UBT

Zgjedhje të parakohshme parlamentare gjatë verës? Baraliu komenton situatën politike

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Përkundër qëllimit që e kanë të njëjtë (rrëzimin e Qeverisë Kurti), opozita ende nuk ka mundur të gjejë një kompromis për mënyrën se si ta dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Tri subjektet opozitare, PDK, LDK dhe AAK janë të mendimit që shtatori ta gjejë Kosovën me qeveri të re, pasi sipas tyre qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti nuk ka shënuar asnjë sukses në fushën e brendshme e as të jashtme. Madje, opozitarët deklarojnë se vendi po sanksionohet nga ndërkombëtarët, pikërisht për shkak të veprimeve të kryeministrit.

E, të gatshëm për të shkuar në zgjedhje janë shprehur edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por të cilët potencojnë që është opozita ajo që duhet të ndërmarrë veprime.

Megjithatë, analisti politik, Mazllum Baraliu duke analizuar situatën politike në vend, thotë se përkundër deklaratave për zgjedhje, as opozita dhe as pozita nuk janë të gatshëm për zgjedhje.

Sipas Baraliut, ka shumë faktorë që subjektet politike kanë hezitim të shkojnë në zgjedhje.

“Pikërisht për shkak të interesave që janë të ndryshme të opozitës me partinë në pozitë, gjegjësisht koalicionin qeverisës dhe kalkulimet politike që bëhen të brendshme, përmes sondazheve të brendshme, përmes në një mënyrën e një tjetër inspektimit thuajse të opinionit publik, përgjithësisht votuesve veçanërisht e votuesve potencial të secilës parti edhe më veçanërisht”, u shpreh ai për Telegrafin.

Njohësi i çështjeve politike dhe kushtetuese tha se partitë opozitare nuk janë sa duhet të sigurta se çfarë epilogu do të kenë zgjedhjet, pra se çfarë rezultati do të ketë në zgjedhjet e parakohshme.

Baraliu gjithashtu pohoi se situata aktuale varet edhe nga takimi që kanë pasur përfaqësuesit e PDK-së, me përfaqësuesin e Qeverisë.

Mobi Casa

“Varet se si janë marrë vesh në rastin e një takimi që kanë pasur përfaqësuesi i Qeverisë me përfaqësuesit e Partisë Demokratike, meqë pamë një hap përpara në shtensionimin politik, pra në votimin e këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare që janë të rëndësisë primare për Kosovën me vlera qindra milionësh, mbi treqind milionë dhe po shohim njëfarë lloj shtensionimi. Atëherë ka gjasa që mund të ketë ndonjë marrëveshje edhe për zgjedhje, pra për një çelës te përbashkët, i cili mund të mund të na çojnë zgjedhje të parakohshme”, nënvizoi ai.

Baraliu në intervistë tutje u shpreh se “ ka mungesë të kurajës politike dhe sigurisë politike që të shkohet në zgjedhje”.

“Madje do të thosha që edhe vetë koalicioni qeverisës ka disa përçarje ndoshta, të cilat pak a shumë për herë të parë dolën në sipërfaqe. Dhe opozita po ashtu është e shkapërderdhur fatkeqësisht dhe kështu që nuk kemi ndonjë momentum të përshtatshëm për të pasur një unitet dhe një vendim të përbashkët po ose jo shpejt, sepse koha po ikën, në qoftë se vonohen këto afatet kushtetuese dhe ligjore do të veprojnë kundër këtyre interesave të subjekteve politike, atëherë po them se do do të humbet momentum”, u shpreh ai.

Analisti Baraliu deklaroi se bazuar në zhvillimet e fundit, do të ishte më mirë që Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti të qëndrojë deri në fund të mandatit.

“Unë mendoj që do të ishte më mirë për të gjithë që të mbetet në vijim mandati i kësaj Qeverie që të shkohet deri në fund. Dhe ato premtime të cilat shumë nuk i ka përmbushur as kjo Qeveri, sikurse edhe ato para saj, meqë ka projekte, është viti i fundit, është sezona e ndërtimeve, sezona e punës, të shkohet deri në fund dhe për herë të parë do të ishte me rëndësi që në këtë çerek shekulli të ne të kemi një Qeveri, po edhe një legjislaturë, pra një Kuvend që e përfundon mandatin e plotë ligjor. Kjo do të ishte megjithatë e rëndësishme, historike dhe shprehje e stabilitetit politik dhe parlamentar”, potencoi ai.

Si përfundim, Baraliu tha se “do të ishte mirë që të mendohet mirë dhe të kalkulohen mirë dhe të mos bëhen hapa të gabuar, qoftë të opozitës qoftë të pozitës, sepse ka rreziqe të cilat jo gjithherë mund të zbulohen, ose të identifikohen nga çfarëdo sondazhe që mund të bëjnë, qoftë të brendshme partitë politike për veten e tyre.

Analisti theksoi se sa më shumë kohë që shkon “kjo qeveri mund edhe të dëshmohet si më pak e suksesshme ose më shumë e suksesshme”./T