Ardita Sinani në takim me Alban Hysenin flasin për zhvillimin ekonomik, turizmin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional
Gjilan – Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, theksuam rëndësinë e krijimit të programeve të përbashkëta edukative mes shkollave dhe çerdheve, si dhe organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike në bibliotekat dhe teatrot tona ka shkruar Ardita Sinani.
Postimi i plotë:
Sot, pata kënaqësinë të zhvilloj një takim të frytshëm me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni. Në delegacionin tonë morën pjesë edhe zëvendës Kryetari, z. Ragmi Mustafa, Kryetari i Kuvendit, dr. Agim Sabedini, si dhe këshilltarja në Kuvendin e Preshevës, znj. Florije Xhemaili.
Gjatë bisedës, diskutuam një sërë temash të rëndësishme për të dyja komunat tona, me fokus në zhvillimin ekonomik, turizmin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
Në fushën e zhvillimit ekonomik, ramë dakord për nevojën e investimeve të përbashkëta dhe organizimin e panaireve ekonomike që do të promovojnë bizneset lokale dhe do të krijojnë mundësi të reja për të dy komunitetet tona. Diskutuam gjithashtu për zhvillimin e projekteve infrastrukturore që do të përmirësojnë lidhjen mes Preshevës dhe Gjilanit.
Përsa i përket turizmit, u përqendruam në promovimin e destinacioneve turistike dhe krijimin e paketave të përbashkëta që përfshijnë atraksione nga të dyja komunat. Diskutuam edhe për organizimin e eventeve kulturore dhe sportive si dhe zhvillimin e shtigjeve të hajkingut dhe ekoturizmit.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, theksuam rëndësinë e krijimit të programeve të përbashkëta edukative mes shkollave dhe çerdheve, si dhe organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike në bibliotekat dhe teatrot tona.
Si temë me rëndësi, u diskutua edhe bashkëpunimi i tri komunave Gjilan-Preshevë-Likovë , ku u pajtuam të punojmë së bashku në projekte konkrete dhe në zgjidhjen e problemeve që tangojnë qytetarët e këtyre tri komunave. Ky bashkëpunim synon të krijojë një të ardhme më të ndritur për të gjithë ne.
Presim gjithashtu që Kryetari i Gjilanit, z. Alban Hyseni, së bashku me drejtorët e administratës, të na vizitojë në Preshevë, ku do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin ndërinstitucional mes komunave tona.
Falënderoj z. Hyseni për mikpritjen dhe angazhimin e tij për këtë bashkëpunim të rëndësishëm./rajonipress/