Marrëveshjet e shitjes
Nga Albin Kurti – Për të gjitha çështjet që po diskutohen në dialogun me Serbinë në Bruksel nuk diskutohet në institucionet e Kosovës. Dhe, siç shihet e dihet, ka aq shumë çështje të tilla saqë është bërë më e kollajshme të numërohen gjërat të cilat nuk janë shtruar para Serbisë në tryezën e Brukselit sesa ato për të cilat po debatohet atje.
Megjithatë, këtu duhen bërë dy vërejtje shtesë. Së pari, edhe ato çështje që s’janë në agjendë të negociatave do të mund të vihen aty në një moment tjetër. Dhe, së dyti, nuk bëhet fjalë për çfarëdo debati sepse përderisa debatet në Kosovë krejt lehtë mund të rezultojnë pa asnjë vendim a përfundim, i këtillë nuk është rasti me dialogun në Bruksel.
Ajo që do të duhej të ishte debat i brendshëm në Kosovë dhe vendimmarrje e këtushme, ka kohë që është arratisur për në tryezën e dialogut me Serbinë në Bruksel.
Kësisoj, shtetndërtimi në Kosovë është zëvendësuar me pazaret me Serbinë në Bruksel kurse rezultati nuk ka se si të mos jetë një shtet tjetërfare, me karakter e drejtim të ndryshuar, një shtet i Kosovës që është përherë e më pak shtet dhe përherë e më pak i Kosovës. Populli i Kosovës po shpronësohet politikisht teksa institucionet e shtetit po shpërfillen e zhvlerësohen. Vendimmarrja e zhvendosur është marrje e vendit tonë, është zëvendësim për neve. Ndërmarrja e këtillë është shpërqendrim dhe shpërqendruese, saktësisht e kundërta e shtetit e shtetndërtimit, e sovranitetit dhe integritetit.
Tashmë askush nuk përmend më vija të kuqe. Është e qartë për të gjithë se ato ‘vija të kuqe’ aq shumë janë shkelur saqë nuk kemi se si të mos konstatojmë që as që kanë ekzistuar ndonjëherë.
Nuk ka ligj të Kosovës a nen të Kushtetutës që i rri karshi sukseshëm pazarit të Thaçit me fatin e Kosovës. Nuk ka rregullore a akt të shkruar të Kosovës që konsiderohet para apo nga marrëveshjet Thaçi-Daçiq që bëhen në Bruksel. Nëse dikur e kishim Planin e Ahtisaarit si dokumentin më të lartë juridik të Kosovës i cili ishte themeli, kulmi dhe thelbi i Kushtetutës, tani marrëveshjet Thaçi-Daçiq po e bëjnë këtë gjë.
Korpusi i dakordimeve të Thaçit dhe shpurës së tij qeveritare me Qeverinë e Serbisë shënon Planin e ri të Ahtisaarit të cilit i nënshtrohet gjithçka në Kosovë. Kjo mënyrë dhe këso të arriturash, në njërën anë, janë përbrenda formulës së Beogradit ‘edhe Kosova, edhe BE-ja’, ndërsa, në anën tjetër, paraqesin ndarje të sovranitetit mbi Kosovën ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, ku e para ndodhet edhe nën EULEX-in.
Rrjedhimisht, dialogu aktual politik nuk është se vetëm po e ndan territorin e Kosovës në atë që i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe pjesën tjetër të mbetur, por edhe i gjithë sovraniteti i shtetit të Kosovës po ndahet midis Prishtinës e Beogradit me ç’rast Beogradi është instancë edhe më e fuqishme edhe më autonome se Prishtina.
Së fundmi, data e zgjedhjeve lokale e pamja e fletëvotimit, sikurse edhe energjia e telekomunikacioni, po varen nga pëlqimi i Daçiqit, thua se dëshirojnë të na e dëshmojnë se asnjë hap në Kosovë s’bëhet dot pa u marrur vesh me Serbinë.
Pra, në njërën anë kemi procedurën demokratike e simbolikën e sovranitetit të shtetit, ndërkaq, në anën tjetër, kemi substancën ekonomike dhe përmbajtjen e sovranitetit ekonomik. Ndonëse që të dy këto probleme kapitale përdoren për ta maskuar njëra-tjetrën, në veçanti kjo e dyta, pra çështja e energjisë dhe telekomunikacionit, është tepër e rëndë për Kosovën e pazhvilluar dhe popullin e saj të varfër. Brezi frekuencor e numeracioni telefonik, transmetimi e shpërndarja e energjisë, por edhe tregu i konsumatorëve përkatës, sigurisht që paraqesin aspekte jetike të sovranitetit dhe zhvillimit ekonomik. Pazaret me këto paraqesin gërryrje të bazës dhe perspektivës zhvillimore të Kosovës.
Megjithatë, këtu kemi një paradoks shtesë shumë interesant. Shitja e PTK-së, shitja e KEK-ut, shitja e thëngjillit për termocentralet e reja dhe shitja e Trepçës duket që nuk kanë ndodhur deri më tani pikërisht edhe duke iu falënderuar mosmarrëveshjeve me Serbinë.
Pra, shitja e këtyre mbetet e pakryer për shkak se kontrolli e pronësia mbi këto mbetet e paqartë. Duke qenë se kemi një qeveri neoliberale në Kosovë, s’do mend që porsa të merret vesh me Daçiqin, shpejt e lirë Thaçi do t’i shesë edhe këto pasuritë e kapacitetet e mbetura. Me atë rast, lumi Ibër do të bëhej vendi ku takohen Serbia e Daçiqit dhe privatizimi i Thaçit.
Andaj, nga këndvështrimi i Kosovës, në dialogun politik me Serbinë në Bruksel, nëpërmjet negociatave atje, lehtësohet jo vetëm bosnjëzimi politik i Kosovës, por edhe intensifikohet privatizimi neoliberal. Marrëveshjet Thaçi-Daçiq janë marrëveshje të shitjes politike dhe ekonomike.


