ARKATANA

Mehmet Kurteshi – ishte njeri zemërgjerë e arsimdashës i flaktë i arsimit shqip

/ 10 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Sa herë kam dashur të shkruaj për ndonjë figurë të shquar të arsimit shqip, më shkonte mendja të shkruaj edhe për profesorin e nderuar, Mehmet Kurteshin, i cili e meriton një shënim se është një personalitet i rrallë i jetës arsimore. Ai e meriton të shkruhet për te. Dhe, nuk është thënë rastësisht fjala se, njerëzit e mirë, asnjëherë nuk do të duhej t’i harrojmë. Kjo është fakt. Fakt është edhe e dhëna se, Mehmet Kurteshi, tash i ndjerë, punoi në shumë qendra shkollore dhe, fakti tjetër është se, ai qe i vetmi profesor i diplomuar për lëndën e daktilografisë në Kosovë.

Prandaj, për këtë njeri e personalitet të rrallë të arsimit shqip, nuk do të duhej asnjëherë ta ndalim lapsin që të shkruajmë me pietet. Pra, përkundrazi, profesori Mehmet do të duhej të përkujtohet e të nderohet përherë dhe pa u ndalur. Nuk do të harrohet dhe, sa herë është ndonjë përvjetor i tij (tyre), do të duhej t’i përkujtojmë. Pse jo? Duke i përkujtuar ata, e nderojmë vetën, por i nderojmë edhe familjet e tyre. Ata, në jetë, na kanë lënë vepra të mira. Vepra të mira ka lënë edhe profesori im, Mehmet Kurteshi, tash i ndjerë.

Ky ishte njeri me plot kuptimin e fjalës. Qe edukator dhe atdhetar i denjë i kohës. Ai e deshi punën me ditar në dorë. Por, qe njeri që secilin e respektonte ku punoi e veproi. Ishte fjalë ëmbël, punëtor i madh, por ishte edhe guximtar dhe njohës i mirë i rrethanave të asaj kohe. Baca Mehmet, kështu e kam quajtur, nuk dinte të frikësohej. Shpeshherë, nëpër tubime e organizime të ndryshme të jetës shkollore, ai e ngritte zërin kundër padrejtësive që bëheshin ndaj popullatës shqiptare.

Ta kënda t’i dëgjosh ato “fjalime” e tij, që ishin plot pjesë të historisë sonë. Baca Mehmet (Kurteshi), me këto fjalime oratorike e “trazonte” shpirtin e gjithë shqiptarëve. Thoshte, “po vdes pa e parë Kosovën e lirë. Nuk duhet ky popull të pajtohet me këtë gjendje që është. Shihni, sa na kanë shtypur dhe na kanë varfëruar ky okupator. Këta janë njerëz “qafira”, të cilët zoti do t’i dënojë për jetë”. Kështu thoshte baca Mehmet, profesori im, i cili, kur më shoqëronte rrugës, ai zbrazej nga kjo e keqe që e shihte se e kishte kapluar krejt popullin tonë.

Ky personalitet i shquar i një kohe, tash e katër vjet na mungon. Na mungon, por jo përzemërsisht. Ai jeton me ne. Jeton dhe vepra e tij është e pavdekshme. Autori i këtij shënimi e ka pasur profesor në shkollimi i mesëm gjatë viteve 1967/68-të e pak më vonë. Atë kohë vijonim mësimet e rregullat në Shkollën e Mesme “Dragi Popoviq” në Gjilan. Ishte kjo shkollë e hershme e arsimit të mesëm. Këtu na jepnin mësim Hajredin Behxheti, (i ndjerë), Muzafer Gjinolli, Sabit Jakupi, Mehmet Kurteshi, i ndjerë, Izet Surdulli, (tash i ndjerë), Kurtesh Ahmeti, (i ndjerë), Adem Pajaziti e disa të tjerë.

Gjer në vitin e tretë, gati të gjithë profesorët kanë qenë serbë. Profesorët shqiptarë njiheshin në gishta. Tek në vitin e tretë dhe katërt, na erdhën disa profesorë shqiptarë. Pra, ishte kohë ku mungonte kuadri mësimor shqiptar jo vetën në shkollën ekonomike, por në gjimnaz e në ish- Shkollën Normale “Skënderbeu” në Gjilan. Profesori Mehmet Kuteshi na jepte lëndën e Daktilografisë. E doja këtë lëndë, për faktin se, qysh nga shkollimi fillor, fillova të bashkëpunoj me gazetën “Rilindja për fëmijë”, “Pionieri” etj.

Atë kohë, unë isha nxënës i dalluar i lëndës së daktilografisë. I doja shkronjat, por e doja edhe mësimin e shkrimit pa i vërejtur shkronjat mbi tastaturë. Sa herë bënim ushtrime nga kjo lëndë, unë e kisha përparësinë. Shkruaja pa gabime. Edhe profesori im, Mehmet, tash i ndjerë, më donte. Asnjëherë nuk guxoja të shkruaj ndonjë shkrim pa lejen e profesorit. Ai ishte i rreptë i kësaj lënde. Na udhëzonte dhe na preferonte të shkruajmë tekste nga libri pa e vërejtur fare makinën e shtypit. Ky ishte qëndrimi i tij i “rreptë” ndaj lëndës. Me këto “qëndrime”, profesori Mehmet shkëlqente dhe dallohej në punë dhe, punën e bënte punë.

Por, kur kisha të shkruaj ndonjë poezi apo shkrim, e pyesja profesorin në fjalë dhe ai më lejonte. Ai ishte një pedagog i madh i shkollës shqipe. Kur ndonjë rast më binte të bisedoj me te, ai nxirrte ofshamën dhe reagonte. E ngritte zërin kryengritës ndaj politikës urrejtëse serbe, e cila, atë kohë, bënte vepra diskriminuese ndaj popullit shqiptar. “Oh, thoshte baca Mehmet, – këta janë qafira njerëz. Janë të shovinista… Nuk duhet asnjëherë t’u besojmë.” Kjo bisedë është zhvilluar në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, në Gjilan, kur filloi faza e dytë e mësimit orientues.

UBT

Mehmet Kurteshi është i lindur në Gjilan, më 1928. Mësimet fillore i ka kryer në gjuhë serbokroate, por nuk i ka përfunduar. Në gjysmëvjetorin e dytë të vitit 1945, pasi lirohet i ri 17-vjeçar nga Brigada III Kosovare, në bazë të dy dëshmitarëve, ai regjistrohet në Gjimnazin e Prishtinës. Në atë kohë drejtor ishte Idriz Ajeti, kurse zëvendës i tij Gjon Sereçi. Baca Mehmet pati një rrugë të vështirë të shkollimit. E përcillnin të “tjerët” hap pas hapi. Punoi si mësues në fshatin Desivojcë të Kamenicës, gjatë vitit shkollor 1951-52. Në vitin vijues, transferohet në Progjimnazin e Hogoshtit. Pa shkëputje nga puna, ai diplomoi në Normalen e Gjakovës, më 1954-55.

Si i diplomuar, emërtohet arsimtar i gjimnazit të ulët në Gjilan, tash Shkolla fillore “Thimi Mitko” të këtij qyteti (Gjilanit). Në këtë shkollë, drejtor i asaj kohe ishte Nevruz Nura. Në vitin 1961, Mehmet Kurteshi, profesor i ndjerë, e kreu me sukses edhe shkollën e lartë për përgatitjen e kuadrave administrative-financiare në Beograd dhe fiton titullin e arsimtarit profesional i byroteknikës, stenografisë dhe korrespondencës. Ishte i pari profesionist i kësaj lënde në Kosovë. Si profil i rrallë dhe shumë i kërkuar në atë kohë, menjëherë emërohet arsimtar i shkollës së Mesme Ekonomike në Gjilan.

Por, baca Mehmet ishte i zëshëm dhe kurrë nuk u pajtua me padrejtësitë e sistemit serbomadh. Më 1987 ai diferencohet dhe përjashtohet nga procesi mësimor me arsyetim se “ai që nuk është në gjendje që as birin e vet ta edukojë në frymën e patriotizmit socialist jugosllav, ai nuk mund t’i edukojë as fëmijët e tjerë”. Fjala ishte se, i biri i tij, Sami Kurteshi, tash avokat, qe dënuar me 9 vjet burg si nacionalist. Në këtë kohë ai punoi në gjimnazin “Zenel Hajdini” duke dhënë mësim tek paralelet ekonomike me mësim orientues lëndën Byroteknikës. Jo vetëm kaq.

Nuk ka punëtor të arsimit në Gjilan e më gjerë që nuk e njeh këtë personalitet të kohës. E njohin, për faktin se ishte profesor me dinjitet të lartë njerëzor. Mandej, punoi shumë vite me ditar në dorë. Gëzoi autoritet të madh në mesin e arsimdashësve. Sa herë mbahej Takimet me veteranët e arsimit, baca Mehmet Kurteshi ishte në ballë të kësaj armate të dijes. Edhe Ilaz Jashari, mësues në pension, mbi 82-vjeçar, shton se, familja e Mehmet Kurteshit ka qenë në zë. “Kudo që është kjo familje, është e pastër si loti dhe shumë atdhetare. Baca Mehmet u printe mësuesve shqiptarë me vullnetin e madh që posedonte. Unë, shtoi I. Jashari, – kisha dëshirë të jem gjithnjë afër tij. Nga ai kam mësuar jo vetëm për jetën arsimore, por edhe për vetitë e njeriut tonë. Ishte personalitet me nam. I pati hije e puna kudo që u gjend. Askush nuk mundi ta ndalë nga “vija” e tij atdhetare. Ishte i tëri atdhetar dhe arsimdashës i flaktë i arsimit. Por, ja vdekja, ajo i merr njerëzit para kohe. E mori edhe bacën Mehmet, i cili nuk do të duhej të vdiste. Dhe, ai jeton i “gjallë” në shpirtin tonë”. Vdiq më 2012 në moshën 84 vjeçare. Tash e 4 vjet më parë. Dhe, jo vetëm kjo.

Ai qe njeri zemërgjerë. Në një rast, kur revista arsimore, pedagogjike e shoqërore “Shkëndija” pati një përvjetor, redaktori i saj, Sulejman Dërmaku, nga Prishtina, autorin e këtyre radhëve e obligoi ta shkruajë një shkrim për ndonjë shkollë të hershme në komunën e Gjilanit. Pa një pa dy, për këtë shkrim, ai e preferoi “personazhin” e shënimit të jetë, profesori, Mehmet Kurteshi. Ai ishte ndër punëtorët e hershëm të arsimit në këtë anë të Anamoravës. Mandej, i dinte rrethanat e kësaj fushe të dijes. Ato ditë u gjenda në shtëpinë e bacës Mehmet, tash i ndjerë.

Ishte viti 2003. Ai (Mehmet Kurteshi), ishte gjallë. Si trokita në derë, më ofruan të hyja brenda. Ato ditë, Baca Mehmet kishte pasur pak dhembje. Kur më pa, u zgjua në këmbë e tha këto fjalë: “O mirë se na vjen Teki. Ti sot më gëzove. Zoti të paska orientuar tek unë për ë mirë”. Nga ky moment, ai nuk e ndjeu vehtën se është i sëmurë. Por, edhe kur dëgjoi se isha i porositur të zhvilloj një bisedë me te, atij iu bë zemra mal. Zhvilluam bisedë dy orë të tëra pa u ndalë. Më falenderoi shumë.

Kur desha të dali e të vazhdoj rrugën, ai u qu në këmbë, e tha: “O, Teki. kurrë s’ke mu qu pa ngrënë bukë te unë. Nuk ka forcë që del nga shtëpia ime pa ngrënë bukë. U dasht ta dëgjoj. Aty ishte shoqja e tij dhe na solli bukë e kripë e zemër, si thotë populli. Ngrëna bukë dhe kur u ndava, ai lotoi dhe shtoi këto fjalë: “O zoti të ruajtë! Sot mi ke lehtësuar dhimbjet. Të punoftë shëndeti! Të lumtë, o ish nxënës im!” Edhe unë u ndava, por kurrë nuk e harroj ndarjen prej tij, i cili, edhe pse pati dhembje, ai nuk me lëshoi pa ngrënë bukë në shtëpinë e tij.

Unë e bëra shkrimin dhe e botova një faqe në revistën “Shkëndija”, të cilin shkrim e kishte lexuar profesori Mehmet dhe fort e kishte pëlqyer. E pata titulluar “Shkolla me traditë të pasur”. Ishte krejt fjala e tij e qitur në letër për shkollat e hershme në komunën e Gjilanit. Pra, ky ishte baca Mehmet Kurteshi, profesori im, ai i cili, edhe në moment dhimbjeje, nuk me lëshoi pa ngrënë bukën e tij. Ishte e mbeti njeri zemërgjerë dhe arsimdashës i flaktë i arsimit shqip./ tefik selimi/rajonipress/