Me këtë rritje ekonomike, mund të mbijetojmë
Ekspertët shpjegojnë se përafërsisht 2 për qind të zhvillimit ekonomik absorbon apo zvogëlon shkallën e papunësisë prej 1 për qind. Ne, në këto momente në Kosovë, 4 për qind zvogëlojmë shkallën e papunësisë në 2 për qind, që është përafërsisht norma e shtimit të popullsisë në Kosovë, ndërsa rreth 40 për qind është niveli rekord i papunësisë.
Pa rritje dyshifrore nuk zbutet papunësia dhe varfëria ekstreme.
Ekspertët shpjegojnë se përafërsisht 2 për qind të zhvillimit ekonomik absorbon apo zvogëlon shkallën e papunësisë prej 1 për qind. Ne, në këto momente në Kosovë, 4 për qind zvogëlojmë shkallën e papunësisë në 2 për qind, që është përafërsisht norma e shtimit të popullsisë në Kosovë, ndërsa rreth 40 për qind është niveli rekord i papunësisë,raporton Gazeta Kosova Sot
Zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i gjendjes sociale të qytetarëve të vendit mbetet ende njëra nga sfidat më të mëdha për të gjitha institucionet e Kosovës, e në rend të parë edhe për Qeverinë “Mustafa”. Por, që të arrihet ky zhvillim ekonomik varet shumë edhe nga sektori privat. Analistët thonë se e kemi këtë gjendje, sepse gjatë muajve të fundit, falë situatës politike të brishtë, është ngadalësuar zhvillimi ekonomik, ngase gati askush nuk po investon në Kosovë. Analistët e ekonomisë shtrojnë dilemën se deri kur do të tolerohet qeverisja e tillë, që vlerësohet se është pa ide dhe pa vullnet e përkushtim për zhvillimin e vendit.
Vlerësohet se me veprimet e Qeverisë janë pa plane dhe në baza ditore e me veprime, ” ad- hock” e pa ndonjë strategji zhvillimore. Disa nga faktorët, të cilët kanë ndikuar që ekonomia e Kosovës të jetë në nivel të ulët të zhvillimit, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, është edhe trashëgimia e një ekonomie të shkatërruar pas luftës dhe mungesa e investimeve në sektorët ku sigurohet punësim. Për të dalë nga kjo gjendje, thonë ata, Kosovës i duhet hartimi i një strategjie të mirëfilltë me vizione të qarta. Pas luftës së fundit, 17 vjet më parë, Kosova trashëgoi një ekonomi të dëmtuar. Problemet ekonomike në Kosovë ishin si pasojë e shumë faktorëve, pasi Kosova ka qenë vendi më i pazhvilluar në ish-Jugosllavi, pastaj dëmet e shumta gjatë luftës së vitit 1999, mungesa e kapaciteteve, si në aspektin infrastrukturor ashtu edhe njerëzor, mungesa e politikave për të adresuar çështjet sociale, etj.
Sektori privat u la pas dore Lideri Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, konsideron se e kemi këtë gjendje, ngase sektori privat në Kosovë duhet vërtet të jetë promotor i zhvillimit ekonomik, e jo vetëm të cilësohet se duhet të jetë i tillë.
Ai thotë se problemet, me të cilat ballafaqohet ky sektor, dëshmohen me faktin se paga mesatare është më e ulët në këtë fushë sesa në sektorin publik, përderisa në shtetet e zhvilluara, sipas tij, ndodh e kundërta. Sipas Shahinit, autoritetet qeveritare kanë bërë që edhe rritja ekonomike dhe investimet të ndodhin në sektorin publik duke anashkaluar sektorin privat.
Në të gjitha vendet e zhvilluara, sektori privat është një ndër sektorët më të rëndësishëm dhe më të interesuarit janë që të futen në sektorin privat për punësim. “Do të thotë, fluksi më i madh është nga sektori publik, duke ecur në sektorin privat. Këtu te ne është e kundërta, nga sektori privat tentojnë të futen në sektorin publik. Kjo ndodh për arsye se në sektorin publik, punëkërkuesit janë të interesuar të kenë një vend pune të sigurt. Do të thotë kjo tregon se sektori privat në Kosovë ka sfida”, thotë Shahini. Sipas tij, ekzekutivi i vendit duhet të përgatisë një strategji, e cila fokusohet te sektori privat. “Për këtë duhet një strategji. Strategjia për zhvillim ekonomik të Kosovës duhet të fokusohet në sektorin privat”, konsideron Shahini.
Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se drejtuesit e Qeverisë, vazhdimisht kanë potencuar përpjekjet për mbështetjen e sektorit privat në vend dhe vazhdimisht e kanë cilësuar këtë sektor si promotor të zhvillimit ekonomik.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Selatin Kaçaniku (Konsumatori), thotë se investimet kryesisht në infrastrukturë rrugore dhe pak në zhvillimin e ekonomisë reale dhe në rritje të shëndetshme ekonomike, kanë bërë që Kosova të jetë në këtë gjendje ekonomike. Sipas tij, duhet të investohet më tepër në sektorin e bujqësisë apo agrobiznesit.
Ambienti biznesor u përkeqësua Ndërkaq, Muhamet Sadiku, profesor universitar dhe ekspert për çështje ekonomike, thotë se e kemi këtë gjendje ku jemi, ngase autoritetet kompetente, pas vitit 1999, kanë shpresuar se sektori privat do të fuqi-zohet dhe do të kontribuojë në rritjen e numrit të të punësuarve.
Por, sipas Sadikut, zhvillimet e deritashme kanë treguar se sektori privat nuk ka përjetuar zhvillim të tillë dhe as që ka pasur ndonjë ndikim pozitiv në jetën ekonomike dhe sociale në Kosovë. “Sigurisht që ka arsye të mëdha, që sektori privat është në nivel të tillë të zhvillimit. Së pari kanë munguar efektet e privatizimit. Dihet se privatizimi në Kosovë është realizuar në rrethana tejet të vështira”, u shpreh ai.”Pastaj, kemi vështirësi të mëdha në funksionimin e ndërmarrjeve ekzistuese private. Kemi një sistem me kosto të lartë të financimit, kredia në Kosovë është me kosto të lartë dhe kjo është pengesë e madhe për forcimin e aftë- sisë konkurruese të ndërmarrjeve private”, vlerëson Sadiku.
Eksperti Sadiku konsideron se hartimi i një strategjie për zhvillim ekonomik do të ndikonte në krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm biznesor, që forcon sektorin privat, krijon hapësirë për hapjen e ndërmarrjeve të reja, kurse fuqizon ato ekzistueset. “Sigurisht, që fati i zhvillimit ekonomik të Kosovës, në periudhën e ardhshme, varet nga fuqizimi i sektorit privat. Është koha e fundit që të gjitha energjitë edhe politike, profesionale dhe shkencore të orientohen në formulimin e një strategjie të qartë, me qëllim që ky sektor të fuqizohet”, u shpreh më tej Sadiku./kosova sot/


