Uji Dea

Kryeziu del edhe me një vepër cilësore dhe të dobishme për Anamoravën

/ 14 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Prof. dr. Bahtijar Kryeziu: “Opinione, përurime, intervista”, ShB “Era”, Prishtinë, 2014, f. 302. Në veprën “Opinione, përurime, intervista”, janë përfshirë shkrime nga tri fusha, siç del edhe nga titulli i veprës, të cilat, sado që pleksin më vete tema paksa të ndryshme, në tërësinë e tyre kanë një lidhje të ngushtë, të cilat portretizojnë një vepër të asaj natyre, çfarë edhe e ka menduar autori i saj ta botojmë.

Ditë më parë, Bahtijar Kryeziu (prof.dr) nxori nga shtypi edhe një vepër me titull “Opinione, përurime, intervista”. Në këtë botim, sipas asaj që shkruan autori i kësaj vepre, janë përfshirë një numër shkrimesh të cilat, ose janë shkruar e botuar pas botimit të veprës së fundit (“Recensa filologjike”, Prishtinë, 2014), ose, si të këtilla, kanë dalluar nga ato punime të botuara në ndonjërën nga veprat e mëparshme, duke mbajtur parasysh tematikën që është trajtuar në ato botime.

Në veprën “Opinione, përurime, intervista”, janë përfshirë shkrime nga tri fusha, siç del edhe nga titulli i veprës, të cilat, sado që pleksin më vete tema paksa të ndryshme, në tërësinë e tyre kanë një lidhje të ngushtë, të cilat portretizojnë një vepër të asaj natyre, çfarë edhe e ka menduar autori i saj ta botojmë.

Në pjesën e parë të veprës, te kreu Opinione, Kryeziu ka paraqitur një studim për ndihmesën e profesor Idriz Ajetit në fushën e onomastikës, të kësaj disipline relativisht të re dhe shumë problemore të gjuhësisë, ku të huajt (jo të gjithë), me paragjykimet dhe detyrat që kishin marrë (veçanërisht ata sllavë), përpiqeshin e përpiqen edhe sot që përmes “objektivitetit shkencor” të shpjegimit të onomave të ndryshme (si fosile të paleontologjisë njerëzore) të Ilirikut të dikurshëm – të Kosovës së sotme dhe të tërthoreve të tjera të gjeografisë shqiptare, të caktojnë, jo vetëm fatin por edhe “shtëpinë tjetër” të shqiptarëve, siç ishin, bie fjala: Selishqevi, Veigandi, Skoku, Ivan Popoviqi, Atanasije Urosheviqi e të tjerë studiues të këtij kalibri, të cilëve u vunë gjoksin përpara, “për gabimet e tyre profesionale”, pena e mprehtë e kurorës së gjuhësisë shqiptare – Eqrem Çabej si dhe e patriarku e klasiku i albanistikës e ballkanistikës – Idriz Ajeti.

Profesor Ajeti, përveç në konferenca, simpoziume e revista shkencore, të vërtetat për autoktoninë e shqiptarëve e të prejardhjes së gjuhës shqipe, me reagimin e tij dinjitoz, të guximshëm dhe të vendosur, të gjithë atyre që e shtrembëronin historinë tonë, më se njëherë, ua përplasi, edhe në organet më të larta partiake e shtetërore, siç ishte rasti edhe në Kongresin IX të LK-së të Serbisë, të mbajtur më 1982. Të vërtetës për shqiptarët e trojet e tyre, profesori i doli zot edhe në polemikat e zhvilluara me Petar Zhivadinoviqin, Jovan Deretiqin, akademik Sima Qirkoviqin, në mbledhjen e 46 të Redaksisë Qendrore të Enciklopedisë së Jugosllavisë (1982).

Përmes një vargu çështjesh edhe të diskutueshme gjer vonë: historike, antropogjeografike e sidomos gjuhësore – onomastike, akademik Ajeti, mbështetur në metoda të rrepta dhe objektive shkencore, shpalos të vërtetën dhe lashtësinë “e popullit tonë dhe të gjuhës së tij në trojet e veta që i banon sot e ku ka banuar dikur, së paku që nga antikiteti” – siç shihet edhe në punimin e autorit të përfshirë në këtë vepër.

Vështrimi i dytë në këtë pjesë të librit ka të bëjë me studimin “Lugina e Preshevës në dritën e emërtimeve të vjetra shqipe”, ku janë bërë përpjekje për të ndriçuar sadopak onomastikën e këtij krahu, e cila ka gjurmë edhe të elementit alogjen turk, sllav, grek, latin, arumun, por sigurisht, me mbizotërim të elementit shqiptar, sidomos në mikrotoponimi, por e cila lëndë, për fat të keq, deri më tani nuk është marrë sa e si duhet në shqyrtim nga studiuesit tanë. Bën përjashtim ndonjë studim i rrallë në fushën e dialektologjisë (Idriz Ajeti), të historisë (Skënder Rizaj, Sabit Uka), të gjeografisë – demografisë (Hivzi Islami), të topono-mastikës ( Rexhep Ismajli), të arkeologjisë ( Jahi Murati), ose edhe të ndonjë punim të autorit të kësaj vepre.

Ndërkaq shumë më tepër trajtime, studime e monografi nga kjo anë ka nga autorët sllavë (vetëm ne kemi pasur në dorë mbi 25 sosh – shprehet autori në veprën e tij), të cilët, me ndonjë përjashtim, kanë ecur pas hullisë së politikës serbe, duke u përpjekur që me çdo kusht të çojnë në vend amanetin që u kanë diktuar interesat politikë të vendit të tyre – siç do të thoshte profesor Emil Lafe, e “për të provuar diçka të paracaktuar” – siç ka thënë kaherë patriarku i gjuhësisë shqiptare, prof. Eqrem Çabej ka shkruar autori në parathënien e librit.

Me të dhënat e paraqitura në këtë vepër, nuk pandehim se e kemi shterur së studiuari gjithë atë lëndë të vlefshme të Luginës së Preshevës – thotë Kryeziu. Kjo trevë fsheh edhe shumë onoma me interes, jo vetëm për albanologjinë, si: oikonime, (mikro)toponime), patronime etj., të cilat po bdarren – siç do të thoshte Buzuku dhe po shkojnë drejt tretjes si kripa në ujë, siç shprehej me drojë profesor Eqrem Çabej, e të cilat, po edhe deshëm t’i kemi dikur – vazhdon autori, në qoftë se nuk mblidhen e studiohen sa më parë, nuk do t’i kemi ose do të jenë ndryshe nga ato që janë sot.

“Shqipja sot – çfarë është ajo?”, është punimi i radhës i përfshirë në veprën në fjalë, ku

Autori i kësaj vepre ka trajtuar çështjen e zbatimit të standardit të shqipes, me vlerësimin se, megjithëse shqiptarët sot kanë dy akademi, dy institute që merren me gjuhën nga aspekte të ndryshme të saj, procesin mësimor-shkencor e zhvillojnë afro 20 universitete publike me gati po aq katedra të gjuhës shqipe, disa universitete private, janë botuar disa gramatika normative të gjuhës, fjalorë të fushave të ndryshme, sa e sa botime të tjera për standardin e gjuhës dhe për kulturën gjuhësore, qoftë nga institucionet shkencore apo specialistë, të cilët merren me problemet gjuhësore, dhe prapëseprapë, sikur nuk po ia dalin dot të kryejnë misionin e tyre të mirëfilltë. Konstatimet e përhershme në takimet shkencore për gjendjen jo të mirë të përdorimit të shqipes në përditshmërinë tonë dhe porositë e vazhdueshme të cilat, si duket, po prekin në veshin e shurdhër të atyre që mund dhe duhet të bëjnë një punë më të mirë për gjuhën tonë, po i ngjajnë shiritit të dëmtuar të magnetofonit.

Një vend të mirë në faqet e veprës, zë punimi që ka të bëjë me shpërnguljen e shqiptareve të Malësisë së Bujanocit gjatë shekujve, për shkak të padrejtësive e terrorit që ka përjetuar popullata e kësaj ane nën sundimin turko-serbo-sllav. Në veçanti, në shqyrtim është marrë shpërngulja e banorëve të këtij areali gjatë viteve 1998-1999, pra, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, shpërngulje kjo e cila ka shumë të ngjarë me atë të popullatës së 650 fshatrave shqiptare të para një shekulli, të viteve 1877-1878.

Është bindja e autorit të veprës Opinione… se, nëse nuk ndërmerret diçka në të mirë të kësaj ane, nuk do të ketë më shpërngulje, jo se banorët e fshatrave të Malësisë së Bujanocit do t’u mbesin besnikë vatrave të tyre, porse nga këto fshatra s’ka më kush të shpërngulet, kurse gjurmët e vendbanimeve të tyre do të mbesin vetëm në kujtesën e popullatës së kësaj ane, ose si nocione gjeografike në harta, në ndonjë monografi të rrallë që u është kushtuar këtyre fshatrave, apo në dokumente të tjera arkivore.

FIDANISHTJA

Në veprën e botuar, ka të trajtuara edhe disa botime autoresh të ndryshëm. Ndër to po përmendim veprën e Xhavit Kryeziut “Pishtarët e shkollave shqipe në Dardanë (Kamenicë) II”, të cilës i është kushtuar një shkrim të shkurtër me titull: “Përtej metaforës – flijimi për shkollën shqipe”.

Profesor Xhaviti, me pasionin që ka, pas botimit të vëllimit të parë, po me të njëjtin titull, botuar më 2006, mori në syzim pishtarët e brezit të dytë (41 mësues të 39 shkollave), ndër të cilët edhe: Ferid Berisha – nismëtari i parë në hapjen e shkollave shqipe në këtë komunë; Nazmije Kastrati – mësuesja e parë shqiptare jo vetëm e Dardanës; Shukri Jakupi – njeri me dy fakultete të kryera jashtë Kosove; dëshmorët e kombit (Kadri Zeka, Isa Kastrati, Avdi Xhaçku etj.), Sejdi Kryeziu – patrioti i paepur dhe krahu i djathtë i ideologut të shquar Metush Krasniqi; Sabile Keçmezi – Basha – doktoresha e parë e shkencave të historisë; Shaban Geci – doktori i parë i shkencave të mjekësisë jo vetëm në Dardanë; Ramadan Qehaja – ndër të pakët ata gjeneralë ushtrie të Kosovës; Rexhep Munishi – doktori i parë i etnomuzikologjisë në Kosovë; Bajram Kosumi – ish kryeministër i Kosovës etj. etj., të cilëve Xhaviti, me këtë vepër, disave për së gjalli e disave për së vdekuri, nëse jo nga një përmendore, u ngriti së paku nga një bust, për të mos u harruar kurrë – citon të ketë thënë autori i veprës.

“Literaturë që plotëson një vakuum teoriko-letrar” është shkrimi tjetër që për objekt trajtimi ka një përmbledhje shënimesh të botuara me titull ”Litrika”, nga profesori shumë i vyeshëm i gjuhës shqipe dhe i letërsisë, Bislim Pireva, i cili në mënyrë analitike-sintetike ka shtruar një lëndë mjaft të nevojshme dhe të rëndësishme për nxënësit e shkollave të mesme shqipe, në kohën e mungesës së literaturës shqip e të trysnive të papara serbe ndaj nxënësve, mësimdhënësve e shkollës shqipe në përgjithësi.

Një trajtim të shkurtër është paraqitur edhe për veprën e rrallë, mjaft interesante e thuaja të veçantë ”Fjalor katërshkronjësh i enigmatikës” të autorit, Zijadin Hasani, mjek në Spitalin e Gjilanit; për të vazhduar pastaj me një pasqyrim të punës dhe funksionimit gjashtëdhjetëvjeçar të Shkollës fillore të Roganës (1945-2005)” – për nismën e mësimit në gjuhën shqipe dhe 93-vjetorin e fillimit të punës së shkollës në këtë fshat në gjuhën serbe dhe me mësimin e fesë.

Nga një trajtim të ngjashëm, të paraqitur në pjesën e parë Opinione të veprës së botuar, autori ka bërë edhe për shkollën fillore të fshatit Kopërnicë të Dardanës, duke pasur parasysh lëndën e shtjelluar në vëllimin e tretë të monografisë “Kopra dje sot dhe nesër III” të autorit – inxhinierit pasionant, Ismajl Zylfiu; pastaj nga një vështrim të shkurtër përkitazi me mikrotezën “Shqipja dhe përdorimi i standardit të saj në tekstet shkollore të gjuhës shqipe (klasa I-V) të kandidates Gentiana Shahini, të mbrojtur për gradën “master” – në Fakultetin e Edukimit të UP-së; për Seminarin IV Ndërkombëtar “Shkodra në shekuj”, të mbajtur në Shkodër, më 2000; për monografinë “Muçivërci” të fshatit Muçivërc, të arsimtarit të zellshëm, Ibrahim Thaçi”etj.

Çështjet e gjuhës dhe të arsimit të lartë në Kosovë, kanë qenë dhe mbeten, gjithsesi, preokupimet kryesore të autorit të kësaj vepre. Andaj, është e kuptueshme përse në veprën “Opinione, përkujtime, intervista” ndeshen opinionet për temat e tilla, si: “Transformimi i shkollave të larta në fakultete – imperativ kohe”; “Fakultet i Edukimit në Gjilan – jo filial i Prishtinës”; “Edhe një universitet publik në Anamoravë – domosdoshmëri e kohës” etj.

Në vepër autori ka shkruar edhe për pjesëmarrjen e delegacioneve të Fakultetit të Edukimit të Prishtinës në disa konferenca, të organizuara në disa qytete e universitete europiane, si në Budapest të Hungarisë; në universitetet e Kopenhagës e të Aruhusit në Danimarkë; për vizitën studimore në Lubjanë e Kopenhagë; për vizitën 10-ditore në universitetet turke (“Sakarya” të Adapazarit dhe “Bozok” të Jozgatit); për seminarin me karakter pune, këmbim përvojash e njohje teknologjish bashkëkohore – të organizuar në Prishtinë me studiues ndërkombëtarë etj.

Po ashtu, në faqet e kësaj vepre, ndeshen të radhitura edhe dy punime, të cilat objekt studimi kanë arsimin e lartë: “Procesi i vlerësimit të diturive në arsimin e lartë” dhe “Puna praktike në peshojë”.

Në kreun e dytë Përurimi me dëshirën më të madhe autori ka shprehur opinionin e tij, në një fjalë rasti, për mësuesin e mësuesve tanë e profesorin e dashur e të respektuar, akademik Idriz Ajeti, me rastin e 95-vjetorit të lindjes, ngjarje kjo e organizuar me zotimin e autorit – në Gjilan, më 16 tetor 2012 (me rastin e Panairit të Librit), ku me fjalë rasti për akademik Ajetin u paraqiten edhe studiuesit ajetian: akademik Gjovalin Shkurtaj dhe profesor Emil Lafe nga Tirana.

Në këtë kapitull nuk mungojnë as fjalët e autorit të veprës me rastin e përurimet të prof. Shaban Gecit (në 70 vjetorin e lindjes); për Faik Shkodrën; për veprën e gjeneralit – Ramadan Qehaja “Të bësh një karrierë ushtarake; fjalë e paraqitur në Akademinë përkujtimore kushtuar atdhetarit – Sejdi Kryeziu, me rastin e 85-vjetorit të lindjes dhe 15-vjetorit të vdekjes, një fjalë evokimi për profesorin e dikurshëm të Kryeziut, Ahmet Kelmendi (në 85-vjetorin e lindjes); një recension për atdhetarin e devotshëm, Kadri (Os)Mani, nga një fjalë rasti të paraqitur për numrin 2 të revistën “Nositi” (Dardanë, 6 nëntor 2003) dhe për një “Monografi të llojit të vet – Dërmaku” të autorëve Ismet Dërmaku, Hashim Dërmaku, Sulejman Dërmaku (Prishtinë, 18 nëntor 2010).

Ndërkaq, në kreun e fundit Intervista të kësaj vepre janë radhitur katër intervista: e para për punën, sfidat dhe mobilizimin, derisa autori i librit ishte drejtor i ShLP-së, me mësim në gjuhën shqipe, e dyta “Për fjalën shqipe”, e treta ka të bëjë me punën dhe sfidat e Fakultetit të Edukimit në Gjilan në vitet e pasluftës, kur autori udhëhiqte këtë institucion të lartë arsimor dhe e katërta shpërfaq opinion e autorit me rastin e botimit të numrit të parë të revistës “Info Rogana”.

Disa intervista të tjera, “me gjithë përpjekjet tona, nuk ia dolëm dot t’i gjejmë, e ky është edhe një argument më shumë që e arsyeton, kujtojmë ne, përmbledhjen e shkrimeve në botime të veçanta, siç është edhe “Opinione, përurime, intervista”, e cila këtë vit po e sheh dritën e botimit” – thotë Bahtijar Kryeziu./rajonipress/