rezistencës dhe kundërvënien me armë armikut, sepse ishte një mësues ai që doli në një vend të Kosovës dhe kumtoi alarmin e rezistencës së armatosur.

Nihilistët mund të mos pajtohen me rolin madhor të shkollës shqipe, duke i quajtur ngaherë ata që u arsimuan atëherë kuadro të bodrumeve. Mirëpo, aq shumë kuadra të dëshmuara dolën nga ajo kohe sa për nga cilësia dhe avansimet shkencore i tejkalojnë edhe këta të shkolluar në objekte moderne. Vendosmëria, guximi, shpirtsinqeriteti, vizioni dhe besimi e shpresa për një ditë tjetër, për një ditë të re do të ishte shtytësi kryesor që frymëzonte gjeneratat e asaj kohe.

Me këtë rast po përmend kalimthi Erih Fromin, filozof, sociolog dhe psikolog gjerman, i cili konsiderohet themelues i psikoanalizës humaniste, i cili në veprën “Të kesh ose të jesh” flet për njeriun e kohës moderne, i cili duhet ta zhvillojë ndjenjën e dashurisë, besnikërisë dhe solidaritetit, e jo ndjenjën për pasuri, posedim dhe sundim, sepse kjo e mundëson robërimin e pasurive vetiake të njeriut.

Sipas Fromit, vetëm kështu njeriu mund “të jetë” si duhet plotësisht, përkundër asaj që ai duhet “të ketë”. Ky fragment nuk ka nevojë për komentim, sepse mësuesit ishin dhe vazhdojnë të jenë me tiparet që përshkruan dhe analizon Fromi, njerëz me dinjitet, me ndjenë dashurie, besnikërie e solidariteti. Ndërsa, ata që kanë përzgjedhur lakminë, grykësinë, pangopësinë mbeten e keqja dhe barriera e zhvillimit njerëzor e shoqëror.
Mësuesit atëherë dhe sot shpërfaqin, përçojnë dije e vlera te brezi i ri dhe në stratifikimin shoqëror si totalitet i strukturës shoqërore. Jo rastësisht Volteri ka thënë se populli duhet të udhëhiqet nga elita e arsimuar.

Mësuesit nuk po kërkojnë grada, as memoriale, as privilegje. Mësuesit po kërkojnë kompenzim për djersën e tyre, për kontributin e tyre, që sadopak ta zbusin skamjen që ka mbërthyer ata dhe familjet e tyre.

Mësuesit nuk duan që të mëshirohen. Jo, ata vetëm kërkojnë pak më pak se ata që zbrazin demagogji dhe tirada nga karriget e buta të Kuvendit të Kosovës. Mësuesit nuk kërkojnë të shndërrohen në heronj, por duan që në kompenzim, paga mujore për 9 vjet pune paralele nën okupim të jetë sa shuma e pensionit të deputetëve që po e kërkojnë pas pensionimit. Edhe pse deputetët në karrige të buta, në vetura të zeza, mësuesit punuan në bodrume të ftohta dhe nën kërcënim të përhershëm, nuk po duan privilegje, vetëm djersën për kontributin e dhënë.

Mësuesit nuk duan të trajtohen si heronj, apo siç ka thënë Jyrgen Habermas, sociolog gjerman, “I mjerë ai popull që ka nevojë për heronj”, sepse një popull nuk mund ta çojë gjithë jetën me heronj.

Duke qenë se kriza ka kapluar shoqërinë moderne, Habermas thoshte se kjo krizë vjen ngase shoqëria moderne nuk arrin t’i përmbushë nevojat individuale të njerëzve. Prandaj, njerëzit i kundërvihen kësaj krize nëpërmes të ndërveprimit, të cilin ai e quan “Veprim komunikues”.

Atëherë, duke iu referuar Habermasit, mënyra më e mirë për t’u dhënë përgjigje të përgjegjshme dhe pozitive mësuesve, është që kërkesat e tyre, që në të shumtën i bëjnë në formë pyetjesh, të dëgjohen dhe ky kapitull i punës së tyre të kaluar të mbyllet duke ua kompenzuar djersën dhe mundin.

Mësuesit kërkojnë përgjigje sa më të shpejtë – deri ku ka arritur trajtimi i problemit të tyre – kompenzimi i punës së kaluar 9-vjeçare, dhe çfarë do jetë mënyra e kompenzimit.