Hidromorava

Kuvendi miraton Kornizën Afatmesme Buxhetore 2013-2015

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Me miratimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore 2013-2015, vendimmarrësit komunalë kanë mbyllur agjendën e punës për pjesën e parë të vitit, për të vazhduar pjesën tjetër në shtator.

Nuhi Nuhiu, drejtor për Buxhet dhe Financa ka thënë se të hyrat e Komunës së Gjilanit kanë shënuar rritje nga viti në vit, ndërkaq buxheti i vitit 2013 do të jetë 18.418.682 euro.

Në bazë të planifikimit, nga viti 2013 grantet qeveritare për komunën e Gjilanit do të shënojnë rritje graduale, e cila shkon deri në rreth 3 për qind, kurse të hyrat vetjake komunale, kanë shënuar rritje të ndjeshme nga viti në vit.

Të hyrat vetjake të planifikuara për këtë periudhë shënojnë rritje përafërsisht 1.5 për qind, që kryesisht vjen nga tatimi në pronë, për shkak të rritjes së normës tatimore për 2013-2015. Realisht nëse shikojmë planifikimin nga viti 2012 deri në vitin 2015, rritja e të hyrave të planifikuara nga tatimi në pronë do të jetë për 4.5 për qind, ka thënë Nuhiu.

Sipas tij, rritja do të ishte më e madhe nëse të hyrat nga taksa për biznese nuk do të kishin rënë për 10 për qind gjatë periudhës 2011-2012, si rezultat i vendimit që ka marrë Asambleja Komunale për të liruar bizneset e reja nga kjo ngarkesë, me qëllim të krijimit të një ambienti sa më të favorshëm biznesor.

Komuna e Gjilanit, në tri vitet e ardhshme do të bëjë përpjekje në mobilizimin e resurseve komunale me qëllim të adoptimit të politikave të reja që ka iniciuar qeveria e Kosovës, por edhe të atyre të iniciuara në nivel komunal.

Granti i përgjithshëm për komuna, që aktualisht është 10 për qind, do të reduktohet në 8 për qind gjatë viteve të ardhshme. Për Komunën e Gjilanit kjo do të vazhdojë të jetë një risk që duhet trajtuar në të ardhmen dhe menduar strategjitë që duhet ndjekur me qëllim të mbulimit të asaj diference që do të shkaktonte ulja e nivelit të grantit të përgjithshëm për komunën.

Së dyti, komuna e Gjilanit do të ballafaqohet me ulje tutje të granteve qeveritare, sidomos të atyre që për kriter për ndarje marrin numrin e popullsisë, pasi që duke filluar nga viti 2013 të dhënat e regjistrimit të popullsisë gjatë vitit 2011 do të bëhen zyrtare dhe numri i banorëve do të dalë më i ulët se ai mbi bazën e të cilit aktualisht ndahet buxheti komunal, që nënkupton se buxheti i komunës do të jetë më i vogël.

Së treti, në rast se në periudhën afatmesme Qeveria e Kosovës do të ndryshojë formulën e ndarjes së grantit të arsimit, ndarje kjo që pretendohet të bëhet në bazë të normës e jo të numrit të nxënësve, atëherë edhe kjo do të ketë ndikim të dukshëm në buxhetin e komunës, sepse zvogëlohet granti i arsimit, që përbën pjesën më të madhe të buxhetit komunal.

Mobi Casa

Kategoria e shpenzimeve për mallra dhe shërbime, përfshirë edhe komunalitë, është rritur për 57 për qind nga viti 2012 në vitin 2013 dhe tutje, që kryesisht ka të bëjë me mirëmbajtjen e projekteve të reja kapitale si dhe rritjes së nevojave për material shpenzues.

Subvencionet pritet të shënojnë ngritje për 85 për qind, krahasuar e vitin 2012, si rezultat i zgjerimit të skemave të përfituesve kryesisht në fushën e bujqësisë dhe shëndetësisë. Rritja me e theksuar është në vitin 2013 ndërsa në dy vitet tjera nuk do të ketë lëvizje të buxhetit të ndarë për këtë kategori.

Investimet kapitale do të shënojë rënie sidomos në vitin 2013, për 20 për qind, krahasuar me vitin 2012, si rezultat i shpërndarjes më të madhe buxhetore në kategoritë e tjera ekonomike dhe rritjes së dedikuar në subvencione dhe mallra dhe shërbime. Rënia në investimet kapitale, nga buxheti i komunës do të përmirësohet nga viti në vit, mirëpo edhe në vitin 2015 do të vazhdojë të jetë më e ulët nga aktualja, ka thënë Nuhiu.

Zijadin Maliqi nga grupi i këshilltarëve të LDK-së, pati vërejtje te shpërndarja e mjeteve nëpër kategori, e sidomos te shpenzimet për mallra dhe shërbime, të cilat, sipas tij shkojnë në dëm të investimeve kapitale, ndërkohë që tha se ky buxhet nuk garanton zhvillim ekonomik të komunës.

Vërejtje te investimet bënë edhe këshilltarët tjerë të këtij subjekti opozitar, Ramiz Ramadani, Bahrije Veseli, Avdyl Aliu, Arben Mehmeti, Nevzat Rushiti dhe të tjerë, sikurse edhe Shukrije Rapuca (PDK), e cila u përqendrua te lagja “Zabeli”, derisa buxheti i planifikuar u vlerësua i vogël për komunën e Gjilanit edhe nga Arben Maliqi (AKR) e Sokol Haziri (AAK).

Duke iu dhënë përgjigje interesimeve të këshilltarëve komunalë, drejtori Nuhi Nuhiu ka thënë se e kupton që kërkesat dhe nevojat e qytetarëve janë më të mëdha, por buxheti i komunës është ky që është.

Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal tha se tani po miratohet vetëm KAB 2013-2015, ndërsa buxheti për vitin e ardhshëm miratohet më vonë. Ne buxhetin e planifikojmë në bazë të nevojave dhe interesave të qytetarëve, ka thënë Zeka, duke e lënë të hapur mundësinë që në buxhetin 2013 të bëhen ndryshime të vogla te investimet, nëse vlerësohet e nevojshme, por ka thënë se gjërat duhet të planifikohen.

Kuvendi Komunal nuk e ka miratuar propozim vendimin për miratimin e propozim zgjidhjes urbanistike të hapësirës publike në lagjen “Dheu i Bardhë 2”, ku një hapësirë e destinuar të gjelbërim të shndërrohet në hapësirë për banim, për nevojat të banimit social, me arsyetim se nuk janë përfillë procedurat paraprake.

Ndërkaq, Selim Selimi, zëvendëskryesues i KK i ka njoftuar këshilltarët komunalë për vizitën e një delegacioni komunal në qytetin Jellderem të Turqisë, me të cilin Gjilani është binjakëzuar. /rajonipress/