Eko Higjiena

Lutfi Haziri: Remit iu ka ngrirë koha, Bujar Bukoshi po shet kopalla

/ 8 minuta lexim
RCCOLA

Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Lutfi Haziri ka thënë se ka përfunduar koha kur LDK ka ndërtuar koalicion me PDK’në. Sipas tij, Rrustem Mustafa i PDK’së ende është në vitin 2007. Sidoqoftë, Haziri thotë secili duhet ta kuptojë se ndërtimi i koalicioni paszgjedhor dhe zgjedhja e Isa Mustafës në krye të Kuvendin kanë krijuar situatë të re politike. Në një intervistë për Express, Haziri ka folur brendapartiake, duke thënë se këtë parti s’mund ta udhëheqin ata që vetëm kanë marrë nga LDK e s’i kanë dhënë asgjë partisë së tyre.

Express: Anëtari i Kryesisë së PDK’së, Rrustem Mustafa, vazhdimisht po deklarohet se PDKdo të lidh koalicion me LDK’në. Cila është përgjigja e LDK’së ndaj kësaj kërkese?

L. Haziri: Realiteti në Kosovë ka ndryshuar nga koha që Rrustem Mustafa e mban mend. Kjo është që Kosova përfundimisht ka krijuar një realitet të ri politik. Realitetin e parë politikë e ka krijuar LDK më 9 qershor duke krijuar një bllok politik të ri i ri i emëruar “Blloku i kthimit të Shpresës” në të cilin ka hyrë AAK, NISMA dhe të tjerët. Lidere e këtij koalicioni është LDK’ja me numrin më të madh të votave. Ndërsa, në rastin e zgjedhjes së Isa Mustafës Kryetar i Kuvendit, PDK ka krijuar një situatë të re politike, duke e lëshuar sallën në të cilin grup kanë hyrë PDK’ja dhe disa individë të minoriteteve. Nuk ka rrugë tjetër pos zgjidhjes brenda këtyre dy blloqeve. Përjashtuar çdo lloj mundësie që këto dy blloqe të shkrihen dhe t’i lënë partnerët në pritje

Express: Duket se Rrustem Mustafa ende e sheh kohën kur LDK dhe PDK ishin në bashkëqeverisje?
L. Haziri: Këtu nuk ka të bëjë me raporte personale por ka të bëjë me besim politik. Në vitin 2006 kam shprehur idenë time për koalicionin e madh në një model zviceran të qeverisjes ku partia e parë gjithmonë udhëheq me qeverisje, ndërsa, partitë tjera e kanë formulën qeverisëse në interes të vendit. Ajo formulë e vjetër 700 vjeçare në Zvicër, në Kosovë është injoruar, fatkeqësisht, nga një vendim politik që z. Fatmir Sejdiu lider i LDK’së në atë kohë që e ka vendos. Dhe, në vendimmarrjen e tij, ndikim jashtëzakonisht të madh ka pasur edhe Isa Mustafa në atë kohë Kryetar i Prishtinës.

Express: Çka i bie kjo?
L. Haziri: Kjo i bie që LDK’ja njëanshëm është tërhequr nga koalicioni me PDK’në, nga një koalicion i cilësuar si kuq e zi e që fatkeqësisht ka përfunduar si koalicion “Guns & Roses”. Ky momentum i 2010 nuk mund të përmirësohet. Ky mosbesim nuk mund të mbyllet sepse pasojat kanë mbetur sepse Isa Mustafa si Lider i LDK’së ka vendosur të ndërtojë koalicionin e kthimit të shpresës me AAK’në, NISMËN e minoriteve që ka kaluar shifrën e 83 deputetëve nga 120 sa ka Parlamenti i Kosovës. Kjo është shifër e madhe dhe është 2/3 e Kuvendit dhe që kjo formulë e blloqeve politike në Kosovë, qofshin ato politike, apo të interesave të tjera po funksionon dhe e ka një mbështetje më të madhe të qytetarëve.

Uji Dea

Express: LDK këtë vit mbanë zgjedhjet dhe kandidati i fundit që po përmendet për Kryetar të LDK’së është Bujar Bukoshi. Sa janë mundësitë që Bukoshi të udhëheq me Partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova?
L. Haziri: Nuk besoj se LDK’së i bëjnë nder shpallja e kandidaturave në kohën kur po merremi me rezultatet zgjedhore. Emrat që po lakohen për lider të LDK’së janë kryesisht ata që kanë backgound të LDK’së, përderisa, Isa Mustafa është Kryetar i LDK’së prej Prishtinës e deri te fshati më i vogël i Kosovës ai njihet si udhëheqës i LDK’së. Është në vendimin e tij se a dëshiron të rikandidojë apo t’i hapë rrugë kandidaturave të reja. Ndërsa, të tjerët mund të aspirojnë dhe është e drejtë statutare. Vetëm se duhet t’i mbledhin nënshkrimet për të qenë kandidat për Kryetar të LDK’së. Nuk e di sa nënshkrime mund t’i mbledhin Bujar Bukoshi, Lutfi Haziri, Vjosa Osmani apo edhe Ismet Beqiri nëse ka aspirata të bëhet Kryetar i LDK’së. Po flas për vete se nuk kam vendosur në asnjë mënyrë me i marrë LDK’së më shumë se sa më ka dhënë ajo. Edhe Bujar Bukoshi edhe të tjerëve LDK u ka dhënë shumë. Është koha që ata t’ia kthejnë borxhin LDK’së, e këtë borxh e ka edhe Nexhat Daci, edhe Fatmir Sejdiu, edhe shumë të tjerë që në kuadër të strukturës politike të LDK’së i kanë marrë aq shumë LDK’së, sa vërtetë ka ardhur koha t’ia kthejnë borxhin partisë së vet duke krijuar unitet në parti. Vetëm nëse e pranojnë se Isa Mustafa është Kryetari i fundit i zgjedhur në LDK, vetëm nëse i subordinohen vendimeve të Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së dhe jo duke nxjerrë kopalla dhe duke nxjerrë kandidatura për motive dhe aspirata për të cilat anëtarësia e LDK’së iu ka treguar me kohë çka dëshiron.

Express: Sa është e mundshme që LDK’në ta udhëheq përsëri një njeri i cili ka humbur dy herë zgjedhjet nacionale ndërsa në ballafaqim të drejtpërdrejtë ka humbur garën për Kryetar të Prishtinës?

L. Haziri: Më lejoni ta them edhe një herë, se e kam përmendur në gazetën tuaj, janë dy kategori themeluesish të LDK’së. Kategoria e parë e themeluesve të LDK’së janë të 23 dhjetorit që janë heronjtë e lëvizjes dhe rezistencës politike shqiptare në ish-Jugosllavi. Në atë kohë LDK nuk ka qenë vetëm parti e Kosovës, por ka qenë Lëvizje politike për liritë e shqiptarëve në ish-Jugosllavi që i ka pri Ibrahim Rugova e ku ka qenë edhe Fehmi Agani një emër i madh. Ka qenë edhe Sabri Hamiti, Eqrem Basha, Ibrahim Berisha, Mehmet Kraja…. Ka qenë edhe një grup tjetër themelues që ka nënshkruar themelimin e LDK’së për t’u regjistruar në atë kohë në Ministrinë e Drejtësisë në ish-Jugosllavi. Ajo kategori që e ka legalizuar themelimin e LDK’së nuk mundet të injorohet sepse njerëzit kanë rrezikuar që me nënshkrimin e vet të shkojnë në burg. E kanë vendosur emrin, mbiemrin, numrin e letërnjoftimit dhe adresën e vet në instancën më të lartë të ish-Jugosllavisë për ta legalizuar LDK’në si parti politike dhe certifikata e regjistrimit që është marrë në atë kohë ka qenë ngjarje jashtëzakonisht e madhe. Dhe, 24 vjet më pas, në kohën në LDK po vjen me gjeneratën e tretë e anëtarëve të saj, në kohën kur LDK’së po i mungon lideri i vet. Periudhën nëpër të cilën po kalojmë e bën që të mos shihen përqindjet e zgjedhjeve, por të shihet kërkesa për unitet. Nëse LDK ka mbërritur të ketë në koalicion paszgjedhor edhe AAK’në e z. Haradinaj, edhe NISMËN e z. Limaj dhe shumë grupe politike tjera dhe shumë qytetarë ju kanë bashkuar, është nonsens mos me iu bashkua themeluesit e vet dhe njerëzit e vet që kanë kontribuar dhe kanë vulën e vet në ndërtimin dhe zhvillimin e LDK’së.

Express: Pra, Isa Mustafa mund të jetë edhe një mandat në krye të LDK’së?
L. Haziri: Këtu nuk duhet të shihen raportet e individit sepse Isa Mustafa ka qenë njëri prej kandidatëve për Kryetar të LDK’së, që duke e fituar Prishtinën në raundin e parë me 50 përqind, ka qenë emër i thirrur nga anëtarësia e LDK’së për të udhëhequr me partinë. Nuk ka ardhur Isa Mustafa me kandidu, por anëtarësia e LDK’së e ka thirrur. Ka shumë njerëz nuk kanë votuar për z. Isa Mustafa por kanë votuar për Fatmir Sejdiun. Por, shumica në Kuvendin e Përgjithshëm të LDK’së kanë vendosur që Isa Mustafa të jetë Kryetar i LDK’së dhe ai mbetet deri në Kuvendin e ardhshëm Kryetar i LDK’së.