RCCOLA

LDK e Gjilanit: Mirënjohje për mësimdhënësit që e ruajtën qenien shqiptare në një kohë të pakohë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Punëtorët e arsimit në Gjilan i kanë dhënë mbështetje të madhe të shtunën kandidates së LDK’së për kryeministres, Vjosa Osmani dhe pesë kandidatëve për deputetë nga kjo komunë: Lirije Kajtazi (6), Fatmir Rexhepi (20), Valentina Bunjaku Rexhepi (21), Imet Rrahmani (35) dhe Faton Bislimi (44).

Kryetari i Shtabit Zgjedhor të Degës, Arben Mehmeti, ka deklaruar me këtë rast se LDK e ka programin më të mirë për sektorin e arsimit, i cili, do të implementohet në tërësi, duke krijuar kushte më të mira për profilin parashkollor, fillor, të mesëm dhe atë universitar.

Ndërkaq, kandidatja për deputete, Valentina Bunjaku Rexhepi (21), tha se në arsim ka shumë defekte, probleme e parregullsi të mëdha, për të shtuar se puna e parë që duhet të bëhet është depolitizimi.

“Programi i LDK’së është program për një arsim cilësor, një edukim që secili do ta ketë lakmi. LDK e ka paraparë riorganizimin e shkollave, mësim tërëditor dhe fokusin e ka mësuesin, nxënësit dhe prindin, e jo përfitimin dhe korrupsionin. Me ardhjen e LDK’së në Qeveri, programi i arsimit do të realizohet pikë për pikë sepse ka në listë kryesisht njerëz akademik dhe njerëz të shkencës”, tha Bunjaku Rexhepi.

Kandidati për deputet i LDK, Faton Bislimi (44) tha se arsimi është bazament për të ndërtuar një shoqëri e shëndosh, ndërkaq theksoi se po të mos ishte sakrifica e mësimdhënësve, ne nuk do të ishim sot këtu.
“Mirënjohje e madhe për ata që punuan në kushte të tmerrshme dhe nëse dikush e ka ruajtur qenien shqiptare, atëherë ata janë mësimdhënësit. Njëri nga apostulatet e arsimit është objektivi, pra ajo pse shkojnë njerëzit në shkollë. E kemi për detyrë për t’i përgatitur gjeneratat për t’u bërë të zot vetvetit dhe të shtetit. Treguesi më i mirë i kualitetit të arsimit janë rezultatet që i japim nxënësit e studentët në fushat profesionale në praktikë. Është obligim investimi në arsim, në mënyrë që trekëndëshi mësimdhënës-nxënës-prindër, të funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Bislimi.

Kandidatja Lirije Kajtazi (6), i ka falënderuar mësimdhënësit për punën e madhe që e kanë bërë dhe e bëjnë për edukimin e gjeneratave të tëra, duke shtuar se ajo që është më e rëndësishmja, është motivimi nxënësin, të cilët e kanë bërë dhe po e bëjnë në vazhdimësi.

Kandidati tjetër për deputet, Imet Rrahmani (35), tha se arsimi është baza e ngritjet së shëndosh te shoqërisë, duke shtuar se puna e mirë që bëni ju, përkthehet me nxjerrjen e kuadrove që sot janë profile të jashtëzakonshme të shtetit.

Gjatë këtij takimi, kandidatët për deputetë kanë marrë përkrahje dhe lavdata, sikurse u dhanë edhe rekomandime në mënyrë që sektori i arsimit të bëhet sektor për lakmi.

Në fund, mësimdhënësit u pajtuan që Fondi i Ekselencës në Gjilan, është modeli më i mirë për implementim në krejt Kosovën.

Mund të ju interesoj: