UBT

Llashtica e kohës së gurit

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Llashtica asht katund i çarkut të Gjilanit. Ky katund asht i vendosun në nji vend shumë të mirë e të bukur; ndodhet në rranzë të Malsisë së Depcës “i ulun në rrafsh e i mbështetun për kodra”. Nga ana perëndimore e veriore shtrihet fusha e gjanë dhe e gjatë dhe mjaft pjellore që mbërrin gati deri në Moravë, ndërsa nga lindja e jugu janë malet shumë të pasuna me dru, me ujë, me kullosa dhe shumë të përshtatshme për gjueti.

Për mjedis të katundit kalon lumi me ujë të pastër e të kthjellët që nuk shterr as dimën as verë. Në fushën e këtij katundi gjenden vorret pagane ilire të vjetra disa qindra vjet para Krishtit. Këto janë tumat ilire të cilat banorët e këtij katundi i quejnë gomure, ato janë gërrmue e hulumtue nga arkeologët tanë. Si i tillë ky vendabanim i pasun me të gjitha të mirat e Zotit ishte i banuem që nga parahistoria madje edhe që nga koha e gurit.

Për këtë kohë flasin dy gjasende të gjetuna këtu: i pari asht nji çekan i gurit i gjetun gjatë punimeve në yrtin e Shefqet Rr. Bajramit në midis të katundit, 300-400m në lindje të shkollës. Këtë çekan e kam pasun në dorë, nuk e di ata që e gjetën a e kanë ende apo jo. Dëshmi e dytë (e kohës se gurit) asht nji gur i gdhendun që ishte pjesë e ndonji vegle të punës. Këtë gur e gjeta në vendin e quejtun Dardhankodër të ketij katundi rreth 150m në juglindje të shtëpisë sime ose 300-400m në veriperëndim të shkollës. Këtë dëshmi të çmueshme e ruej dhe nji ditë do t’ia dorëzoj arkeologëve të Dardanisë në Prishtinë.

Në vitet 80 të sh. XX i kam dorëzue arkeologëve në Prishtinë nji myhyr (vulë) të kryeplakut të katundit (miftar) të gjetun në këtë vend dhe nji monedhë bronzi të kohës romake të gjetun te Kështjella e Govenit (Kalaja e Pogragjës) kështu duhet të emërtohet ky kompleks historik, arkeologjik e turistik e jo turqisht e sllavisht. Mund të themi lirisht se gati çdokush në këtë katund, që asht marrë me punë bujqësore, ka gjetun në tokë gjana të randësishme për arkelogjinë e historinë tonë po mjerisht ato nuk janë ruejtun nga mosnjohja e mosdija e vleftës së tyne. Unë sa e sa herë kam gjetun monedha të kohës romake, turke etj., kam gjetun disa herë ogroshakë të gurit për bosht, tjerrje, plumba e fyshekë të ndryshëm, etj. Nga kërrshëria që kam për këtë lami kam mbledhun shumë gjana tepër të vlefshme dhe i kam piketue vendet ku arkeologët në të ardhmen duhet ta bajnë punën e tyne. Nji qyp u gjet në vendin e quejtun Gradina (sllavisht) në yrtin e Fehmi F. Rashitit, disa copa të këtij qypi më kanë humbun gjatë 1999, me rastin e damtimit të shtëpise sime, bashkë me shumë gjana të tjera e ma së shumti më dhimbet nji terrakotë (statujë), vetëm koka e nji burri e gjetun në katundin Zllatar.

Nji vorbë (e zbrazët) u gjet në fund të Lugut të Shtrembët në qoshe kah Zabeli i Shimës, në rreze, aty shihen disa gropa ku fëmijët kanë nxjerr botë (allçi e kuqe). Të bijtë e Sylë Veli Canës gjetën nji votër të tanë; gurët e oxhakut, copa çeramike, nji gur mullini të dorës, etj. gjatë punës në arën e tyne në shpat te Lug Gërrzhiqi (Lugu i Gërrgës, Gregorit) në verilindje të katundit. Duhet përmend se në katund kemi mikrotoponimin Vorri i Gërrgës, Gregorit; në Zhegër-Garxhollt, familje, në Cernicë-Gërrxhollt poashtu familje, Gregor-ogllu. Sejdi H. Hasani e gjeti nji vegsh në arën e tij nja 150m në jugperëndim të vendit të qujtun Ku Dridhet Lloçi, kishte në fund drithna, ushqime të asaj kohe.

Në arën time në Fang (mikrotoponim) e gjeta nji kupë vene të bronctë të cilën e dorëzova aty ku duhet bashkë me shumë gjana të tjera, që shihet nga dëshmia që po ia bashkangjes këtij shkrimi. Në këtë vend asht nji votër zjarri (së shpejti do ta baj harkën arkeologjike të vendgjetjeve të Llashticës). Vjet (më 2017) kur vojta në katundin tim i gjeta dy gjana shumë të randësishme. E heca vijën ku kishin pas gropue punëtorët për ujnat e xherizave të katundit dhe për kënaqësine time gjeta përmbi tokë nji gur mullini të dorës i thyem përgjysmë, 40cm i gjanë dhe 6-7cm i trashë me birë (vrimë) në mes. Këtë e gjeta rreth 200-300m në veriperëndim të shkollës.

Kënaqësia e dytë ishte po në atë vijë ku gropuesi kishte nxjerr në sipërfaqe shumë pjesë të enëve të ndryeshme të vorbëtarisë, nji prej tyne ishte e përpunueme ku me e ditë se për çfarë qëllimi asht përdorë. I mora disa prej tyne të cilat mund t’i shihni këtu më poshtë. Shihet qartë se këtu ndodhej nji vendbanim i hershëm. Ato u gjetën në Balltak, në fund të arës së Xhymshit A. Hasanit, 500-600m në veriperëndim të shkollës. Në verilindje të këtij vendbanimi të hershëm del uji nga toka në fund të nji grope të madhe e të gjatë që u krijue nga shafitja e tokës, aty kam gjetun copa të enëve që janë përdorë me bajt ujë, nga kjo shihet se dikund në afërsi ndodhej nji vendbanim. Në Sukë (mikrotoponim) aty ku ndodhen vorret e shqiptarëve dhe të ardhacakëve kolonistë, në maje të asaj kodrine në anën perëndimore aty ku fillojnë arat, tokë e kuqe, ndodhej nji vendbanim i hershëm, aty janë gjetun pllaka të tokës e të kulmit.

Hidromorava

Nja 3-4m në lindje të shtëpisë sime derisa po gërmoja për vijën e ujit të xherizit rashë në nji votër zjarri, thëngjij e hi që nuk u ndal prej sipërfaqes e deri në ma shumë se 1m thellësi, nuk e di se si spjegohet kjo dukuni. Nji gja shihet qartë se këtu kishte jetue dikush, se këtu ndodhej nji vendbanim. Në yrtin e Alush B. Musliut, pllugu i traktorit ra në disa truça (grumbuj) gurësh në nja 5-6 vende. Pronari, si punëtor i madh që ishte, I nxorri këta gurë në sipërfaqe që nuk ishin të mëdhej e shumica kishin madhësine e breshkës e të pjepnës. Gërrmuesi tha se përpos gurëve nuk kishte gja tjetër. Sigurisht këtu dikur ndodhej ndonji vendbanim. Vendi quhet Dardhankodër dhe asht 500-600m në veri apo veriperëndim të shkollës. Ismajl A. Qerimi gjeti në yrtin e tij nji copë hekuri që atij I shërben si kullë për cokatje e që flet se dikur këtu ishte ndonji punëtori, zejtari metalpunuese, 500-600m në juglindje të shkollës.

Përmbi katund në pjesën jugore malore poashtu gjenden gjurmë të vendbanimeve. Së pari asht Livadhi i Katundit i cili dhe nga vet emërtimi dhe nga fjalët e pleqve tregon se aty në të kaluemen kishte vendbanim. Në këtë vend në mes të dy luftave botnore kalonistët çelën ara dhe në këtë rast gjetën gjurmë të shumta të nji vendbanimi të hershëm si gropa, votra, vorba, enë të ndryeshme, etj. Në fund të Lugut të Hujve në anën e djathtë të lumit nja 200m ma poshtë vendit ku bashkohen dy lumejt, kam gjetun copa tjegullash gja që shihej qartë se ato i kishte sjell lumi, dmth. vendbanimi ndodhej dikund ma nalt.

Llashtica i kishte dy kisha, kishën tradicionale e cila u shërbeu banorëve të këtij vendi që ishin të fisit Gash. Kisha ndodhej në rreze, në yrtin e Ilaz Sh. Ramushit ndërsa sot aty asht vetëm Bunari i Kishës që ndodhet në yrtin e Musli R. Ramushit i cili llogaritet se asht së paku 1500 vjet i vjetër.

Për nji kohë të shkurtë në këtë katund jetuen vllahët, popullsi nomade, aromune, prej nga rrjedh edhe emni i këtij vendbanimi. Banorët e sotëm janë të fisit Berishë, ata për këtë qëllim e ndërtuen Manastirin, kishë e ritit bizantin. Kjo kishë iu shërbeu atyne deri kah mesi i sh. XIX. Manastiri ishte në kambë deri kah viti 1875.

Nga këto pak gjana që i thash ma nalt dhe shumë e shumë të tjera që nuk më kanë ra në vesh apo që nuk janë zbulue ende, shihet se rajoni e këtij katundi ishte i banuem që nga kohnat shumë të hershme e deri më sot.

Qamil S. DARDHANKODRA
Toronto, Kanadë