Lugina e përçarë për zgjedhjet e parakohshme në Serbi

Subjektet politike të shqiptarëve në Luginë të Preshevës janë të përçara për pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhjet lokale dhe nacionale në Serbi.Disa prej tyre mendojnë se është në interesin e shqiptarëve pjesëmarrja në këto zgjedhje, kurse një pjesë vlerëson se ato parlamentaret duhen bojkotuar.
Shaip Kamberi, deputet i deritashëm i Partisë për Veprim Demokratik në Parlamentin e Serbisë, ka deklaruar për “Epokën e re” se pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet nacionale do të mundësonte dëgjimin e zërit të tyre në Parlamentin serb, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, është shprehur kundër pjesëmarrjes së shqiptarëve në zgjedhjet nacionale, duke thënë se ky parlament asgjë nuk ka bërë për të drejtat e tyre. “Ne si Parti për Veprim Demokratik nga viti 2007 vazhdimisht kemi marrë pjesë në zgjedhje. Është shumë e qartë se në një demokraci të brishtë siç është në Serbi, vështirë është që një apo dy deputetë shqiptarë ta ndryshojnë gjendjen e shqiptarëve. Megjithatë, Serbia gjendet në fazën e integrimin në BE, ku pritet hapja e dy kapitujve më të rëndësishëm sa iu përket pakicave, pra kapitujt 23 dhe 24. Mendoj se është mirë që edhe kësaj here shqiptarët të përfaqësohen në institucionin më të lartë shtetëror të Serisë, në mënyrë që problemet e veta t’i paraqesin atje ku gjithë kori diplomatik është i pranishëm dhe i sheh”, ka thënë Kamberi.
Ai ka thënë se subjektet politike që janë për bojkotim të këtyre zgjedhjeve nacionale nuk kanë argumente të qëndrueshme. “Ato subjekte politike që janë kundër pjesëmarrjes së shqiptarëve në këto zgjedhje janë subjekte komunale. Është fjala për parti që garojnë brenda një komune dhe nuk janë të shtrira në tri komunat. Partia për Veprim Demokratik është e vetmja parti e shtrirë në të gjitha këto komuna. Argumenti që ata japin në këtë rast nuk është i qëndrueshëm dhe nuk është legjitim, sepse në aspektin e popullatës, e cila çdo ditë po e lëshon Luginën e Preshevës, mund të thuhet se as komunat nuk e kanë kryer misionin e vet”, është shprehur ai.
Madje Kamberi i ka kritikuar subjektet politike që qeverisin komunat e Luginës, duke thënë se nuk i kanë përmbushur as për së afërmi premtimet e tyre. “Pavarësisht se ata që i qeverisin këto komuna kanë premtuar mjaft në fushatat e tyre zgjedhore, nuk kanë bërë shumë. Kështu që, nëse duhen të shuhen të gjitha institucionet, atëherë cila është arsyeja që komunat që nuk e kanë përmbushur misionin të qëndrojnë edhe më tepër. Me këtë logjikë nuk mund të mbahen institucionet”, është shprehur Kamberi.
Ai ka ritheksuar faktin që zëri i shqiptarëve duhet të dëgjohet në Parlamentin serb në momentin e hapjes së kapitujve të rëndësishëm për integrimin e Serbisë në BE. “Pjesëmarrja jonë në institucione është për t’u dëgjuar zëri i shqiptarëve në institucionet më të larta, për të qenë të pranishëm kur hapen dy kapitujt më të rëndësishëm për anëtarësimin e Serbisë në BE, për t’ia bërë me dije edhe BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare, se shqiptarët janë një pakicë e diskriminuar në vazhdimësi nga shteti”, është shprehur ai.
Por krejt ndryshe mendon kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, i cili është edhe kryetar i Komunës së Preshevës. Në një prononcim për “Epokën e re”, ai ka thënë se shqiptarët e kësaj ane duhet t’i bojkotojnë zgjedhjet nacionale, duke shtuar se ky institucion nuk po bën asgjë për shqiptarët. “Partia Demokratike Shqiptare në Luginë të Preshevës në këto zgjedhje do të marrë pjesë vetëm në zgjedhjet lokale. Derisa prej vitit 2000 e këndej Partia Demokratike Shqiptare asnjëherë nuk ka marrë pjesë dhe për këtë kemi dhënë shumë shpjegime. Shqiptarët nuk kanë arsye të marrin pjesë në zgjedhje sepse deri më tani nuk ka avancim të të drejtave të tyre në asnjë fushë. Tash së fundi kemi edhe një arsyeje të re për t’i bojkotuar, ngaqë shteti serb i ka ndaluar librat shqip për shqiptarët e Luginës”, ka thënë Mustafa. Ai shpreson që edhe subjektet e tjera politike do ta mbështesin qëndrimin e tyre për t’i bojkotuar zgjedhjet parlamentare në Serbi. “Unë besoj se edhe partitë e tjera politike do t’i bashkohen bojkotit të këtyre zgjedhjeve sepse nuk ka asnjë element që e arsyeton daljen në këto zgjedhje të shqiptarëve dhe për pjesëmarrje në Parlamentin e Serbisë derisa ky organ nuk është i gatshëm asnjëherë shqiptareve t’u ofrojë të drejta që janë të garantuara me standarde evropiane”, ka thënë Mustafa.
Tri ditë më parë presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ka shpërndarë parlamentin dhe ka shpallur formalisht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 24 prill.