Uji Dea

Osmani: Vuçiq po përsërit veprimet e Millosheviqit, po përpiqet të shkatërrojë gjithçka që kemi arritur me SHBA dhe BE

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po përpiqet të shkatërrojë gjithçka që është arritur së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, për paqen dhe lirinë.

Osmani në platformën “X”, ka shkruar se këto veprime të presidentit serb, vijnë pas dy dekadave kur Sllobodan Millosheviq kishte shkatërruar Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën, transmeton Telegrafi.

“Mbi 2 dekada pasi Millosheviqi shkatërroi Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën…. Vuçiq tani po përpiqet të shkatërroj gjithçka që kemi arritur së bashku me SHBA dhe BE për paqen, lirinë dhe bashkëjetesën mes bashkësive të ndryshme. Ne do të punojmë me aleatët tanë dhe nuk do të lejojmë që këto arritje të zhbëhen. Liria do të mbizotërojë”, deklaroi presidentja.

Serbia ka vendosur në kufirin me Kosovën forca ushtarake, ndërkaq SHBA ka kërkuar që Serbia të largojë trupat ushtarake dhe të mos nxis tensione.

UBT

Kujtojmë se, Policia e Kosovës u sulmua me armë zjarri më 24 shtator, nga një grup terroristësh serbë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Ndërkaq nga gjuajtjet me armë zjarri, Policia vrau tre pjesëtarë të grupit terrorist.

Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës është dënuar fuqishëm nga SHBA, BE dhe vendet e rajonit, ndërsa autoritetet në Kosovë janë zotuar se përgjegjësit e sulmeve terroriste do të dalin para drejtësisë.

Dy prej anëtarëve të grupit terroristë janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe janë në masën e paraburgimit prej një muajsh. /Telegrafi/