Hidromorava

Ligji i ri për procedurat e Administratës Tatimore të Kosovës, Gërxhaliu: Diskriminues dhe vështirësues për ekzistencën e NVM-ve

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se mungesa e një dialogu të mirëfillt publiko – privat gjeneron bariera për sektorin privat dhe forcon byrokracin institucionale në dëmë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social.

“Ligji i ri për procedurat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) po krijon sfida të reja dhe të mëdha për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) në vendin tonë. Një ndër ndryshimet më të diskutueshme është obligimi për kryerjen e transaksioneve përmes bankës për shumën mbi 300 €. Kjo rregullore po krijon një barrë të rëndë financiare për kompanitë e vogla dhe të mesme, të cilat shpeshherë varen nga pagesat në dorë për të mbajtur aktivitetet e tyre të përditshme”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas tij, me hyrjen në fuqi të këtij ligji NVM kanë hasur në vështirësi për të mbledhur pagesat e shitjeve në kohë, raporton Ekonomia Online.

“Në të kaluarën, pagesat bëheshin në dorë në kohën reale të furnizimit të produkteve, ndërsa tani, çdo transaksion mbi 300 € duhet të kryhet përmes bankës. Ky ndryshim ka çuar në vonesa të shumta në ekzekutimin e pagesave nga klientët, duke zhytur shumë kompani në borxhe dhe duke krijuar një cikël negativ financiar. Ligji i ri gjithashtu përmban zgjatjen e afatit të vlerësimit tatimor retroaktiv nga 6 në 10 vite dhe zgjatjen e afatit të ruajtjes së librave nga 6 në 10 vite. Këto ndryshime përfaqësojnë një barrë të shtuar për bizneset, sidomos për NVM-të, të cilat tashmë përballen me 101 barriera në ushtrimin e veprimtarive të tyre. Kjo rritje e byrokracisë dhe përgjegjësive administrative vetëm sa i komplikon më tej funksionimin e tyre ”, shtoi ai.

Mobi Casa

Po ashtu ai ka treguar edhe për efektet negative të shkaktuara në Mjedisin Biznesor më sektorin privat në Kosovë.

“Në një situatë ku sektori privat në Kosovë tashmë përballet me sfida të mëdha, këto ndryshime të ligjit janë si një goditje e dyfishtë. Nuk është çudi që shumë NVM po mendojnë të mbyllen ose të zhvendosen jashtë Kosovës, duke e bërë kështu mjedisin biznesor në vendin tonë edhe më të pafavorshëm për investitorët e huaj. Siç duket, në vend që të përmirësojmë mjedisin biznesor, po e bëjmë më të vështirë dhe të paqëndrueshëm Një nga arsyet kryesore për këto ndryshime të papërballueshme është mungesa e diskutimeve me sektorin privat gjatë hartimit të këtyre ligjeve. Këto vendime janë marrë nga kolltuqet dhe zyrat e institucioneve, pa u dëgjuar zëri i atyre që preken direkt nga këto ndryshime – bizneset private”, tregoi ai.

Megjithëkëtë, ish-kryetari ka folur edhe për Sektorin Privat Heronjtë e Pasluftës, duke thënë se me shumë sakrifica kanë ndihmuar në ndërtimin e një ekonomie funksionale dhe të qëndrueshme.“Sektori privat në Kosovë është boshti kurrizor i shtetësisë së vendit tonë. Ata janë heronjtë e pasluftës, të cilët me shumë sakrifica kanë ndihmuar në ndërtimin e një ekonomie funksionale dhe të qëndrueshme. Nëse dëshirojmë një të ardhme më të mirë për Kosovën, duhet të krijojmë ligje që i mbështesin dhe i ndihmojnë këto biznese të zhvillohen dhe të përparojnë, jo t’i ngarkojmë me barriera të panevojshme dhe burokraci të tepruar. Tentativa për rritjen e burokracis dhe qasja për barazi në varfëri duke demtuar sektorin privat e në veqanti atë prodhues ështē rreziku që po forcohet e në heshtje po zbatohet”, foli ish-kryetari.