Maliqi: Rektori do të shkarkohet, Surroi dhe VV po i hedhin zjarrit benzinë

/ 11 minuta lexim
Eco Higjiena

Nuk janë në UP vetëm banditët. UP-ja duhet të ribëhet nga brenda. Dallaveret fillojnë te gjeneratat e vjetra që janë përsëritur edhe pas luftës. Mendoj se Rektori do të shkarkohet. Thaçi po blen kohë para se të prish koalicionin me AKR’në. Politikisht është legjitime që të shfrytëzohet kriza e rektorit për rrëzimin e Qeverisë. Vetëvendosja dhe Veton Surroi po e luftojnë zjarrin duke e furnizuar me benzinën shtesë politizues. Analisti politik, filozofi Shkelzen Maliqi flet për Express.

Express: Cili është mendimi juaj për Universitetin e Prishtinës, pas skandalit të publikimeve dhe protestave që po kërkojnë shkarkimin e Rektorit Ibrahim Gashi?

Sh. Maliqi:Qëndrimin tim për Universitetin e Prishtinës e kam bërë publik prej kohësh, përmes shkrimeve dhe intervistave që janë publikuar para 30 vitesh dhe pastaj i kam përsëritur dhe plotësuar në intervale të shpeshta, kur i bëja publike zbulimet e rasteve edhe me drastike të abuzimit me titujt shkencor në fushën e ekspertizës sime, që është filozofia dhe shkencat sociale. Gjeneratat më të vjetra duhet të kujtohen publikimet e dëshmive për veprat plagjiaturë të profesorëve të UP-së Ali Dida dhe Kadri Metaj, që pas luftës i pat ripublikuar organizata studentore “Tjetërqysh”, të gjitha këto pa ndonjë efekt këndjellës që UP-ja të nis ndonjë procedurë vërtetësie dhe ndëshkimi të rasteve të abuzimeve serioze akademike, e plagjiatura është gjithsesi shkelje e rëndë e etikës dhe përgjegjësisë profesionale dhe pedagogjike. Në vend që të hetohen, ndëshkohen dhe të largohen nga UP-ja, ata zakonisht janë avancuar. Nuk mund të kuptohet saktësisht gjendja aktuale e UP-së pa e rikthyer në shqyrtim vetë historinë e gjatë të abuzimeve akademike në UP.

Express: Cila është kjo histori? A mund të aa tregoni në pikat e shkurta?

Sh. Maliqi: Mund të keqkuptohem për këtë, si herëve tjera, por do të përpiqem që ta bëj një rezyme. Dhe këtë po e bëj për hir të brezit të ri i cili nuk ka njohuri të mjaftueshme ose për të kaluarën e UP-së dëgjon vetëm përralla romantike e gënjeshtra që fabrikohen mu nga vetë abuzuesit dhe mashtruesit kundër të cilëve sot protestohet me të drejtë, sepse janë kapur me presh në dorë.Nuk dua të tingëllojë malicioz dhe të nënvlerësoj misionin dhe rëndësinë historike të UP-së. S’ka dyshim se UP-ja është institucioni më i rëndësishëm arsimor i Kosovës,i themeluar në rrethana jo edhe aq të favorshme në ish Jugosllavi. Dhe e vërteta e UP-së është se që nga zanafilla, pos funksioneve akademike, ky institucion kombëtar shërbente edhe si poligon i konfrontimeve të mëdha politike. Në fillim të viteve ’70, kur u zgjërua autonomia e Kosovës, pasi që për këtë kishin insistuar komunistët dhe inteligjencia shqiptare në Kosovë, një krah i komunistëve më liberal serbë u pat bind që të hapet Universiteti i Prishtinës, me disa fakultete që deri atëherë kanë qenë degë të Universitetit të Beogradit, si dhe disa fakultete të tjera që u patën hapur rishtas, për të plotësuar kuotën e një universiteti në vete. Kështu, pra, pat filluar UP-ja, si pjesë e shkëputjes dhe avancimit të autonomisë arsimore, kulturore dhe politike të Kosovës. Por në atë kohë ka ekzistuar edhe një krah tjetër, potencialisht më i madh ndër komunistët dhe qarqet nacionaliste serbe, p.sh. ai që udhëhiqej nga shkrimtari Dobrica Qosiq, ku UP-ja shihej si një institucion që do të nxitvetëdijesimin dhe ngritjen e shqiptarëve të cilët një ditë, – dhe kjo ditë erdhi mjaft shpejt,- do të kërkonin më tepër autonomi dhe shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Serbia antishqiptare, që në vitet ’70 qëlloi të jetë politikisht në defansivë, u përpoq ta pengonte ose mbante pezull themelimin e UP-së me argumente se Kosova nuk i ka kapacitetet e mjaftueshme pedagogjike, doktora dhe magjistra të shkencës, për të pasur universitet në gjuhën shqipe.

Ky argument ka qenë pjesërisht i vërtetë, mirëpo politikanët kosovarë, duke ditur se ai ka motivime dhe prapavi politike, nuk e përfillën atë por u nguten që UP-në ta bëjnë sa më shpejtë, qoftë edhe me arnime, duke angazhuar për lëndët deficitare pedagogë me tituj shkencor jo vetëm nga Beogradi, por edhe nga qendrat tjera universitare të Jugosllavisë (p.sh. Sarajeva dhe Shkupi), ndërkohë që i patën stimuluar edhe pedagogët e shkollave të mesme shqipe, që të punësohen në UP duke ua mundësuar marrjene titujve shkencor me procedura jo rigoroze, ose që të vazhdonin me vite të tëra punën e pedagogëve deficitarë, si ligjërues pa tituj. Burimi i inkompetencës dhe abuzimeve vjen nga kjo periudhë fillestare, kur UP-ja për shkaqe politike i bënte lak standardeve akademike. Një pjesë e atyre pedagogëve mediokër që në fillim zynë pa merita titujt dhe postet e larta pedagogjike dhe administrative në UP, nuk kanë qenë të prirur që të rriten standardet akademike. Përkundrazi, kanë punuar për uljen e tyre, duke penguar pranimin dhe avancimin e pedagogëve të aftë dhe duke punësuar dhe promovuar kuadrot e dëgjueshme dhe edhe me mediokre seç ishin vetë ata.E tregova këtë histori të themelimit që shpesh zbukurohet dhe i fshehet zanafilla e vërtetë, për të nxjerr në pah faktin se në UP politizimi në dëm të cilësisë dhe respektimit të standardeve akademike ka qenë gjithnjë prezent.Në vitet ’80 kur Serbia nisi fushatën për asgjësimin e autonomisë së Kosovës dhe ndalimin e UP-së, sepse konsiderohej “bastion i nacionalizmit shqiptar”, sërish politika dominoi çështjen e ngritjes së cilësisë akademike të UP-së. UP-ja nuk gjente forcë për ballafaqimin me pedagogët mashtrues që bënin doktorate dhe magjistratura të rrejshme. As plagjiaturat e dëshmuara pedagogët dhe shkencëtarët e ndershëm nuk guxonin t’i denonconin dhe t’i kontestonin, sepse nga abuzuesit akuzoheshin se po bëjnë “propagandë serbe”.

Degradimi nivelit akademik të UP-së ka vazhduar edhe në vitet ’90 kur pjesa shqipe u përjashtua nga objektet universitare dhe u detyrua që të punojë në kushtet dhe format alternative, si universitet i rezistencës. Në kushtet e rezistencës cilësia akademike dëmtohet edhe më shumë sepse mungonin edhe ato instrumente minimale të verifikimit të titujve dhe të avancimeve shkencore dhe pedagogjike. Edhe kur kishte ndonjë përpjekje për të zbardhur keqpërdorimet, aleancat e zhurmshme të abuzuesve e heshtnin çdo nismë kundërshtuese, sërish duke u trajtuar si njollosje dhe tradhti e misionit të shenjtë të UP-së. Pas çlirimit ka vazhduar ky avaz i vjetër i dominimit të politikës mbi cilësinë akademike të UP-së sepse pedagogët mediokër dhe me tituj të rrejshëm, iu turrën çdo pushteti, dhe ua hapën rrugën edhe politikanëve të paarsimuar që të bëhen doktora të shkencave me procedura ashiqare abuzuese…. UP-ja u kap nga kasta e mediokërve dhe kalkulantëve që kontrollonin të gjitha instancat vendimmarrëse, nga departamentet dhe dekanatet e fakulteteve, deri te rektorati, Ministria e Arsimit, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.

Me këtë nuk dua të them e në UP nuk ka pedagog dhe titullar të ndershëm, sigurisht se ka, por ata janë të zhveshur nga ndikimi dhe edhe kur ngritin zërin pengohen nga instrumentet e vendosjes që janë në duart e abuzuesve, në të gjithë nivelet. Po preke një abuzues, alarmohen të gjithë abuzuesit tjerë dhe klanet politike. Edhe në rastin e protestave të fundit shihet se si funksionon ky mekanizëm brenda dhe jashtë UP-së.

Express: A nuk ka mjaft argumente për rektorin Ibrahim Gashi se është avancuar në bazë të punimeve shkencore falco? Pse s’po shkarkohet ai, por po përkrahet dhe mbrohet nga partia në pushtet, PDK?

Eco Higjiena

Sh. Maliqi: Mendoj se ai do të shkarkohet, sepse reagimet kësaj here janë të fuqishme dhe nuk mund të fshihet më abuzimi me avancimin e tij në gradën e profesorit të rregullt, e pastaj edhe me zgjedhjen për rektor si një profesor defektuoz dhe abuzues. Por, Gashin e mban në post AKR-ja, që edhe ka imponuar që ai të bëhet rektor si zëvendësim për një vend ministror që Kryeministri Thaçi ia kishte borxh kësaj partie, si partnerit kryesor në koalicion. Pos AKR-së rektori mbetet në post edhe nga arsyeja se Thaçi nuk ngutet me prishjen e koalicionit aktual qeverisës. Mendoj se Thaçi po e blen kohën duke pritur aprovimin e ndryshimit të ligjit për zgjedhjet. Pas kësaj ai mund t’i jep fund pazareve me Pacollin dhe rektorin.

Express: Kryeministri Thaçi tha këto ditë në Kuvend se duhet të hetohen të gjitha thirrjet akademike dhe shkencore të politikanëve dhe përmendi se ka politikan në Kosovë që kanë kryer fakultet pa shkollë të mesme e master pa fakultet. A mund të ndodh një hetim i tillë?

Sh. Maliqi: Vetë Thaçi nuk e ka ndjekur shembullin e kolegëve të vetë që nga postet politike kanë vrapuar edhe për sigurimin e titujve të dyshimtë akademik, kështu që mund të kërkoj një hetim të tillë që komprometon kundërshtarët e tij. Por, për UP-në kjo nuk mjafton. Duhet të hetohen, në mënyrë kompetente dhe pa konflikt interesi, të gjithë titujt shkencor për të cilët ka dyshime se janë marrë me mashtrime.

Express: Si e shihni përfshirjen e Vetëvendosjes dhe Veton Surroit në protestat e studentëve që po kërkojnë të largohet mashtruesit nga UP’ja?

Sh. Maliqi: Secili individ ka të drejtën që të solidarizohet me protestat e studentëve, por jo edhe të provojë t’i përvetësojë frytet e protestës për qëllimet personale politike ose ringjallje të ambicieve politike që elektorati jo një herë i ka ndëshkuar, ose i ka të padeklaruara. Çështja është se ajo që kërkojnë protestuesit është shëndoshja e UP-së, dhe jo promovimi i cilësdo nga politikat dhe ideologjitë. Vetëvendosja dhe Veton Surroi mund të janë subjekte të barabartë në debatin për zgjidhjen e krizës së UP, por duke u kujdesur që ky debat të mos devijojë në agens ku del se ata po e luftojnë zjarrin duke e furnizuar me benzinën shtesë politizuese. Kuptohet, politikisht është legjitime që të shfrytëzohet kriza e rektorit për rrëzimin e Qeverisë, por çështja është çka pastaj, cila do të jetë Qeveria tjetër pas zgjedhjeve, me çfarë protagonistë, dhe a do të ketë ajo fuqi që ta luftojë pa dorëza korrupsionin në UP, apo çështja do të përfundojë me zgjidhjen e kësaj afere dhe mbulimin e shumë të tjerave.

Express: Ju e thatë më herët se keni shkruar shpesh për UP’në dhe se keni konstatuar se gjendja është alarmante. Si të dilet nga kjo situatë?

Sh. Maliqi: UP-së i duhet një intervenim i jashtëm që do të vendos kriteret akademike, profesionale dhe menaxhuese, por që nuk do të jetë okupim politik i autonomisë së universitetit, por çlirim i potencialeve të shtypura shkencore dhje pedagogjike që UP-ja duhet t’i ketë. Nuk janë në UP vetëm banditët. Ka shumë njërëz të ndershëm ose të tillë që vetë punojnë duke respektuar standardet akademike dhe njerëzore, por që nuk reagojnë ndaj abuzimeve sepse e shohinkëtë si ndërmarrje të kotë. Ashtu sikur që për çdo sëmundje duhet të mobilizohet imuniteti i rrënuar i pacientit, ashtu edhe UP-ja duhet të ribëhet nga brenda. Por kjo është lehtë të konstatohet, por vështirë të realizohet. Sidomos në rrethanat kur i kemi shumë mjekë dhe kauzi mjek që japin diagnoza dhe receptura të ndryshme të shërimit.

Express: A ka një emër brenda Universitetit të Prishtinës që mund të bëhet Rektor dhe të kthejë UP’në në gjendje normale?

Sh. Maliqi: Emra ka mjaft, por nuk është punë që e bën një person, duhet të ketë shumë bashkëpunëtorë me mandat të qartë dhe komptenca që të ndërtojnë një universitet.