Fundamenti

Massalia, më i madhi qytet i Mesdheut, 2700 vjet i vjetër

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Salih Kabashi – E themeluan foceenët e origjinës greke antike të ardhur nga qyteti Foça e brigjeve të Egjeut të sotëm turk. Gjuhëtarët francezë e evropianë e kanë ende të pashpjegueshme rrënjën e emrit Massalia.

Po të mos kishin ardhur grekët antikë, më vonë edhe romakët, banorët autoktonë edhe sot e kësaj dite ndoshta do të qëndronin duke bërë seri bjeshkëve përkarshi me dhitë e tyre dhe do të vazhdonin ta shikonin detin e gjerë dembelëshëm, të frikësuar dhe me pak ambicie për të lagur këmbët. Kështu, iu erdhën grekët e lashtë dhe ua mësuan edhe detarinë edhe tregtinë. I mësuan më parë se kodrat mund të mbillen me vreshta e ullinj dhe se nga rrushi bëhet verë dhe nga olivia, ulliri – vaji.

Kështu trojet e tyre u « urbanizuan» dhe dalëngadalë Massalia u bë më e njohura e kësaj pjese të bregut detar.

Massalia, gjurmimet e së cilës e gjejnë vend të banuar me një parahistori 27 mijë vjet të moçme, është vend i shumë legjendave. Disa nga ato i kanë shpikur e përhapur edhe vetë disa historianë romakë… Legjendat, si këto për Massalian, dihet! Janë rrëfime përmes të cilave bëhen përpjekje që simbolikisht, domethënë naivisht të shpjegohen lindjet e qyteteve e vendeve të ndryshme.

E kam lexuar dhe nuk kam pse të kursehem në sjelljen këtu para lexuesve tanë një legjendë të bukur massaliote.

Lexojeni:

Protisi, një burrë trim e krenar, ishte ai që i qëndroi në ballë ekspeditës së parë foceene mbi Massalian. Atë e kishte pas pritur bujarisht dhe pa kurrfarë rezistence e armiqësie, Nann, mbreti i i popullit segobrizhë që ishin fis i legurëve.

Mbreti kishte organizuar një festë të vërtetë në pritje të zaptuesve!

Ngrohtësia e pritjes dhe besimi i shprehur i të zotit të vendit, e kishin çliruar Protisin aq shumë, sa ai në mesin e vajzave të bukura vendase, ia kishte vënë syrin bukuroshes Giptis, bijës së vet mbretit Nann, në fillim duke ia rrudhur syrin me sherr, pastaj edhe duke ia bërë me dorë, gjest që edhe asokohe kishte kuptimin e diçkafes si paja-paja çiko…! Kështu, në vend të luftës e armiqësisë, mbreti i vjetër mbretit të ri ia dha edhe të bijën. Giptisja sipas zakonit ligur si vulë të gjetjes së burrit, atij, Protisit i hodhi një kovë të madhe uji mbi kokë…

Protisi e Giptisi mbasandaj u deshën sa s’ka më shumë. Jetuan bashkë, secili me pabesinë e vet (!). Ata patjetër se qysh para 27 shekujsh dhanë shembullin e bukur të lidhjeve e përzierjeve mes popujsh të ndryshëm, zakon që vazhdon dhe nuk ndalet as sot.

Mbaroi legjenda. Rifillon historia.

Uji Dea

Jul Cezari, i cili ishte konsull i Republikës romake, në vitin 49 para epokës sonë, nuk ishte aq i mirëseardhur nga populli massaliot siç kishte qenë Protisi pesë-gjashtëqind e kusur vjet para tij. Romaku e legjionet e tij nuk erdhën paqëm siç kishte ardhur Protisi grek. Romakët e mbajtën me muaj të tërë të rrethuar popullin e rraskapitur urie, duke organizuar kundër tij sulme nga toka dhe nga deti. Kur më në fund e shkelën qytetin, romakët ia modifikuan emrin duke e quajtur jo Massalia si deri atëherë, po Massilia.

Panorama ime nuk do të mundë jetë e plotë nëse nuk do të them se unë derisa po flas për Massalian greke apo Massilian romake, në fakt unë po ju flas për Marsejin e sotëm francez (Marseille), qytetin më të gjerë të Francës, më të gjerë edhe se Parisi! E të flasësh për këtë qytet, pas Parisit më i madhi qytet, pa çuar mendjen te sapuni i famshëm marsejez (Savone de Marseille), atë produktin çudibërës që të zezën e bën të bardhë… Ai sapuni aq i veçantë që karakterizohet me veçori ekologjike e kozmetike, me atë parfum aq të këndshëm që e kanë bërë të famshëm në tërë botën.

Kur ra fjala për sapunin më ra në mend një fjalë e urtë lidhur me të:

«N’kofsh i bardhë të nxinë dielli, n’kofsh i zi të zbardhë sapuni… ».

Djemtë e rinj shqiptarë u kanë dhuruar çikave sapunë erëmirë. Por duke qenë, në kohët bizantine-otomane, pjesë e botës lindore ata pothuajse nuk e kanë njohur sapunin e Marsejit, por një tjetër qindra vjet më të hershëm – sapunin e Alepit sirian, i bërë nga vaji i ullirit, me një parfum i nxjerrë nga vaji i dafinës, tërësisht bio, aromatik dhe që i përshtatej (edhe sot) çdo tipi të lëkurës, edhe asaj më të ndjeshmes, tepër reaktives.

Panoramën që po ju ofroj, ndoshta bash për faj të sapunit marsejez apo këtij sirian që kërcyen e erdhën këtu, po e ndjej paksa konfuze.

Para 26 vjetësh kam pas përdorur një shprehje që lidhej me imobilitetin dhe imoralitetin, po se po edhe mungesën e shprehjes qoftë edhe të një minimumi patriotik në ushtrimin e funksionit të anëtarit të Kryesisë së RSFJ-së, kur Riza Sapinxhiu nuk refuzonte kurrë as nuk kundërshtonte asnjë propozim serb për shtypjen e Kosovës edhe me tanke. E, i pata thënë në formë të shkruar:

«S’ka sapun që mund ta lajë Riza Sapunxhinë».

Sigurisht duke menduar me idealizëm plus naivitet se Kosovës do t’i vinte koha e politikanëve të ndershëm e të pastër…

Po këta të sotmit, shumica faqezinj, nuk mund t’i lajnë as Drini, as Bistrica dhe as sapunët marsejezë e sirianë të Alepit./zeri/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.