Fundamenti

Kush po i helmon vajzat afgane?

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Gjatë viteve të fundit janë shtuar rastet e helmimit të vajzave nëpër shkollat në Afganistan. Histeri masive, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë, vepër e talebanëve, të cilët kundërshtojnë edukimin e vajzave dhe të femrave, thonë autoritetet afgane dhe shoqëria civile në Afganistan.

Manizha Naderi, drejtore ekzekutive e organizatës Femrat për Femrat Afgane, insiston se vajzat janë helmuar nga talebanët. “Vajzat janë të sëmura dhe njerëzit nuk sëmurën për shkak të histerisë”, thotë ajo.

Më 17 prill, 150 vajza u transportuan nga shkolla e tyre në spital, në provincën afgane Takhar, pasi që kishin dhimbje të kokës dhe marramendje. Disa prej tyre humbën vetëdijen, ndërsa disa të tjera po villnin kur arritën në spital. Që të gjitha u lëshuan pas disa orëve të kaluara në spital.

Një muaj më vonë, së paku 120 vajza dhe tri mësuese në të njëjtën provincë u ankuan për shkak të të njëjtave simptome dhe u dërguan sërish në spital. Një javë më vonë, 160 vajza në Taluquan, kryeqytetin e provincës Taghar, gjithashtu u regjistruan si të sëmura.

Të gjitha këto incidente u shoqëruan me raportet se ajri apo uji i shkollës mund të jenë të kontaminuar. Helmimi nëpër shkolla është një dukuri, e cila ka tashmë tri vite që po vazhdon në Afganistan, por kohëve të fundit është shtuar dukshëm numri i këtyre rasteve në krahasim me vitet e kaluara.

Më 6 qershor, qeveria afgane akuzoi zyrtarisht talebanët se kanë helmuar me qindra vajza anembanë vendit. Por rezultatet e testeve kimike të mureve të shkollave dhe mostrat e marra nga vajzat e helmuara nuk dëshmojnë për praninë e ndonjë helmi të pazakonshëm.

Analistët gjithashtu sugjerojnë se talebanët nuk posedojnë mjetet e nevojshme të sofistikuara, për të krijuar kemikalie, të cilat nuk lënë gjurmë. Megjithatë, një person ka pranuar se ka paguar vajza, për të dërguar materie kimike në shkollat e tyre.

“Ishte një gjë e gabuar, ishte jo-islamike, ishte faji im. Bëra një gabim”, tha ky person, një nga tre të dyshuarit që po merret në pyetje nga ana e autoriteteve afgane në lidhje me helmimet.

Në ndërkohë, talebanët kanë mohuar se janë përgjegjës për helmimin e vajzave të reja, përkundër faktit se ata kundërshtojnë edukimin e vajzave dhe të femrave. Ata për këtë fajësojnë njerëz të infiltruar nga Pakistani.

Megjithatë, të tjerët, përfshirë këtu edhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (WHO), thonë se nuk ka pasur fare helmim dhe se vajzat e reja thjeshtë po përjetojnë atë që ata e cilësojnë fenomen të rrallë të histerisë masive, për shkak se vajzat gjatë gjithë jetës kanë jetuar në këtë shtet të shkatërruar nga lufta. Dhe dëshmitë për histeri masive mund të cilësohen si mjaft bindëse. WHO bëri publike zbulimet e saj, duke theksuar se 32 nga 34 shkollat e goditura kanë ofruar mostra të ujit, gjakut dhe urinës-me ç’rast janë testuar gjithsej 200 mostra-dhe të gjitha mostrat dolën negative.

“Në bazë të zbulimeve paraprake, analizimit të incidenteve dhe situatës aktuale, sëmundja masive psikologjike është shkaktari më i mundshëm”, u theksua në kumtesën e WTO-së.

Hidromorava

Histeria masive është një traumë, e cila zakonisht diagnostifikohet te femrat e reja, edhe pse gjithmonë ekziston rreziku që ato të cilësohen si histerike edhe atëherë, kur janë me të vërtetë të sëmura.

Manizha Naderi, drejtore ekzekutive e organizatës Femrat për Femrat Afgane, me seli në New York dhe Kabul, insiston se vajzat janë helmuar nga talebanët.

“Vajzat janë të sëmura dhe njerëzit nuk sëmurën për shkak të histerisë. Këto ngjarje janë reale, po ndodhin dhe janë serioze”, thotë Naderi.

Sipas saj, këto helmime janë pjesë e fushatës pranverore të talebanëve, gjatë së cilës ata po djegin shkolla dhe po ekzekutojnë mësues. Edhe agjencia e Afganistanit për inteligjencë, NDS, beson se talebanët janë përgjegjës dhe se këto sulme kanë për qëllim që të bindin vajzat që mos të edukohen, në momentin kur SHBA-ja dhe aleatët e saj po përgatitën që të tërheqin forcat e tyre nga Afganistani deri në vitin 2014.

Ministria afgane e Edukimit ka qenë e detyruar të mbyllë 550 shkolla në 11 provinca të dominuara nga talebanët, ngase nuk ishte në gjendje të garantojë sigurinë e nxënësve. Te shumë nxënëse afgane, frika nga talebanët tashmë është ngulitur në jetët e tyre të përditshme. Komisioni i Pavarur Afgan për të Drejta të Njeriut ka raportuar se mbi 50 për qind të prindërve për shkaqe të sigurisë nuk dërgojnë vajzat e tyre në shkollë.

Megjithatë, situata në Afganistan është përmirësuar gjatë dekadës së fundit, në veçanti në fushën e edukimit.

“Para 10 apo 11 viteve nuk kishte asgjë. Pothuajse asnjë vajzë nuk shkonte në shkollë, nuk kishte shkolla, nuk kishte edukim, nuk kishte asgjë”, thotë Naderi.

Në vitet pas dëbimit të talebanëve nga Kabuli, sistemi i edukimit është përmirësuar dukshëm: në vitin 2007, më pak se 1 milionë nxënës ishin të regjistruar në shkolla. Sot numri i tyre arrin në 7 milionë, 2.5 milionë prej tyre vajza, për dallim nga 5 mijë, gjatë kohës sa talebanët ishin në pushtet.

Përkundër raportit të ËHO-së, policia e Afganistanit ende është e bindur se së paku disa prej këtyre incidenteve nëpër shkolla janë vepër e talebanëve. Naderi thotë se mediet afgane kanë njoftuar për disa raste të helmimeve, duke nxitur shumë afganë që të kërkojnë aksion nga qeveria.

“Shoqëria civile nuk po qëndron e heshtur në lidhje me këtë dhe do të sigurohemi që as qeveria të mos qëndrojë e heshtur. Është kjo një gjë serioze dhe duhet të kuptohet si e tillë”, nënvizoi Naderi. (Time)