RCCOLA

Mbyllja e pavarësisë

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Avni Zogiani- Një pavarësi që shpallet dhjetë herë, nuk ka funksionuar asnjëherë.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) në një raport që botoi ditën e “përfundimit të mbikëqyrjes” përsëriti një fakt që e kemi thënë dhe analizuar për një kohë të gjatë: Pakoja e Ahtisaarit lejon praninë e Serbisë në Kosovë, porse kjo duhet të bëhet në mënyrë bashkëpunuese dhe transparente. Më konkretisht, kjo Pako lejon që komunat serbe të kenë një trupë koordinuese e cila do të ketë të drejtën të subordinohet direkt me Beogradin, gjë që siguron një lloj sovraniteti të dyfishtë ndaj një pjese të territorit të Kosovës.

Pra, Pakoja e Ahtisaarit edhe si e tillë e bën Kosovën të hapur ndaj ndërhyrjes së Serbisë, kurse duket se negociatat dhe marrëveshjet që mund të nënshkruhen në tetor nga kryeministri i Kosovës do të lejojnë që kjo të ndodhë pa koordinim me Prishtinën dhe me disa aspekte shtesë të zgjerimit të kompetencave për një territor që tashmë nga BE është propozuar të quhet “Veriu i Kosovës”. Kjo praktikisht do të thotë se në tetor do të hapet dera e krijimit të një hapësire të veçantë ligjore në këtë pjesë të territorit, ngjashëm me Planin Gjashtëpikësh të Ban Ki Moon, i cili është njëkohësisht edhe tezë diplomimi në MA e ish-ministrit të Serbisë për Kosovën, Bogdanoviqit, plan të cilin ai e pati quajtur “ndarje funksionale e Kosovës”.

Ditën e hënë, pra më 10 shtator, politikanë ndërkombëtarë e vendorë më kot provuan të krijojnë një entuziazëm në mesin e qytetarëve kosovarë duke i ftuar ata të festojnë për “mbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë”. Është e vështirë t’ua hedhësh më tutje kosovarëve foren e njëjtë, shpalljen e sërishme të pavarësisë thjesht sepse e kanë hëngër disa herë deri tani që prej 2 korrikut të famshëm e deri më 10 shtator. Kjo ditë u quajt e madhe vetëm nga ata që kanë sponsorizuar Pakon e Ahtisaarit, dhe nga RTK-ja.

Të tjerët e observuan pa ndonjë entuziazëm madje unë dëgjova edhe qytetarë që shprehnin frikën nga kjo sepse thoshin “e si po mendojnë këta vetë kur nuk kanë asnjë përgatitje për ta mbrojtur vendin”. Natyrisht në mungesë të informimit të drejtë kishte shumë qytetarë që e kishin keqkuptuar këtë ndodhi dhe kujtonin se “mbyllja e mbikëqyrjes” së pavarësisë nënkuptonte pavarësimin e Kosovës, duke përfshirë këtu bartjen e të gjitha kompetencave tek autoritetet kosovare. Atyre nuk iu ishte thënë thjesht se po mbyllet vetëm një zyrë, e cila ishte e vetmja zyrë ndërkombëtare e pranishme në Kosovë që pranonte pavarësinë e Kosovës.

Uji Dea

Po çka ndodhi më 10 shtator? Peter Feith ngeli pa punë dhe i duhet të kthehet në një kohë krize për të kërkuar një angazhim të ri, i cili tani kur shteti i tij Holanda po përballohet me “osterity plan” sigurisht se nuk do të jetë me aq privilegje sa ishte në Kosovë. Kosova nuk do të jetë më e pavarur pas mbylljes së ICO-së. Nuk mbahet mend që ICO të ketë ndërmarrë diçka të rëndësishme në kuadër të kompetencave që ka pasur. Ndërhyrjet në vendimmarrjen në Kosovë kanë qenë kryesisht joformale. Të gjithë e dinë se ndërhyrjet nuk kanë ardhur nëpërmjet ICO-së, ashtu siç ka qenë e kodifikuar, por ambasadorët e Quintit kanë ushtruar ndikimin e tyre direkt, sidomos nëpërmjet takimeve ndërkohë që seancat e Parlamentit zhvilloheshin.

Një ndikim i tillë është ekspozuar në votimet më të rëndësishme, që nga vota për Ligjin për institucionet mikro-financiare, që ndihmoi shpëlarjen e qindra milionë eurove të këtyre OJQ-ve të themeluara kryesisht nga ndërkombëtarë, e deri tek votimi i presidentit jokushtetues, Behgjet Pacolli, të gjitha kanë ndodhur nën veprimin direkt të ambasadorëve ose zv. ambasadorëve. Kurse në fushën e ekonomisë ata thjesht kanë pasur kompanitë “konsulente” që kanë angazhuar vetë për ta qeverisur pronën publike.

Pra, ICO nuk ishte asnjëherë një mbikëqyrës i pavarësisë, kurse mbyllja e kësaj zyre nuk do të thotë mbyllje e sub-ordinimit ndaj arrogancës diplomatike. Mirëpo, është një argument tjetër rreth “mbylljes së mbikëqyrjes” që nuk po nxirret fare në debatet me opinionistët e ligësht të RTK-së e të politikës. Pavarësia e Kosovës është shpallur bazuar në Pakon e Ahtisaarit, kurse ICO ishte mbikëqyrësi i implementimit të kësaj pakoje. Kosova më 10 shtator nuk mori një raport të plotë që do të thoshte se është bërë implementimi i kësaj Pakoje. Pra ICO po mbyllet pa implementimin e dokumentit bazë të pavarësisë, që do të thotë mbyllet pa realizimin e kësaj të fundit. Të gjithë ndërkombëtarët që vizituan Kosovën kësaj dite, dhe sidomos amerikani Reeker e kanë theksuar se në të vërtetë për Kosovën tani fillojnë sfidat.

Është paralajmëruar tanimë një dialog i nivelit të lartë Serbi-Kosovë për veriun. Entuziazmi që u provua të shkaktohet me thirrjen “festoni ‘mbylljen e mbikëqyrjes’” kishte para së gjithash për qëllim ndërtimin e një besimi se pavarësia po sendërtohet. Ky entuziazëm që për hir të së vërtetës mungoi në mesin e qytetarëve, kishte për qëllim krijimin e një opinioni të përshtatshëm për kompromiset që do të ndodhin në tetor, të cilat ultimativisht do të prodhojnë një autonomi për, tashmë, të ashtuquajturin “Veriu i Kosovës”. Implikimet e një marrëveshjeje për këtë pjesë do të jenë të shumta, por rezultati kryesor do të jetë ndarja funksionale e Kosovës në dy hapësira ligjore. Emri autonomi nuk do të përdoret, por përmbajtja e tillë do të jetë. Në fund thjesht Kosova do të jetë me një gur tjetër në qafë, që do të thotë se do të përballohet me një mbikëqyrje tjetër për realizimin e një derivativi të Pakos së Ahtisaarit.