Uji Dea

Mendimi i ri sociologjik në dinamikën dhe përthyerjet e mëdha shoqërore

/ 19 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Nga Nexhat Buzuku – Refleksione mbi librin sociologjik të prof. dr. Sunaj Raimi

Sociologjia mbetet arenë debatesh e diskutimesh, pikëpamjesh e botëkuptimesh, instrument dhe një lloj laboratori shoqëror, pse jo edhe i diagnostifikimit të proceseve shoqërore, për të kontrolluar dhe korrigjuar jo vetëm devijimet, por këshillëdhënëse dhe paralajmëruese e lëvizjeve shoqërore dhe preventivë e së keqes dhe tjetërsimit njerëzor e denigrimit të tij social dhe shkeljes së dinjitetit njerëzor

Libri “Sociologjia” e prof.dr. Sunaj Raimi, sjell në qasje të re dhe një mendim të ri, të avancuar e përmbajtësor, të ndërtuar e të strukturuar si në aspektin tematik ashtu edhe metodologjik. Është një prurje plotësisht e realizueshme në korpusin e shkencave shoqërore, dhe posaçërisht në diskursin avancues të sociologjisë, Libri i profesorit të Universitetit Shtetëror të Tetovës (UTSH) çelet me tri recensione analitike dhe me një fjalë të autorit të tekstit për nevojën dhe domosdoshmërinë e të shkruarit të librit, për të përmbushur, siç thotë ai, një boshllëk apo zbrazëtirë të kësaj fushe pas ndryshimeve dhe trandjeve që ndodhën në sistemin shoqëror, dhe një pjesë e elementeve sociologjike duhej korrigjuar, riformatuar, përmirësuar e plotësuar.

Librit i paraprinë përmbatja, ku lexuesi orientohet me lehtësi për atë kapitull apo temë që dëshiron a ka nevojë ta lexojë.

Autori e fillon librin me kapitullin kronologjia e zhvillimit të mendimit mbi shoqërinë -sociologjisë, duke spikatur në mënyrë të kompletuar rrugëtimin e mendimin sociologjik përmes gjurmësh e pikëpamjesh mbi shoqërinë nga Mesopotomia, Egjipti, India, Kina deri në Greqinë Antike, për të vazhduar me periudhën romake, të mesjetës, renesancës, kohës së re dhe mendimit më të ri sociologjik, për të prekur të gjitha rrethanat, ngjarjet e lëvizjet që ndikuan në zhvillimin dhe themelimin e sociologjisë si shkencë.

Për ata që sociologjia nuk është fahu apo profesion a dije e duhur e tyre, sociologjia është shkenca mbi shoqërinë, dhe përbëhet nga dy terma apo fjalë – societas (lat.) = shoqëri, dhe logos (gr.) = shkencë, studim, dije, njohuri. Ka së paku 12 përkufizime apo definicione autorësh të njohur për objektin apo lëndën e studimit të sociologjisë, si Ogyst Kont,Karl Marks, Georg Zimel, Ferdinand Tenisi, Leopold Fon Vize, Maks Veber, Emil Dyrkem, Zhorzh Gyrviç, Talkot Parsons, Rajt Mils, Xhadson Lendis, Ante Fiamengo etj. Autori i librit “Sociologjia”, prof.dr. Sunaj Raimi, ka dhënë këtë përkufizim: “Sociologjia është shkencë që studion shoqërinë në përgjithësi, e sidomos strukturën shoqërore, fenomenet shoqërore, raportet shoqërore, organizimin shoqëror, grupet shoqërore, institucionet shoqërore dhe fuqitë e zhvillimit të shoqërisë”. (Faqe 80-81).

Në këtë libër duket impresionuese mënyra e shfrytëzimit të metodologjisë hulumtuese kërkimore-shkencore, radhitja e saktë dhe aq ndërlidhëse midis kapitujve dhe çështjeve që shtjellohen, pothuaj në mënyrë të një grafike shkallësh një pas një. Libri mbyllet me kaptina interesante dhe aktuale që aq fuqishëm dhe me shpejtësi kanë prekur qenien njerëzore, madje në nivelin global. Devijimet sociale – thyerja e normave të sjelljes dhe mospërfillja e vlerave shoqërore, akulturimi, kundërkultura, çmenduritë apo sjelljet e përçudme të njerëzve që prekin dhe cenojnë etikën njerëzore, prostitucioni, agresionet, vetëvrasjet, kriminaliteti, toksikomanitë, alkoolizmi, narkomania, dezorganizimi.

Mendimi sociologjik që nga kohët e hershme kur vetëdija ende ishte në stadin e magjisë, përfytyrimit e përpëlitjes së formësimit të frymës dhe shpirtit për jetën, për natyrën dhe tjetrin me të cilin këmbente veglat primitive të punës, e deri në kohë të reja, të revolucionit të teknologjisë informative dhe kërkimit të hapësirave të reja kozmike për jetesë dhe mbijetesë, paraqet rrugëtimin sociologjik të prof.dr. Sunaj Raimit. Ai që herët, nga ajo që vërehet në fjalën e tij arsyetuese për formësimin dhe shkrimin e këtij libri kompetent universitar, i ka dhënë vetes një detyrë, obligim dhe mision, siç është moto dhe kredo e secilit studiues e shkencëtar, që të shkruaj e botojë librin mbi shoqërinë, nga ajo e mëhershmja, shumë mitike e mistike, e mbyllur në kasta, e lëvizur në klasa, rende e deri në rreshtimet e stratifikimet apo shkallët grafike të shoqërisë së sotme.

Ndryshimet shoqërore, ndryshimet e sistemeve politike, ndryshimi i mënyrës së të menduarit, qasjet e reja në politikë e politikëbërje, në kulturë, në vlera, e dridhje dhe luhatje tjera që ndodhën, duke kërkuar rishikime e riformatime edhe të mendimit sociologjik, autori i librit i ka hetuar dhe e ka spikatur në librin universitar “Sociologjia” rrugëtimin e mendimit shoqëror, duke nisur me mendimet e para në periudhën e parathemelimit dhe themelimit të sociologjisë, duke udhëtuar nëpër pikëpamjet e para mbi shoqërinë nga shprehja e vjetër latine Ex oriente lux” (Drita vjen në lindje”, nëpër “Epin e Gilgameshit”, e tutje nëpër mendime e pikëpamje socio-morale, doktrinat filozofike, te dijetari kinez Konfuçi (faqe 18-20). Pastaj, ecet nëpër koncepcionet antike mbi shoqërinë, duke nisur me sofistët apo mësuesit endacakë të rrugës, te Sokrati, Platoni e Aristoteli, të cilët edhe lansuan teorinë e kontratës shoqërore, që më vonë do ta hasim te empiristi anglez Tomas Hobsi, si dhe ndarjen e shoqërisë në shtresa dhe klasa e rende, dhe koncepcionin për shtetin te Platoni.

Në trollin e Greqisë Antike i gjejmë edhe termat e sistemeve që atëherë e më vonë gjatë gjithë historisë do të bëhen organizime dhe bartëse të rendit dhe sistemit shoqëror – politik: Demokracia, aristokracia, autokracia, oligarkia etj. Mendimi shoqëror në Romë karakterizohet me ligjin dhe drejtësinë, ndërsa kapërcimi i mendimit sociologjik në mesjetë karakterizohet me filozofinë e fesë, me inkuizicionin, mendimin skolastik, e ndër më të shquarit mendimtar të kohës përmendet Aurelie Augustini, sipas të cilit çdo gjë është e paracaktuar nga Zoti. Gjurmë të pashlyeshme në mendimin sociologjik në këtë periudhë ka lënë dijetari islam nga Tunisi, Ibën Khaldun, i cili në rini kishte mësuar doktrinën filozofike të filozofit të njohur arab Ibën Ruzhdi, të cilin shkenca evropiane e njihte me emrin Averoes. Filozofi francez Rozhe Garodi e ka quajtur Khaldunin “personalitet më përparimtar në gjithë botën mesjetare arabe, rrugën mendore të të cilit e ndoqën edhe Makiaveli, Dekarti e Monteskjeu”. Ai spikati aspektin historik të mendimit sociologjik dhe zhvillimit ciklik shoqëror, duke thënë se “historia e njerëzimit zhvillohet në mënyrë ciklike, me ç’rast çdo rregullim politik zgjat tre gjenerata (afërsisht 100 vjet). Khaldun zhvilloi historicizmin në sociologji. (Faqe 35).

Autori i librit shkencor “Sociologjia” në mënyrë kronologjike pasqyron dhe shtjellon mendimin shoqëror, duke aplikuar metodologjinë e hulumtimit të përshkrimit të ideve, pikëpamjeve, qëndrimeve dhe krahasimit të mendimtarisë shoqërore nëpër periudha dhe faza të zhvillimit shoqëror-ekonomik e politik. Ai në periudhën e renesansës dhe kohën e re një vend meritor i kushton një game mendimtarësh, si Aligieri, Petrarka, Shekspiri, Bruno, Galileu, Dekarti, Bejkën, Da Vinç, Koperniku, Kepleri, Njutoni, dhe posaçërisht Nikola Makiavelit. Makiaveli veçohet për shpjegimet e thella politike për shtetin, pushtetin, sundimtarin, dhe kjo beri që ai të quhet babai i politikologjisë.

Veprimi ku sundon parulla “qëllimi arsyeton mjetin” njihet me emrin makiavelizëm, sepse për arritjen e një qëllimi fisnik, psh., bashkimi i popullit dhe uniteti i shtetit lejon përdorimin e çdo mjeti. Makiaveli në veprën e tij “Sundimtari” apo ndryshe quhet edhe “Princi” mundohet të japë formulën e bashkimit të popullit, konsolidimit të atdheut dhe shpëtimit të shtetit. Këtë shpëtim Makiaveli e sheh në monarkinë absolute, të udhëhequr nga një sundimtar i çeliktë – “gjysmë luan gjysmë dhelpër”, ose edhe me forcë e masa kërcënuese e frike, por edhe me mjeshtërinë e politikës dhe diplomacisë apo të shkopit dhe karrotës (shuplakës dhe joshjes).

Profesor Raimi në kontekstin e një shoqërie të re, të paparë, të pajetuar, një lloj utopie apo projeksioni shoqëror pa telashe, siç ishte në periudhat e kaluara, ka prezantuar edhe idetë dhe pikëpamjet e socialutopistëve të njohur si Tomas Mori (vepra “Utopia”), Tomazo Kampanella (vepra “Qyteti i diellit), pastaj filozofi anglez Frensis Bejkën me veprën “Organoni i ri”, i njohur për metodën induktive apo lëvizjen e veprimit dhe mendimit nga e veçanta e përveçmja kah e përgjithshmja. Bejkën në librin “Atlantida e re”, njëjtë sikur edhe utopistët e lartcekur, paraqet projeksionin e një modeli imagjinar të tij për organizimin ideal të shoqërisë njerëzore. Kjo ide paksa e reformuar për organizimin e shoqërisë do të prezantohet edhe te mendimtarët social-utopistë – Sen Simoni, Sharl Furie dhe Robert Oueni.

Autori i librit “Sociologjia” nuk i ka harruar edhe mendimtarët pasues, që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin mendimit mbi shoqërinë, në fazën e parathemelimit të sociologjisë si shkencë, ndër të cilët veçohen Hobsi, Loku, Volteri e Ruso, të cilët më shumë i takojnë mendimtarisë filozofike, por kontributi i tyre shkon edhe në mendimtarinë sociologjike. Sepse marrëveshja apo kontrata shoqërore, edukata apo arsimimi kanë rol të rëndësishëm në ndërtimin avancues të shoqërisë.

Tomas Hobsi njihet si themelues i teorisë së kontratës shoqërore, që thërret në vetëdijesimin e njerëzimit dhe arritjen e pajtimit të përbashkët. Ai flet për dy gjendje: gjendja natyrore dhe gjendja qytetare. Sipas Hobsit, në gjendjen natyrore sundon e drejta natyrore, që nënkupton lirinë e pakufizuar të njeriut për t’u mbajtur në jetë. Ai thotë se në këtë gjendje shoqërore ku secili lufton për ekzistencë, njeriu për njeriun është ujk (homo homini lupus est), gjë që sjell situatën e rrezikshme bellum omnium contra omnes (lufta e të gjithëve kundër të gjithëve). Prandaj, që të shpëtohet nga kjo rrëmujë qytetarit ia bartin sovranit (qeveritarit) të drejtat e tyre natyrore, që ai si kundërvlerë t’ua garantojë jetën, lirinë, sigurinë, pronën, punën, etj. Themeluesi dhe teoreticienti i socializmit shkencor dhe i teorisë sociale e ka vlerësuar lart angazhimin e Hobsit në inaugurimin e njeriut si krijues të shtetit dhe të ligjeve. Marxi thotë:” Hobsi ishte mendimtar, i cili shtetin e shikontem me sy njerëzor, derisa ligjet si krijime të arsyes njerëzore dhe përvojës së saj”.
Edhe mendimtarë të tjerë dhanë kontributin e tyre sociologjik, Loku, Volteri, por ata që mbajnë epitetin e arkitektëve të mendimit sociologjik konsiderohen Sen Simoni, Konti, Morgani, Marksi, Spenseri, Dyrkemi dhe Veberi, të cilët me të drejtë profesor Sunaj Raimi i ka quajtur shtatë apostujt të sociologjisë.

Edhe pse Ogyst Konti (1798-1857) u mundua ta integronte mendimin mbi shoqërinë në shkencat natyrore dhe e quajti fizikë sociale e më pas “Kursi i filozofisë pozitive” ai konsiderohet themelues i sociologjisë, dhe me 1883 e pagëzoi shkencën mbi shoqërinë – sociologji. Sipas Kontit, fizika sociale (sociologjia) përbëhet nga dy pjesë kryesore: statika sociale dhe dinamika sociale. Konti konsideronte se shoqëria njerëzore gjatë zhvillimit të saj kalon nëpër tri etapa apo faza kryesore:etapa teologjike, metafizike dhe pozitiviste.

Ndërsa, autori ka përmendur studiuesin amerikan, Luis Morgan (1818-1881), i cili përkundër që ishte jurist, tërë jetën ua kushtoi hulumtimeve sociologjike dhe antropologjike. Morgani llogaritet si një nga themeluesit e social-kulturor më të përkushtuar të kohës, sepse vite me radhë kishte studiuar shoqëritë autoktone të Amerikës Veriore, përkatësisht jetën, familjen dhe traditat e indigjenëve amerikanë. Morgani njihet si pionier i teorisë së evolucionit kulturor në sociologji. Fridrih Engels i entuziazmuar nga argumentet e Morganit për familjen, pronën dhe shtetin, të cilat i mblodhi në terren, sepse ishte studiues terreni, shkroi veprën “Origjina e familjes, pronës private dhe e shtetit” (1884).

Mobi Casa

Një rëndësi të jashtëzakonshme për mendimin mbi shoqërinë ka Karl Marksi (1818-1883), i cili për gjenialitetin e tij shkencor është shpallur “personaliteti më i madh i mijëvjeçarit të dytë”. Filozofi francez, themelues i ekzistencializmit, Zhan Pol Sartër, i mahnitur me pikëpamjet humaniste të Marksit, kishte shkruar se “filozofia e Marksit paraqet horizontin mendor të epokës sonë. Mendimtaria dhe veprimtaria teorike – shkencore dhe aktiviteti i tij praktik e kishin tronditur dhe lëkundur botën kapitaliste, që Marksi e quante sistem të padrejtë, shfrytëzues dhe eksploatues, ku njeriu ishte i tjetërsuar dhe pa dinjitet. Ai në një numër të madh veprash që nga “Manifesti i partisë komuniste e deri te “Kapitali” në disa vëllime ka analizuar anën johumane dhe gllabëruese të kapitalizmit, ka analizuar marrëdhëniet në mes të forcave prodhuese dhe marrëdhënive të prodhimit, strukturën e shoqërisë, bazën ekonomike dhe superstrukturën shoqërore, klasën punëtore, proletariatin dhe llumpenproletarin, revolucionin dhe kalimin e klasës punëtore nga klasa në vete në klasë për vete. Në epiqendër të veprimtarisë teorike dhe shkencore të Marksit është njeriu, për të cilin ai thoshte është qenie universale, totale, të përgjithshme dhe kreatore dhe krijuese të të mirave materiale e shpirtërore dhe të mjeteve të punës. Sipas tij, lufta e klasave lëvizë gjithë historinë e njerëzimit, prandaj zhvilloi teorinë e luftës së klasave, materializmin historik dhe dialektik, dhe mbi këtë bazë ndërtoi edhe veprën “Rreth kritikës së ekonomisë politike”. Këtij kampi i ka takuar edhe bashkëveprimtari i tij, Fridrih Engels.

Edhe Dyrkemi e sidomos Veberi janë po aq të rëndësishëm në mendimin sociologjik. Veberi gërsheton në botëkuptimet e tij mbi shoqërinë elemente të shkollave të ndryshme sociologjike, ndërsa thekson se shkencat shoqërore janë empirike, sepse studiojnë realitetin shoqëror që vazhdimisht ndryshon. Veberi e prezanton njeriun një subjekt ku gërshetohen elemente të ndryshme si vetëdija, bindjet, ndjenjat, qëndrimet, vlerat dhe kreativiteti. Shoqëria dhe bashkësia për Veberin nuk janë njësoj, sepse përbëhen nga marrëdhënie të ndryshme – te e para pjesëmarrësit i harmonizojnë interesat e tyre, me qëllim të arritjes së ndonjë qëllimi të përbashkët, ndërsa bashkësia përbëhet nga marrëdhënie të atilla shoqërore, ku pjesëmarrësit kanë bindjen se i përkasin njëri-tjetrit, si pjesë e një tërësie. Sipas Veberit grupet mund të jenë të hapura dhe të mbyllura – ku çdo kush mund të marr pjesë aty (e hapur), kurse te grupi i mbyllur vetëm një pjesë e grupit mund të jenë brenda, e të tjerët mbeten jashtë.

Pastaj, autori i librit “Sociologjia” ka analizuar zhvillimin e mendimin sociologjik në shkollat më të njohura që kanë avancuar botëkuptimin sociologjik – Shkolla e Frankfurtit (1923), ajo e Çikagos, Katedra e sociologjisë në Amerikë, Shoqata e Sociologëve Amerikan (1905) etj.

Në pjesën e dytë të librit, autori shtjellon në mënyrë metodologjike kushtet shoqërore, historike, kulturore, ekonomike, lëvizjet shoqërore që ndikuan dhe mundësuan në themelimin e sociologjisë si shkencë, e cila do marr misionin dhe rolin e një lokomotive shkencore të lokomotivës shoqërore në dinamikë të përhershme.

Autori i librit thekson edhe shfrytëzimin e rezultateve të shkencave natyrore në studimin e shoqërisë, industrializimi dhe modernizimi i shoqërisë, lëvizjet, ngjarjet dhe zhvillimet shoqërore, pastaj përqendrohet në objektin – lëndën e studimit të sociologjisë dhe përkufizimin e objektit lëndor të saj – shoqërisë si strukturë, si themelatë me të gjitha marrëdhëniet, fenomenet, organizimet, grupimet, institucionet dhe fuqinë e zhvillimit të shoqërisë.

Autori i librit “Sociologjia” i ka kushtuar vëmendje edhe shtrimit dhe elaborimit të metodave hulumtuese të sociologjisë, të cilat paraqesin rrugën, ecurinë apo procedurën e përgjithshme të hulumtimit të dukurive dhe proceseve shoqërore. Metodat dhe teknikat e hulumtimit si rrugë dhe shkathtësi hulumtuese janë paraqitur në faqet 82-94.

Në vazhdim janë trajtuar, shtjelluar e zbërthyer në hollësi drejtimet dhe shkollat në sociologji, natyra e njeriut dhe esenca e shoqërisë, koncepti shoqëri dhe struktura e saj, periodizimet e zhvillimit shoqëror dhe formacionet ekonomiko-shoqërore, teoria e evolucionit dhe revolucionit, kultura dhe civilizimi (simbolet, vlerat dhe ritualet), grupet shoqërore parahistorike, populli dhe kombi si grupe globale, familja dhe format e saj, grupet e veçanta shoqërore, format e vetëdijes shoqërore, institucionet, politika dhe shteti, partitë politike, sistemi politik, diferencimi social, klasat, kastat, rendet dhe shtresat shoqërore, stratifikimi social, mobiliteti (lëvizshmëria) sociale, interaksioni (ndërveprimi) social. Kapituj të veçantë që janë shumë prezent në kohën tonë e që janë trajtuar me kompetencë të mirëfilltë janë: socializimi, devijimi dhe dezorganizimi, si dhe lëvizja, zhvillimi dhe ndryshimet në shoqëri.

Libri prek tendencat bashkëkohore të zhvillimit shoqëror, ku disa mendimtarë e quajnë shoqëria pasindustriale (Tureni, Rihten), shoqëri teknokratike (Bzhezhinski, shoqëri e shërbimeve (Dahrendorf dhe Halmos), shoqëri pasekonomike(Kan dhe Viner), shoqëri pasmoderne(Ecion), shoqëri teknologjike (Zhak Eluj), shoqëri informatike (Xhon Nejbit, shoqëri e diturisë (Draker).

Autori duke analizuar këto përcaktime e përkufizime të tendencave të shoqërisë bashkëkohore nxjerr përfundimin se emërtimet e lartcekura flasin për arritjet e njerëzve, synimet e tyre, për preokupimet, por edhe për obsesionet, presionet dhe streset e mëdha. Prandaj, autori i librit “Sociologjia” thotë se pikërisht këtu qëndron arsyeja kryesore që ai në konstatimet e tij për njerëzit e modernitetit, protagonistin e kësaj shoqërie të ndërlikuar e ka quajtur “njeri të kohës së stresit”.

Autori i librit ka përmbledhur një përkufizim shumë të kompletuar në vlerësimin se “tendencë universale e të gjitha shoqërive bashkëkohore nuk është stimulimi i klasës super të lartë, por konsolidimi i klasës së mesme (jakave të bardha), sepse kjo paraqet strumbullarin e stabilitetit shoqëror të përgjithshëm”.

A është paraja ajo që përcakton vlerën dhe pozitën shoqërore të njeriut, ashtu siç thoshte Marksi? Për ta ilustruar jetën plot stres, edhe të atyre që janë miliarderë e milionerë, që kanë pasuri dhe jetë luksoze, më së miri e argumenton thënia e filozofit grek Seneka: “Ata që janë të pasur nuk janë të lumtur, ndërsa ata që janë të lumtur nuk janë të pasur”, citon autori në librin “Sociologjia”, faqe 259. Sipas prof. dr. Sunaj Raimit, në shoqërinë e së nesërmes, vlera e jetës së njerëzve do të matet sipas kohës së lirë të tyre, përkatësisht sipas aftësisë për t’u ndier të lumtur aty. Ai përfundon me konstatimin se përkundër faktit se ligjësitë shoqërore në masën më të madhe janë të njohura për sociologjinë, megjithatë ritmet e jetës së ardhmërisë mbeten sfidat më misterioze për njeriun.

Ndërkaq, a do ta përcaktojë të ardhmen e njeriut, perspektivën e tij nesër, fuqia ekonomike, ushtarake, shpejtësia informative, dimensioni i fuqizuar i dijes mbetet, po ashtu, sfidë e hapur. Ndërkaq, sociologjia mbetet arenë debatesh e diskutimesh, pikëpamjesh e botëkuptimesh, instrument dhe një lloj laboratori shoqëror, pse jo edhe i diagnostifikimit të proceseve shoqërore, për të kontrolluar dhe korrigjuar jo vetëm devijimet, por këshillëdhënëse dhe paralajmëruese e lëvizjeve shoqërore dhe preventivë e së keqes dhe tjetërsimit njerëzor e denigrimit të tij social dhe shkeljes së dinjitetit njerëzor.

Në fjalën e tij për librin, prof.dr. Sunaj Raimi, ka shkruar se “do të isha i lumtur nëse ky libër i imi arrin ta plotësojë së paku një zbrazëti të hapësirës së quajtur literaturë sociologjike shqiptare”.

Në të vërtet, libri “Sociologjia” në tërësi dhe në plotëni ka përmbushur kriteret e një libri shkencor dedikuar studentëve, por mund të shërbejë edhe për mësimdhënës të sociologjisë në shkollat e mesme, pse jo edhe për qytetarë të tjerë.

Libri ka dalë shumë i realizueshëm për mënyrën e mbarështrimit të përmbajtjes, ndarjes në kapituj, në tërësi, në njësi dhe nënnjësi, me ndërtim strukturor dhe përmbajtësor, kronologjik, historik dhe metodologjik, që nga fillet e mendimit parahistorik e deri te epoka bashkëkohore, e quajtur edhe kohë postmoderne. Autori ka shfrytëzuar literaturë të bollshme, që e bën edhe më të fuqishme tematikën e trajtuar në librin “Sociologjia”.

Libri universitar “Sociologjia”, e prof.dr. Sunaj Raimit, është botuar nga Universiteti Shtetëror i Tetovës (UTSH), me 2009, dhe ka 268 faqe./rajonipress/