Makolli: Shqiptarët e Luginës e kanë vendin në Luginë

Serbia është e vetëdijshme se të gjitha të drejtat që ka këkruar për serbët në veri do të jetë e detyruar t’ua njoh edhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Kështu ka deklaruar ministri i diasporës, Ibrahim Makolli gjatë takimeve me shqiptarë ne SHBA ku ai po qëndron për vizitë. Makolli është shprehur kundër rezervimit të vendeve në Institucionet e Kosovës për shqiptarët e Preshevës Medvegjës dhe Bujanovcit.
Makollit i janë drejtuar shumë pyetje lidhur me gjendjen aktuale liritë dhe të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshëvës. Udhëheqësi i shoqatës së Kosovës Lindore, Shaban Mehmeti kërkoi që në institucionet e Kosovës të ketë përfaqësues të tyre nga Presheva Medvegja e Bujanovci. Por Makolli tha se shqiptarët janë në vendin e tyre aty ku janë dhe aty duhet ti gëzojnë të drejtat që u takojnë.
Me rezervimin e vendeve brenda Kuvendit të Kosovës, sipas tij, nuk do të ndihmoheshin shqiptarët e Luginës dhe vlerësoi se në rastet kur flitet për gjëra të mëdha emocionet duhet lënë anash. “Ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale, Kosova dhe Shqipëria, që shqiptarët në Luginën e Preshevës të gëzojnë të drejtat e tyre aty”, tha ai.
Makolli po ashtu tha se edhe në biseda me Serbinë, nuk është anashkaluar tema e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. ”Serbia duhet ta kuptojë se shqiptarët në Luginën e Preshevës nuk e rrezikojnë shtetin e Serbisë”, tha ai.
Por Makolli nuk e ka përjashtuar mundësinë që Serbia edhe mund të përpiqet të tregojë forcën e vet duke u përpjekur që të bëjë ndarjen e shqiptarëve në atë pjesë dhe se pa të drejtë ka frikë shqiptarët e atjeshëm.