Hidromorava

Marshi i lirisë

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Atdhe Geci – Poemë për Kryengritjen e vitit 1981

Tek po pija kafenë e mëngjesit,
një zë shumëzohej nga qyteti;
lashë kafenë dhe dola në rrugë
në Prishtinë, kudo qe kryengritje
Ajo këngë e zëshme e Kosovës,
ai zemërim gjigant i studentëve,
bekimin e kishte nga populli,
nga vuajtja e tij dhe padrejtësia.
O sa heroike ishte këngë e rinisë!
Prishtina shkëlqente nga gusximi
Me të tëra ato duar të bëra grusht
E pashë urtësinë e një vullkani.
Unë, më i vogli poet i Kosovës,
një qytetar i thjeshtë dhe pa titull
mblodha vetë disa pika të gjakut
që ai mars-prill 1981, të shkruhet!..

2
—————————————–
Studentët, loçkat e shpirtit,
më të mirët e kombit, më të
dashurit; më të patremburit,
thyen xhama, pasqyra, orendi,
goditën figurën e pushtuesit,
për ta nxjerrë në shesh të
vërtetën, dhe atë ferr të bërë.
Në kryengritjet 1968 – 2000
mbi rininë trime të Kosovës
u sul e gjithë ushtria e serbit,
individë të muzgut, karkalecë-
policë me medaljone krimesh,
njerëz me urrejtje të përtejme
specialistë të ndëshkimeve,
titistë me babë dhe me bir,
udbëistë të çajtoreve, berberë
miq të armiqve të sofistikuar,
drejtorë bankash, komunistë,
gjykatës me pozita në shtet-
iu vërsulën rinisë së Kosovës,
moshës sonë më trimërore…

3
———————————–——–
Në ato vite të kryengritjeve
dhe të urtësisë së vullkanit,
një natë në Prishtinë , në
Tavnik e në Ferizaj, në Pejë
e Prizren , në Gjilan dhe në
Gjakovë, në Tetovë e Ulqin,
në Prizren e Skënderaj, në
Preshevë e Kumanovë, në
Mitrovicë dhe në Medvegjë
edhe ëndërrat kullonin gjak…
-Prej s´e njihen të mbjellat
dhe prej se njihen të korrat,
Dardania të bukurën e ka
në gjuhë, në armë, në luftë, –
flisnin gjyshet dhe gjyshërit…
Nëpër traktet e viteve 1981
të çdoditshme ishin thirrjet;
vullneti i popullit s´ shkilet,
vullneti i popullit s´ duron,
vullneti i popullit s´ shuhet,
as me tanke, e as me burgje
Kosova s ́heq dorë nga liria!…

4
——————————————-
Në ato vite të pushtimit serb
shqiptarët qemë të kërcënuar
natën, ditën, në rrugë, në punë;
sulmoheshin shkollat shqipe,
mielli dhe buka; mësuesi
dhe libri, emri dhe mbiemri,
sulmoheshin veshjet, identiteti
kostumi dhe veturat, punët e
ditës, ndenjat e vona, njerëzit
e zakonshëm, të mbjellat dhe
të korrat, kremtimet dhe festat
Në ato vite të pushtimit serb
serbët pakicë na gjenocidonin,-
të përkrahur nga Beogradi,
shtienin në çdo gjë shqiptare,
vrisnin që të shpërnguleshim
nga tokat tona stërgjyshore.
Në ato vite të gjenocidit serb
në sofër të familjes shqiptare
mungonin fëmijët, shija dhe
ngjyra e një Kosove të lirë!

5
———————————-———
Në Kosovën e vlimeve të mëdha
Prishtina, kryengritësja jonë,
u ngrit lotët t ́i kthejë në gurë,
në grushta, në armë, në beteja!
Zullumi këputet prej së trashi
-shkruan në librin e urtësisë
Prishtina , trimja e Kosovës,
pështyn ekranin e televizorit,
natën e zezë pis dhe ngrihet
shtypjen me grusht ta mbysë!..
revoltave të mëdha të Kosovës
kryengritësit kudo thërrisnin
të bëhemi me më shumë duar
dhe më me shumë grushta!…
dhe ta flakim armikun përtej!…
Preshevë, Shkup dhe Tetovë,
mblidhuni nëpër sheshet tuaja,
që Kosovën ta bëjmë të lirë,
të bukur dhe të përbashkuar!..
ta bëjmë, Kosovë dardane!

Eco Higjiena

6
—————————–—————
Kosovë, bëje dorën grusht!
Është çasti sprovës madhe,
mbaje sqimën, mos u tremb!
Prishtina sonte s ́ ka gjumë,
ajo na do të jemi në betejë
dhe kudo ku ka një prangë
të shtjejmë mbi pushtuesin…
Unë, më i vogli poet, më
i vockli, qytetarë i Kosovës
i mblodha ca pika të gjakut
kjo poemë të mos humbasë.
Kosovë, sonte nuk jam poet,
sonte jam i njëjtë si gjithë të
tjerët, kam aq gjak në trup
që të jem së bashku me ju…
Prishtinë, e bukura e atdheut,
ti, këngën mos e le të të ikë,
mbaje për zemre, shtrëngoje,
është gjakja jotë e shpirtit!

7
————————————–
Kosovë, tek ti jam më afër
ajrit, më afër ujit e frymës,
më afër betejave të mia,
më afër dheut dhe atdheut!..
Këngë e Kosovës shumëzohu
çlirimtarë dolën nga shtëpitë
Në shesh i kemi burra e gra
Bij të dardanisë së lashtë,
bijtë të Çamërisë dhe Ulqinit,
bijë të Shkup e të Prevezës
këtu është Shqipëria deri në Nish!…
Kosova sonte ka pamje epike,
ajo e tëra është nëpër sheshe
populli është atdhedashësi
tokat e tij nuk merren për të gjallë!..
Armik, ti preke atë që s ́ preket,
dhe ti shkele atë që s ́shkilet?!
larg prej tokave të arbërit
zullumi këputet prej trashi!…

8
————————————–
Armik, i vuajta birucat e burgut
që ti mar tokat që ti m ́i more!
se prej këtu e këtej unë jam zot
në gjeografinë time të gjerë,
zot i tokave të mia, i qiellit tim,
Shqipëri kam emrin e mbiemrin
përderisa të ketë diell dhe yje!…

9
—————————————-
Kosovë Dardane, bjeri heshtjes
që heshtë, këndo me fuqinë që
ke; në dhomë, në banjo, balkon
këndo në të gjitha shtëpinë,
mbushi rrugët me veten tënde
të dëgjoj toka e të dëgjoj qielli
këndo tek të mbjellat tua, bërtit,
dhe mbushe gojën me thirrje
ngrite zërin e përbashkimit tënd
nëpër qytete dhe fshatra, këndo
me sa fuqi ke , dhe shpërndaji
këngët; Shqipëri është Kosova!
Shqipëri janë Iliriadë e Çamëri!
Shqipëri është Preshevë e Tivar!

10
—————————————-
Të gjitha kohërave gjak u dhamë
në luftë e beteja e burg të rëndë
gjak dhamë për tokë, e për qiell
gjak dhamë, Kosova të jetë e lirë;
Në Trojën e parë Trojën e ndanë,
në Trojën e dytë Trojën e vranë
në Trojën e tretë fqinjët na ranë
në të tëra kohërat, Trojë dhamë
Në të gjitha kohërat gjak dhamë
që zot të jemi në atdheun tonë
që diellit t ́i themi mirëmëngjes
dhe lirisë t´ ́i themi, këtu të kem!..

Prishtinë, Zagreb – mars-prill, 1981