Mavraj: Luajtëm mirë ndaj Hamburgut

Mërgim Mavraj ka arritur të hedhë plotësisht pas krahëve periudhën e gjatë të dëmtimit duke qenë tashmë një titullar fiks te skuadra e Kolnit.
Në sfidën e fundit ndaj Hamburgut, mbrojtësi kuqezi luajti 90 minuta të plota me formacionin e tij që barazoi 1-1 në një fushë të vështirë si ajo e Imtech Arena.
Vetë futbollisti në një intervistë dhënë për klubin e Kolnit e ka cilësuar këtë rezultat si pozitiv pavarësisht vështirësive që paraqiste kjo përballje, transmeton “SuperSport”.
“Paraqitja e ekipit në atë ndeshje ishte përgjithësisht shumë e mirë pavarësisht se në disa momente kishim vështirësi në kontrollimin e lojës, gjë që ndikoi dhe në disa kundër zbritje të rrezikshme të Hamburgut”. “Në pjesën e parë besoj se luajtëm shumë më mirë pavarësisht se Hamburgu ishte agresiv në fillimin e ndeshjes. Gjithsesi ne u mbrojtëm mirë dhe të paktën në 45 minutat e para nuk e lejuam për asnjë çast kundërshtarin të ishte i rrezikshëm, gjë që tregon se në prapavijë kemi gjetur qëndrueshmëri”, ka deklaruar Mavraj.
Mbrojtësi shqiptar luan me Kolnin që prej vitit 2014 dhe këtë sezon në total ka zhvilluar tri ndeshje (ka qenë zëvendësues ndaj Dortmundit, ndërsa titullar ndaj Wolfsburgut dhe Hamburgut).