Banorët e Malishevës kritikojnë gjendjen e infrastrukturës: “Rrugët katastrofë, mungojnë uji, kanalizimi dhe ndriçimi publik”
Gjilan – Fshati Malishevë i Gjilanit është përballur ditët e fundit me mungesë të ndriçimit publik, ndërsa banorët shprehin shqetësime edhe për gjendjen e përgjithshme të infrastrukturës dhe shërbimeve publike.
Edhe pse gjatë mbrëmjes së kaluar ndriçimi publik është rikthyer pas disa ditësh mungesë, problemi ka nxitur reagime nga banorët, të cilët kërkojnë më shumë vëmendje dhe investime nga Komuna e Gjilanit.
Një prej tyre është Mejdi Selmani, i cili përmes një reagimi publik ka kritikuar gjendjen e infrastrukturës në fshat, duke përmendur problemet me rrugët, furnizimin me ujë, kanalizimin dhe ndriçimin publik.
“Rrugët katastrofë në Malishevë të Gjilanit, mungesa e ujësjellësit, e kanalizimit edhe mungesa e ndriçimit publik”, ka shkruar Selmani.
Në reagimin e tij, Selmani i është drejtuar edhe kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hysenit, duke e lidhur gjendjen e fshatit me mbështetjen që, sipas tij, banorët e Malishevës i kanë dhënë atij në zgjedhje.
“I ka fituar zgjedhjet 65% në këtë katund-fshat Alban Hyseni, e fshati po i përngjan si të ishte në Kandahar. Vërtet e pafalshme dhe trishtuese në çfarë derexhe jemi ardhur”, është shprehur Selmani.
Në një tjetër reagim lidhur me mungesën e ndriçimit publik, ai ka shkruar: “Lëshoji dritat ooo Alban Hyseni, haram votat t’kofshin, haram. Malishevë e Gjilanit, 65% të votave i ke marrë o Boss”.
Reagimet e banorëve vënë në pah kërkesën për më shumë investime në infrastrukturën bazë dhe përmirësimin e shërbimeve publike në zonat rurale të Komunës së Gjilanit.
Megjithatë, rikthimi i ndriçimit publik gjatë mbrëmjes së kaluar ka zgjidhur përkohësisht një prej problemeve të ngritura nga banorët, ndërsa shqetësimet e tjera lidhur me infrastrukturën mbeten pjesë e kërkesave të tyre./rajonipress/


