Mobi Casa

Lirinë e atdheut e kishte mbi të gjitha

/ 8 minuta lexim
Fundamenti

Nga Ismet Tafili – Më 4 tetor 2013 mbushen 2 vjet nga vdekja e shokun tonë të nderuar, mikut, atdhetarit, ish të burgosurit politik, vizionarit dhe veprimtarit të dalluar për liri e bashkim kombëtar Njazi Kadriu. Po mbushen 2 vjet nga humbja e tij fizike, por vepra e tij, puna e tij, vizioni, guximi e atdhedashuria do të jenë gjithmonë udhërrëfyes për ne. Humbja e tij fizike nuk domethënë se nuk e kemi pranë, përkundrazi, ai me bagazhin e madh atdhetar, qëndresën në burgjet e kazamateve, këshillat, drejtësinë e urtësinë e tij do të jetë me ne dhe me gjeneratat e ardhshme.

Sot në dyvjetorin e vdekjes së tij, përulemi me respekt të madh para tij, para veprës së tij, para njeriut që e deshi aq shumë Bashkimin Kombëtar.

Njazi Kadriu është një emër i njohur dhe i dëgjuar në tërë Kosovën e më gjerë, është atdhetari, nëpër dejtë e të cilit rridhte gjak shqiptari. Për nderin tonë, për nderin e Malësisë së Bujanocit, Kosovës e Shqipërisë, patrioti Njazi Kadriu ka lindur dhe ka jetuar një kohë të gjatë në fshatin Ramabuqë të komunës së Bujanocit. Pas kryerjes së shkollës fillore në Zarbicë, të mesmes në Tërnoc e Bujanoc, ai në vitin 1977 kreu edhe Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.

Jeta në fshat, përballja me natyrë të ashpër e me jetë të vështirë, i lindur në një familje liridashëse ku bisedat në oda e ndeja të ndryshme bëheshin për luftërat për liri, për luftërat e komandantëve e trimave të kësaj ane, si Idriz Seferit, Mulla Idriz Gjilanit, Abdulla Krashnicës-Preshevës, Ibrahim Kelmemdit, Ali Aliut-Kelmendit, Sylë Zarbicës, Metush Krasniqit, Adem Demaçit, Fazli Graiçecit e atdhetarëve e trimave tjerë, Njaziun e kalitën edhe më shumë, e brumosën me dashuri ndaj atdheut dhe urrejtje për pushtuesin, i cili kishte zaptuar tokat e Shqipërisë.

Shpirti i tij i pastër, drejtësia që kishte në gjenet e tij, që në rini e kishin bërë revolucionar dhe gjerë në vdekje e mbajti këtë parim e qëndrim.

Ai u radhit, në radhët e atyre luftëtarëve që nuk kursyen jetën për liri, në radhët e atyre që penguan planet e pushtuesve, në radhët e atyre që bënë histori të kësaj ane, të Kosovës e Shqipërisë. Ai që herët vulosi jetën e tij në shërbim të atdheut dhe demaskimin e pushtetit çetnik serbo-sllav dhe të shërbyeseve të tij shqiptarë.

Duke ecur rrugës së lirisë kishte takuar Çajupin te vjersha “Shqiptari”: “ja te vdesim ja të rrojme për liri”, më pas takoi shumë shokë që ishin të gatshëm t’i dilnin përball pushtuesit si, Lam Breznicën, Ilaz Doktorin, Hoxhën e Malësisë-Mefail Ramadanin Bajrush Xhemajlin, Sejdulla Kadriun, Ismail Gashin, Shaban Isufin e shumë shokë tjerë.

Demonstratat gjithëpopullore shqiptare në Kosovë dhe aksionin për dënimin e tyre nga komunistët Jugosllavë në vitin 1981, e gjejnë duke punuar në Zarbicë në shkollën fillore “Skënderbeu” si arsimtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Dhe dënimin e demonstratave si nacionaliste, irridentiste antishtetërore jugosllave, Njaziu e kundërshtoi gjë që bëri të jetë edhe me shumë në përcjellje nga syri i UDB-së jugosllave.

Se ishte i vendosur të vdiste e tregon edhe gatishmëria e tij për të luftuar më policinë serbe pas rrethimit që i kishin bërë atij dhe Mefail Ramadanit pasi kishin shpërndarë parulla në Turi e Tërnoc. Najziu me armë në dorë shkonte drejt punktit të policisë, por falë një kamioni që kishte bllokuar rrugën, ata arritën të largohen arave, ku kishin arritur shëndosh e mirë në shtëpi.

Mobi Casa

Organizimi i shokëve në grupe, shpërndarja e afisheve, shkrimi i parullave, përgatitja për grupe guerile, e alarmoi pushtetin serb, dhe ata ishin të vetëdijshëm se nuk mund ta ndalnin ndryshe, andaj e burgosën më, 25. 03. 1983 së bashku me disa shokë tjerë si: Sejdulla Kadriu, Eshref Jakupi, Refik Kadriu, Ramiz Arifi, Selver Bislimi dhe grupin Albanikos nga Dardania, derisa më herët ishin arrestuar edhe Halil Selimi, Imer Hasani, Bejadin Hasani, Abdirrahman Limani, etj. të cilët së bashku me grupet tjera përpiqeshin të formojnë edhe Komitetin e Karadakut.

Njazi Kadriun në burg e munduan shumë e torturuan më shumë se në ferrin e Dantes, por, ai qëndroi besnik dhe pafundësisht i vendosur, sepse ishte idealist me shpirt revolucionari e luftarak, sepse kishte një ideal – Lirinë e Atdhet, dhe ai ishte i vetëdijshëm se ajo nuk vinte pa sakrifica. Me trupin e tij të vogël, që kushdo nuk do t’i përballonte torturave të UDB-ashëve e gardianëve të ferrit serb, por me zemrën e madhe, si një titanik, si një Sfinks, si një Ante, i përballoi ferrit serb, qëndroi i paluhatshëm dhe doli faqebardhë nga burgu më, 24. 03. 1990, për të vazhduar edhe më forcë veprimtarinë e tij atdhetare me bindje të plotë se zgjidhja përfundimtare e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, bëhet vetëm me luftë të armatosur çlirimtare.

Lirinë e atdheut e kishte mbi të gjitha, e kishte para babait, nënës, motrës gruas e fëmijëve. Po të mos ishte kështu nuk do t’u vinte gjoksin hijeve të zeza OZNO-iste e UDB-asheske, ku kishte edhe shqiptarë, nuk do të burgosej, nuk do të punonte për fuqizimin e UÇK-së, UÇPMB-së e UÇK-së në Maqedoni, nuk do të merrej më, edhe pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, as me çështjen e pazgjidhur të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.

Po të ishte ndryshe, do të vazhdonte të punonte si mësimdhënës që kishte filluar të punojë në Zarbicë, me të cilën rrogë jetohej mirë, do të merrej edhe me ndonjë punë tjetër që do të kishte fitime tjera apo edhe me punimin e tokës, pra do të merrej vetëm me familjen e vet. Do të shtyhej me bërryla për t’u bërë ndonjë këshilltar komunal në Bujanoc e Gjilan, apo ndonjë zyrtarë i lartë, dhe sigurisht do t’ia kishte arritur, sepse ishte shumë më i ditur e më i vendosur se ata që kishin zënë vende e poste të ndryshme në institucione. Kështu do të krijonte, sigurisht, jetë luksoze me xhipa e të mira tjera për vete. Por, për të, këto nuk kishin rëndësi, ai dëshironte që populli shqiptar kudo që është të fitojë lirinë, të jetë i bashkuar, sepse vetëm atëherë thoshte: “do të jemi të gjithë mirë, të pasur e të fortë”, përndryshe, pasuria e postet individuale nën pushtues për të, nuk kishin vlerë, ato mund të zhduken në çdo çast, sikurse që ndodhën në luftërat e fundit në hapësirat shqiptare.

Njazi Kadriu krahas punës në bibliotekë ndihmoi edhe luftën e UÇPMB-së deri në nënshkrimin e marrëveshjes. Në vitin 2005, me një grup shokësh themeloi Shoqatën e të Shpërngulurve nga Kosova Lindore “Vatra” me qëllim të ndihmës së qytetarëve shqiptarë që ishin ndjekur nga Kosova Lindore dhe sensibilizimit të çështjes së pazgjidhur të saj.
Edhe shtëpia e tij ishte hapur gjithmonë për miq, shokë e dashamirë. Te ai, në zyrë e në shtëpi, shkonin për t’u konsultuar, për ta pyetur e marrë udhëzime, jo vetëm për problemin e pazgjidhur të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, por edhe për punë tjera të vogla jetësore e individuale. Të gjithë merrnin përgjigjen e duhur dhe ishin të kënaqur nga shpjegimet që u jepte. Mikpritja prej malësori, bujaria e zemërgjerësia tradicionale nga trevat e Hashanisë dalloheshin sa herë që e takoje: në shtëpi, rrugë, punë e ndeja të zakonshme.

Përkundër kësaj për gabimet dhe tentimet për të shkuar rrugës së gabuar e të interesit personal të kritikonte në sy e ta thoshte troç, pavarësisht pse të kishte shok e mik apo pse je në ndonjë post komunal apo shtetëror.

Në këto angazhime atdhetare Njaziu punoi vazhdimisht deri në vdekje, deri në frymën e fundit të jetës së tij pa u dorëzuar para sëmundjes fantazmë që ia gërryente shpirtin e turpin.

Këtë e dëshmojnë kushëriri i tij, bashkëveprimtari e i burgosuri tij i dhomës, Sejdulla Kadriu dhe shoku i idealit Gani Shaqiri, të cilët 3-4 minuta para ndërrimit të jetës, Njaziu i kishte pyetur: “se çka do të bëhet me Kosovën Lindore”?