RCCOLA

Llogaridhënia si parakusht

/ 5 minuta lexim

Nga Vjosa Osmani – Në vitin 2014, kryeministri i shtetit Victoria të Australisë dha dorëheqje pas një skandali të keqpërdorimit të veturave zyrtare. “Skandali” kishte të bënte me shfrytëzimin e një veture për qëllime private, për një distancë të shkurtër. Para tij, edhe një zyrtar i partisë së tij kishte dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat partiake, pikërisht për shkak të rasteve të ngjashme.

Ka edhe shumë raste të marrjes së përgjegjësisë së plotë individuale dhe të dorëheqjes mbi baza morale (pra, pa vendim të gjykatës dhe pa detyrim ligjor) nëpër botë. Siç edhe mund të imagjinohet, këta shembuj vijnë nga shtete me demokraci të zhvilluar, ku politikëbërja bazohet, ndër të tjera, në një parim themelor, atë të llogaridhënies. Në kontrast, shtetet që akoma nuk kanë demokraci të zhvilluar, ato autoritare dhe gjysmëautoritare, shtetet me sisteme diktatoriale dhe ato të dështuara, përpos fenomeneve të tjera negative, kanë edhe një gjë të përbashkët: mungesën e llogaridhënies në politikë.

Kosova ka marrë cilësime të ndryshme qysh nga paslufta: nga disa raporte që e cilësojnë si shtet gjysmëautoritar, tek të tjerat që e radhisin tek shtetet në rrezik për të dështuar.

Disa e konsiderojnë demokraci të brishtë, por ka edhe të tjerë (natyrisht zëra të zyrtarëve që zakonisht janë në pushtet) që Kosovën e cilësojnë si shtet me demokraci të zhvilluar. Kur po të njëjtit pyeten për llogaridhënien përmendin raste të politikanëve të dënuar për krime të rënda, të cilët pastaj kishin dhënë dorëheqje pasi vendimi i gjykatës ishte bërë i plotfuqishëm, edhe pse shumicës së tyre mandati u kishte përfunduar automatikisht, në momentin që ai vendim-gjykate kishte hyrë në fuqi.

Mirëpo, edhe rastet e tilla janë të rralla, sepse shumica e atyre të involuar në kryerjen e krimeve, ose vazhdojnë me ushtrimin e detyrave zyrtare, ose janë në arrati, gjë të cilën e kanë bërë pa asnjë pengesë nga shteti. Skandalet e njëpasnjëshme, duke përfshirë ato që involvonin institucionet e sigurisë apo politikën e jashtme, gjithnjë mbetën pa shembuj të llogaridhënies.

Një ndër rastet e rralla ishte dorëheqja morale e ish-ministrit, Fatmir Rexhepi, nga pozita e ministrit të Brendshëm, përkundër faktit që veprimet e policisë gjatë protestave ishin kryer nga policia e UNMIK-ut, dhe ndodhën në një kohë kur institucionet vendore nuk kishin përgjegjësi në atë fushë.

RCCOLA

Ky shembull, në vend se të përmendet vazhdimisht, u hesht me qëllim nga ata që llogaridhënien nuk e duan pjesë të sistemit qeverisës, por edhe nga të tjerë që kanë dëshirë që të gjithë politikanët t’i fusin në një thes, pavarësisht veprimeve individuale. Kjo rezulton me logjikën “të gjithë janë njësoj”, e meqë të gjithë qenkan njësoj, votohen përsëri ata që pavarësisht shkeljeve e skandaleve, qeshen me të madhe kur dëgjojnë për shembullin e kryeministrit të Victorias dhe distancës disa qindrametërshe të keqpërdorimit të veturës zyrtare.

Me të drejtë, shumë autorë që kanë studiuar përgjegjësinë politike, individuale dhe atë kolektive në sisteme të ndryshme politike, flasin për pengesat e hekurta oligarkike, si dhe sfidat në demokratizimin e brendshëm të partive politike.

E para ka të bëjë me interesa oligarkike, të ndërtuara nëpërmjet rrjeteve të krimit të organizuar e korrupsionit dhe llogaridhënia nuk bën pjesë në veprimtarinë e tyre të ndërtuar në bazë të shkeljeve ligjore. E dyta, ndërkaq, tregon për domosdoshmërinë e ndërtimit të logjikës së përgjegjësisë dhe respektimit të demokracisë së brendshme në vetë partitë politike, sepse shkeljet e këtyre normave dhe mungesa e llogaridhënies brenda partisë politike do të transferohet pastaj si veprim edhe në institucione, në momentin kur ata zyrtarë gjenden në pozita udhëheqëse shtetërore.

Kjo, na u dëshmua sërish të gjithëve, kur pas dështimeve të mëdha që lidheshin me anëtarësimin në UNESCO, liberalizimin e vizave, si dhe konstatimit se thuajse të gjithë kapitujt e parimeve për Asociacionin janë në kundërshtim me Kushtetutën, ne nuk kemi llogaridhënie, por përkundrazi, portretizim edhe të këtyre dështimeve si sukses.

Si përfundim, nëse duam që viti 2016 të jetë ndryshe, të ofrojë shpresë, të ofrojë perspektivë të qartë për qytetarët brenda Kosovës, të ofrojë shembuj të mirë të politikëbërjes dhe së fundi të ofrojë demokraci, atëherë parakusht është llogaridhënia. Përndryshe, një shoqëri dhe një shtet që udhëhiqet nga një politikë që llogaridhënien nuk e njeh dhe praktikon, e ka të sigurt vetëm dështimin.—

Dr. Vjosa Osmani-Sadriu është deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe ligjëruese e së Drejtës ndërkombëtare në Kosovë dhe në SHBA.