Mobi Casa

Mbrëmjet në Beograd me Bekim Fehmiun

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Ema Andrea, në një rrëfim mbi aktorin e madh, Bekim Fehmiu. Takimet me të në Beograd… Bisedat për teatrin, Kosovën dhe Shqipërinë.

Ajo tërhoqi derën e kafenesë pranë teatrit “Jogoslovenskij” në Beograd e mbushur me një ndjesi ankthi. Asnjëherë pasditja nuk i ishte dukur aq e gjatë. Qëkur Rada Duric i tha se në mbrëmje do të takohej me Bekim Fehmiun, pothuajse në mendjen e saj orvatej e njëjta gjë, pikërisht ky moment kur të tërhiqte derën e këtij bari të njohur artistësh dhe të shihte atë… La orën e dancit që kishte atë ditë në program dhe rrugëve të Beogradit të mbuluar nga era e janarit, ajo solli në mendje gjithçka që kishte mësuar për të, qysh vite më parë kur ishte rrëmbyer e tëra nga ëndrra për teatrin.

Bekim Fehmiu kishte qenë për të një idhull, që ashtu si të gjithë idhujt i sheh nga larg dhe mendon se nuk mund t’i takosh asnjëherë, pasi ndonjëherë takimi me ta mund ta shuajë magjinë që kanë për së largu. Por me Bekim Fehmiun ndodhi ndryshe… Ajo e shqoi nga larg portretin e tij të lartë, ulur bashkë me një grua me flokët e verdhë në një tryezë bri dritares që po e priste. Kur ai i shtrëngoi dorën, ajo ndjeu se gjithë fuqia e tij i përshkroi trupin. Si në teatër, e gjithë distanca që ajo mendonte se do të kishte mes tyre, sikur nuk kishte ekzistuar kurrë dhe burri portretin e të cilit ajo e kishte parë në qindra role në ekran, u shndërrua në një njeri që ajo mendonte se e kishte njohur gjithë jetën. Bisedat dukej se nuk kishin fund.

Aktori i njohur kërkonte të dinte gjithçka nga aktorja e re e talentuar që vinte nga Shqipëria. Dhe kafeja që kishin porositur pak orë më vonë do të shndërrohej në ushqim për të shoqëruar mbrëmjen. Ditët e tjera të Ema Andrea në Beograd nuk do të ishin më të njëjta. Pas përfundimit të programit në work-shopin ku ndodhej, ajo do të shkonte në kafenenë ku e prisnin ata, aktori i njohur, Bekim Fehmiu, dhe e shoqja Branka Petriq, dhe ajo aktore. Sot, Ema i kujton si në një ëndërr ato ditë, ku ikona e teatrit dhe kinematografisë shqiptare ishte aq pranë saj.

Një mbrëmje ajo vallëzoi me të. Dhe ky është vallëzimi më i bukur i jetës së saj. Bekim Fehmiu ka qenë i pasionuar pas kërcimit, sidomos pas tangos. Në çdo sukses apo gëzim të tij atij i pëlqente të vallëzonte. Në një intervistë të dhënë pas vdekjes së tij, e shoqja Branka ka treguar se ai ka pasur dhe oferta të shkonte të jepte mësim në një shkollë kërcimi në Argjentinë, për ta lënë aktrimin. Ema e ruan të shenjtë atë vallëzim, si një dhuratë jo të zakonshme që iu dha asaj, ndoshta për t’iu përgjigjur gjithë dëshirës së saj të madhe për teatrin. Aktorja Ema Andrea ndan me lexuesin e “Shqip” disa ditë jo të zakonshme të jetës së saj, të cilat gjithë këto kohë i ka ruajtur thellë në kujtesë si kujtimet më të çmuara.

Si e kujtoni takimin me Bekim Fehmiun?

Ka qenë janar dhe unë isha në Beograd për një work-shop. Nuk kishte shumë kohë që unë kisha qenë pjesë e Bittef, festival me një paraqitje shumë të suksesshme e ndaj kisha njohje në rrethet teatrore dhe …nuk e di se si… por më vonë mund ta shpjegoj si një thirrje natyrore… unë pyeta se mos dikush e njihte Bekim Fehmiun, pasi do të doja të bëja një foto me të, e kështu Rada Duricin më thotë që ishte mikeshë me Brankën e me Bekimin e mund të më rregullonte një takim me ta. Nuk shpresoja që do të pranonte, por e falënderova për premtimin. Ka qenë e pabesueshme kur të nesërmen Rada më tha se atë pasdite në kafenenë e teatrit “Jugoslovenskij” do të më priste Bekimi me Brankën, dikur rreth orës së drekës.

Nuk shkova të ndiqja klasën e dancit e mezi prita të vinte ora… Më kujtohet që hyra në kafenenë paksa të errët me frikën që nuk do ta shquaja dot, dhe me sigurinë që pas 5 minutash do të isha jashtë asaj kafeneje, prej emocionit apo sepse nuk mendoja se Bekimi do të rrinte më shumë se 5 minuta me mua.

Pyes kamerierin dhe ndërkohë që ai përgjigjej unë e shquaja pikërisht atë, në një tavolinë pranë dritares, që siç mora vesh më vonë ishte tavolina e përhershme e tij! Ai ish ngritur pak, më përshëndeti… duket e kishte kuptuar se isha unë ajo që e kërkoja. Nuk e mbaj mend sa ishte distanca deri kur mbërrita pranë tij dhe shtrëngova dorën e tij të madhe… mu duk sikur u zhyta e gjitha brenda asaj dore. Pastaj takova Brankën… e pastaj u ula. Unë nuk arrita dot të flas, por ai më bënte pyetje pas pyetjesh, midis jetës sime dhe profesionit, midis Tiranës dhe madje edhe për festivalin e Bitefit! Pimë kafe, e pastaj Branka në një moment largohet për t’u kthyer shumë shpejt me dhurata për vajzën time. Ç’të të them, pastaj ai filloi të ngucej me tavolinën tjetër, porositëm ushqim e ndenjëm derisa erdhi mbrëmja! …Nuk kam fjetur atë natë. Nuk mund ta besoja që kisha njohur një njeri të tillë. Të madh! Në të gjitha kuptimet! Që prej asaj nate deri në fund të work-shopit çdo mbrëmje ishim gjithmonë tre, duke parë shfaqje e pastaj duke ndenjur bashkë… e kudo që shkonim më prezantonte gjithë krenari si Ema nga Shqipëria.

E kur fliste të magjepste, jo vetëm mua, por këdo që vinte e ulej pranë nesh! Vinin aktorë të rinj, të cilët e pyesnin për krijimtarinë e tyre, shkrimtarë, aktorë të tjerë e shumë të njohur në Beograd e më tutje.

Mund të na thoni diçka mbi bisedat që shoqëronin tavolinën tuaj?

Eco Higjiena

Bekimi fliste gjithmonë për filmin, për jetën e tij, për Kosovën, për historinë e Shqipërisë… Ishte i informuar për çdo gjë, politike apo artistike që ndodhte në Shqipëri e dëshironte pafund të luante në gjuhën shqipe. Recitonte autorë të mëdhenj në disa gjuhë. Ruaj të shenjtë vallëzimin me të në një mbrëmje, kujdesin e tij e të Brankës për mua, ruaj shumë fort mistikën që më rrethonte kur e takoja… dukej sikur ky njeri të merrte në një dimension tjetër jotokësor. Ruaj nr. 13 (nuk e shpjegoj dot) dhe sërish pëllëmbën e tij kur u ndamë, përqafimin e tij të madh, sytë e tij që nuk më lejuan të qaja, sikur më thoshin “do të shihemi sërish”.

Më ka dhënë kurajë takimi me të, më ka dhënë vetëbesim… I madhi Bekim mund vetëm të jepte, të dhuronte me fisnikërinë e tij, me fjalët e me heshtjet e tija.

A ishte Bekim Fehmiu, ai që kishit menduar… Duke pasur parasysh faktin që ai ka qenë gjithnjë një aktor i adhuruar nga të rinjtë që përqafojnë teatrin?

Bekimi ishte më shumë se ç’e kisha menduar, ishte në kufijtë e të pabesueshmes për dimensionin që kishte! E ndoshta ndaj ishte ishull dhe oqean në të njëjtën kohë!!

Nëse shohim jetën e tij, a pati Bekim Fehmiu jetën dhe vdekjen e një artisti, të ngjashëm me rolet e tij?

Bekimi gjithë jetën e tij ka marrë vendime të forta, ka vendosur vetë për fatin e tij e ndaj edhe fundin e tij nuk kishte se si të mos e zgjidhte vetë. Ishte një artist e njeri që nuk ra kurrë në kurthin e “të zakonshmes” jetoi dhe u largua i jashtëzakonshëm!

Çfarë e bënte të veçantë interpretimin e tij? Si aktore si e shihni teatrin e bërë nga Fehmiu?

Interpretimin e tij? I keni parë ndonjëherë sytë e Bekim Fehmiut nga afër? …brenda tyre kupton se çdo të thotë të kesh lindur për të dhuruar…të kesh lindur artist i madh! Ke një përqafim hyjnor kur e ke përballë e kur të flet…kështu është edhe arti i tij!

Nëse do të riktheheshit në kohë në atë mbrëmje ose ato ditë në Beograd, çfarë do kishit dashur të ndryshonit?

Nëse do të kthehesha pas nga takimi me të nuk do të përpiqesha të ndryshoja asgjë… do të ndodhte gjithçka ashtu, pasi edhe nëse do të doja nuk do të mundja, timonieri i takimit do të ishte Bekimi! Ndihem fajtore për vetminë e tij dhe mbi të gjitha ndihem shumë fajtore që nuk munda të bëja diçka për të, që nuk munda ta sillja në Shqipëri e të luante shqip në teatrin shqiptar…..ndihem fajtore që nuk kam asnjë mundësi t’i kërkoj ndjesë e ta falënderoj që ekzistoi fort dhe bukur në një botë që u përpoq gjithmonë ta përjashtonte! Bekimi i Madh e frikësonte botën e vogël me njerëz të vegjël!(Shqip)