LDK: Vjosa Osmani po i ofron Kosovës ndryshimin e madh

Gjatë një takimi me qytetarët e Dragashit, kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani, tha se programi i saj qeverisës parasheh jetë të përballueshme financiarisht për nënat dhe baballarët tanë.

“Ne dëshirojmë që për rininë e mrekullueshme të Dragashit dhe të krejt Kosovës të krijojmë kushte që ata të punojnë në Kosovë dhe të krenohen me Kosovën e tyre. Ne dëshirojmë të krijojmë kushte ku vajzat dhe djemtë më të mirë të këtij vendi do të jenë stema jonë e krenarisë”, theksoi Osmani.

“Opoja e di shumë mirë se ditë të mira po na presin pas 6 tetorit, sepse ne e kemi vendosur familjen në qendër të programin tona. Ne dëshirojmë që jeta për nënat dhe baballarët tanë të jetë e përballueshme financiarisht”, vijoi ajo.

“Dragash i dashur, Opojë e bukur, me çikat më të mira, me djem, burra dhe gra të mrekullueshme, do t’i jepni bukuri fitores së madhe të LDK-së më 6 tetor. Ata që do të na votojnë janë edhe shumë përtej kësaj salle. Kur po e shoh këtë përkrahje qytetare, po më duket e panevojshme të merrem me kundërshtarët e mi politikë”, shtoi Osmani duke shprehur besimin që “PAN-istat s’kanë më çka kërkojnë në Dragash”.

Po ashtu, ajo tha se merita kryesore pse në këtë rajon nuk ka pasur gjakmarrje, u takon grave fisnike opojare.

“Ishin gratë e Opojës ato që e mbajtën familjen bashkë, ishin gratë e Opojës ato që i mbajtën shqiptarët bashkë. Nuk lejuan gjakmarrje. Ata që thonë se gruaja shqiptare nuk ka guxim, përgjigjen e marrin në Opojë”, pohoi zonja Osmani.

Po ashtu, Osmani u zotua se LDK-ja kurrë nuk do të qeverisë me parti që ia kanë ngulur thikën pas shpine, siç është PDK-ja.

“Vetëm kush e ka përnjëmend luftën kundër krimit dhe korrupsionit mund të bëhet partneri ynë qeverisës. Ju zotohem se ju kurrë më s’keni me u turpërue me liderët tuaj”, shtoi Osmani.

Ajo foli edhe për Programin e saj qeverisës. “Dragashi është komuna më e harruar e Kosovës, që meriton më shumë respekt për djersën dhe punën e secilit qytetar. Nuk do të lejomë që grantet e subvencionet t’i marrin të korruptuarit, do të garantojmë që ato grante t’i marrim bujqit dhe blegtorët e vyeshëm të kësaj ane”, tha në fund ajo.

Në këtë manifestim foli edhe nënkryetari i LDK-së, z. Lutfi Haziri, i cili tha se krejt “çka ju japim oponentët tanë politikë merrni, sepse janë taksat tuaja, por vetëm votën mos ua jepni”.

“Elektorati i LDK-së është ringritur në këmbë për rikthimin e madh të LDK-së. Familja jonë politike ia ka dhënë përkrahjen Vjosës, por në Dragash po kërkojmë votë edhe përtej LDK-së, sepse ne dëshirojmë t’i ofrojmë Kosovës ndryshimin e madh”, tha Haziri.

Duke folur për koalicionet paszgjedhore, Haziri tha se ne “nuk bëjmë koalicion me ata që e kanë helmuar pusin dhe nuk i lejojmë qytetarët e Kosovës që të pinë ujë në pusin e helmuar”.

Ndërsa, kryetari i Degës së LDK-së në Dragash, z. Selim Kryeziu theksoi se Vjosa Osmani ishte studente në Shtetet e Bashkuara dhe ajo tani është ligjëruese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Vjosën tonë duhet ta votojmë për përgatitjen e saj profesionale, për qëndrueshmërinë dhe vizionin e saj”, pohoi Kryeziu. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS