“Kur dëgjova në mbarim të ditës”
Nga Arben Idrizi – Nuk është ndonjë e arritur e jashtëzakonshme të angazhohesh për të drejtën tënde, personale, a të grupit të cilit i takon. Në fund të fundit, kjo është edhe bukur instinktive. Vlerat dhe parimet më të larta, mendoj, manifestohen dhe realizohen atëherë kur angazhohemi për të drejtat e tjetrit, e një komuniteti të rrezikuar dhe të pafuqishëm.
Ekstremet puqen. Pati thënë Pascali.
Në një pjesë të vendit, një grup i caktuar etnik ia mësyn një grupi tjetër etnik, duke synuar ta keqtrajtojë, përzë, apo tamam ta zhdukë nga faqja e dheut, ta vrasë, me “arsyetimin” se i përket një etnie tjetër dhe si i tillë nuk e meriton të jetojë këtu as askund. Në pjesën tjetër të vendit, në ekstremin tjetër, një grup tjetër etnik ia mësyn një grupi tjetër etnik, duke synuar ta keqtrajtojë, përzë, apo tamam ta zhduke nga faqja e dheut, ta vrasë, me “arsyetimin” se i përket një etnie tjetër dhe si i tillë nuk e meriton të jetojë këtu as askund.
Në një pjesë të vendit, një grup i caktuar fetar ia mësyn një grupi tjetër fetar, duke synuar ta keqtrajtojë, përzë, apo tamam ta zhdukë nga faqja e dheut, ta vrasë, me “arsyetimin” se i përket një feje tjetër dhe si i tillë nuk e meriton të jetojë këtu as askund. Në pjesën tjetër të vendit, në ekstremin tjetër, një grup tjetër fetar ia mësyn një grupi tjetër fetar, duke synuar ta keqtrajtojë, përzë, apo tamam ta zhdukë nga faqja e dheut, ta vrasë, me “arsyetimin” se i përket një feje tjetër dhe si i tillë nuk e meriton të jetojë këtu as askund.
Diku, kudo në vend, një grup i caktuar, i thirrur në “vlerat” e shumicës, ia referon në mënyrën më arbitrare dhe jonjerëzore vetes “të drejtën” t’i imponojë bindjet, pikëpamjet dhe normat që vijnë nga besimi i tij, pavarësisht të drejtave kushtetuese që ekzistojnë në vend dhe që i sanksionojnë veprimet e tilla.
Kur ndodhin këto gjëra, ne: institucionet shtetërore, organet e rendit, mediat, organizatat e ndryshme që merren me të drejtat e njeriut, intelektualët, etj., dalim në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, të përcaktuara nga konventat e ndryshme nëpër kohë dhe konkretisht nga Kushtetuta jonë.
Kështu duhej të bënim, ose e bëmë pak a shumë, në mënyrën tonë, edhe në rastin e Kosovo 2.0, ku një grup ekstremistësh fetarë e huliganësh sportivë (ja pra që ekstremet puqen, gjithherë) sulmuan organizatorët dhe mysafirët e Kosovo 2.0, në promovimin e numrit të radhës të revistës kushtuar seksit, demoluan skenën ku do të bëhej promovimi; e në ditët në vijim sulmuan fizikisht përfaqësuesit e disa organizatave që merren me të drejtat e komunitetit LGBT. Në të vërtetë, reagimet e institucioneve shtetërore dhe vetë intervenimi i organeve të rendit në radhë të parë nuk duket të jenë në nivelin e pritshëm në një rast të tillë të shkeljeve të të drejtave dhe lirive.
E megjithatë ka goxha shumë për të reflektuar dhe interpretuar te reagimet e institucioneve, organeve të rendit dhe subjekteve politike.
Kryeministri Thaçi reagoi dhe e dënoi sulmin pas disa ditësh. Përderisa nuk e bënte këtë, kishim përshtypjen se edhe ai si i pari i vendit dhe si i pari i njërit prej subjekteve më të mëdha politike në vend, po kalkulonte. Po, po kalkulonte se mos duke dalë në mbrojtje të Kushtetutës do të humbiste votat. Pikërisht këtë e mendonin derisa nuk reagonin ose e mendojnë derisa nuk kanë reaguar edhe të tjerët, institucionet e personat. Habinë më të madhe, në fund e shkaktoi Vetëvendosje, e cila, më një paturpësi mizore, u deklarua se kemi probleme më të mëdha se seksi.
Tani, ç’është kjo frika e votave dhe a kemi probleme më të mëdha se seksi?
Ka shumë kundërthënie këtu.
Në Kosovë shumica na qenkan myslimanë. Kosova është shtet laik. Me Kushtetutën e Kosovës, janë të mbrojtura të drejtat dhe liritë e njeriut; në këtë kontekst edhe e drejta dhe liria e fesë si dhe e drejta dhe liria e orientimit seksual. Kushtetuta dhe seksi janë në harmoni. Feja ka tendencë të dalë nga vrima e vet dhe të shfaqet agresive.
Ndonjëherë duke e marrë në mbështetje edhe ndonjë emocion tjetër, si nacionalizmi, etj., e më shumë duke iu referuar gjoja traditës dhe idesë së konservatorizmit. Këto dy të fundit kanë dëshmuar se mund të jenë gabime të pafalshme.
Edhe në rastet kur shumica kanë besime, bindje e pikëpamje kundërskushtetuese, institucionet shtetërore laike duhet të jenë në mbrojtje të kushtetutës pa asnjë mëdyshje. Nuk është e ligjshme, ka as kuptim as nuk është e ndershme moralisht të kalkulohet në raste të tilla. Se, çdo kalkulim i tillë dhe mëdyshje vë në diskutim ekzistencën e vet asaj kushtetute. Dal në mbrojtje të kësaj kushtetute jo pse është e përsosur, por sepse është më e mira që deri më sot kemi mundur e ditur t’ia ofrojmë vetes; sepse, thjesht, i mbron të drejtat dhe liritë e njeriut dhe personalisht unë jam për këtë. e duke qenë se orientimi seksual është një e drejtë kushtetuese, unë jam që të mbrohet më çdo kusht kjo e drejtë.
Si Vetëvendosje, se kemi probleme më të mëdha se seksi, mendojnë edhe kundërshtarët e të drejtave të njeriut, përkatësisht ata që mendojnë e besojnë se homoseksualiteti nuk duhet të jetë një e drejtë. Ja ku edhe njëherë puqen ekstremet.
A ka problem më të madh se ky, siç pretendon Vetëvendosje?
Jo. Unë mendoj se jo.
Pikërisht ngase kemi të bëjmë më të drejtat e njeriut. E kur kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut, atëherë ky është problemi më i madh që kemi.
E problemi bëhet edhe më i madh kur në njërën anë, sulmuese, kundërshtuese, është shumica, ndërsa në anën tjetër është një pakicë, viktimë, në kërkim të të drejtës së vet.
Është tamam në raste të tilla kur një shoqëri në tërësinë e saj e zbulon, manifeston dhe vë në jetë shpirtin e saj: të jetë në mbrojtje të kësaj pjese të shoqërisë, përkatësisht të kësaj të drejte, apo kundër saj, përkatësisht e prirë dhe e orientuar t’i shkelë të drejtat e njeriut, ta mohojë të drejtën dhe lirinë?
Nuk është ndonjë e arritur e jashtëzakonshme të angazhohesh për të drejtën tënde, personale, a të grupit të cilit i takon. Në fund të fundit, kjo është edhe bukur instinktive. Vlerat dhe parimet më të larta, mendoj, manifestohen dhe realizohen atëherë kur angazhohemi për të drejtat e tjetrit, e një komuniteti të rrezikuar dhe të pafuqishëm.
Të shkosh me mendjen ka punë më të rëndësishme sesa të drejtat e njeriut, është t’i çosh në gojën e ujkut ata qytetarë që sot persekutohen për shkak të orientimit të tyre seksual, t’ua mohosh të drejtën e të qenit të mbrojtur nga institucionet dhe nga vetë shoqëria (derisa gjoja t’i zgjidhim problemet e mëdha). Do të thotë, t’iu japësh të drejtë ekstremistëve fetarë e të tjerë t’i përndjekin dhe t’i vrasin.
Unë nuk jam homoseksual. Në këtë kontekst, nuk e kam tani e këtu përvojën e tyre të drejtpërdrejtë të dhimbjes së të qenit të përndjekur, të rrezikuar, të mohuar. Por, si qenie njerëzore, e një përkatësie të caktuar etnike, shqiptar, si edhe ju të tjerët, qofshi ju heteroseksualë, biseksualë apo homoseksualë, e kam përjetuar dhimbjen e të qenit i përndjekur, rrezikuar dhe mohuar për shkak të etnisë. Kaq gjë, pak a shumë, më bën ta ndiej mizorinë e çdo përndjekjeje, rrezikimi dhe mohimi. Kaq gjë më bën ta kuptoj sa mizore, shtazarake, është çdo përpjekje e kujtdo qoftë për t’ia mohuar tjetrit të jetë ai që ndihet të jetë, ta ndjekë natyrën e tij, ta përmbushë veten në mënyrën më njerëzore të mundshme.
Walt Whitman ishte i lumtur vetëm në dashuri. Ishte i lumtur për dashnorin e tij hyjnor, siç do të quante ai vetë.
»Kur dëgjova në mbarim të ditës se si ma përmendën emrin me brohori në Kapitol, ajo natë s’ka qenë e gëzuar për mua… Por ditën kur u ngrita prej agut në shtrat… Dhe kur mendova se miku im i dashur qe në udhë e sipër për tek unë, O, po, ahere qeshë i lumtur». Është aq e mrekullueshme dhe hyjnore ndjesia që e përcjell kjo poezi, sa nga ngazëllimi etik e estetik më bëhet sikur e tërë bota për një moment ka gjetur lumturinë dhe se e keqja që në të vërtetë na rrethon është vetëm një mirazh shkretëtire. Ama, jo, mirazhet e shkretëtirave sundojnë në të vërtetë mbi ne.
Pse dikush duhet të jetë aq kafshëror sa t’ia mohojë tjetrit ta ndiejë këtë lumturi? Aq më tepër kur vetes ia dëshiron një lumturi të tillë. E sidomos kur vetes ia dëshiron një lumturi të tillë.
Mundet se ne jemi shumicë fetare (e feja e dënuaka homoseksualitetin), mundet se ne jemi shqiptarë (e shqiptarizmi e dënuaka po ashtu. Kush është ai idiot që e tha këtë?), por ne nuk po arrijmë të jemi, duke i shkelur të drejtat e njeriut, njerëz. Sa duket, duhet të mësojmë të jemi njerëz. Të edukohemi të jemi njerëz. Të edukohemi të kemi një shpirt qytetar, solidar, tolerues, respektues. Ta dëshirojmë lumturinë e tjetrit, t’i gëzohemi lumturisë së tjetrit, t’ia mundësojmë tjetrit ta arrijë atë lumturi kur kjo është edhe në dorën tonë. Ngase, që të përsëritmi, të angazhohemi për lumturinë tonë personale, mban edhe erë egoizmi; të angazhohemi për lumturinë e tjetrit, ka një përkufizim shumë më human: altruizëm.