RCCOLA

Kronika për një kohë të pakohë…

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

(Dr.sc. Baki Rexhepi, “Kronika nga Lugina”, botues, Instituti i Historisë “Ali Hadri” Prishtinë, 2020, fq.323).

Nga Bilall Maliqi – Fusha mediale në Luginë të Preshevës, sidomos në vitet më të rënda të konfliktit të armatosur ndërmjet forcave policore dhe ushtarake të Serbisë nga viti 1996 në Kosovë e deri në pranverën e vitit 1999, e cila mandej u manifestua edhe në Luginë të Preshevës me luftën ndërmjet forcave ushtarake të Serbisë dhe ushtarëve të UÇPMB-së, ka luajtur një rol të rëndësishëm në njoftimin e popullatës shqiptare me ngjarjet të cilat nuk ishin edhe të njohura nga dora e parë, andaj nga viti 1996 këto ngjarje me rëndësi për lexuesit mbarëshqiptar i ka paraqitur gazetari i njohur Baki Rexhepi, me librin e tij të parë historiko-shkencor “Kronika nga Lugina”, botuar në vitin 2020 nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë.

Bakiu këto ngjarje të zhvilluara atëbotë i ka pasqyruar bukur dhe korrekt për lexuesit. Këto kronika nga më të ndryshmet janë prezantuar nga viti 1996 e deri në vitin 2001 ku dhe mbaron konflikti i armatosur ndërmjet forcave ushtarake të Serbisë me UÇPMB-në dhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Konçulit” për demilitarizim të ushtarëve që ishin nëpër male.

Autroi i këtyre kronikave ka qenë pjesëmarrës direkt i disa ngjarjeve me rëndësi politike që janë zhvilluar në Luginë të Preshevës në etapa të ndryshme, të cilat kanë qenë bazamenti kryesor i ecejakeve të mëtutjeshme pas vitit 2001 e këtej.

Duke e njohur Baki Rexhepin dhe veprimtarinë nëpër mediume të ndryshme konkludoj se puna e tij ka pasqyruar raportime korrekte duke u thirrur në profesionalizëm dhe në etikë, sepse kronikat në fjalë tanimë janë pjesë e leximit të lexuesve të ndryshëm, pra edhe të atyre akterëve kryesor që i kanë përthekuar këto ngjarje me rëndësi për popullatën e Luginës dhe më gjerë.

Në librin “Kronika nga Lugina”, autori na paraqet ngjarje të ndryshme, të zhvilluara dhe të shkruara nëpër këtë etapë kohore e që janë të paraqitur në libër, trajton të gjitha këto ndodhi që janë të prezantuara për lexuesit, të cilat janë të thukëta, përmbajtësore dhe të shkruara korrekt në kohën e ndodhive, të cilat i ka ruajtur në fletoren e tij të punës, për t’i përmbledhur pastaj në një libër të veçantë dhe për një kohë të veçantë.

Hidromorava

Rëndësia e këtij libri qëndron se këto ngjarje të shkrira në kronika janë një udhërrëfyes për lexuesin e mëvonshëm, për lexuesin që ka lindur pas vitit 2001 e që këto ngjarje nuk i ka dëgjuar fare as nga prindërit, pastaj edhe për një grupmoshë tjetër që këto ngjarje të sheshuara nga autori t’i përkujtojnë dhe t’i rikujtojnë si ngjarje të rënda për popullatën tonë si në aspektin shoqëror po ashtu edhe në atë politik.

Këto ngjarje autori i ka prezantuar ashtu siç kanë qenë, pra nga dora e parë, pa fryerje apo tjetërsim të tyre, porse janë pasqyrime korrekte, origjinale dhe objektive për një kohë të pakohë për popullatën tonë që jeton në Krahinën e populluar me shumicë absolute shqiptare.

Kronikat në fjalë që janë të shkruara brenda tekstit, kanë një rëndësi tjetër, sepse këto kronika mbeten të pakontestueshme nga askush, se kanë qenë dhe janë të tilla, sidomos kur autori ka qenë i pranishëm në shumë ngjarje me rëndësi jetike për këto treva dhe si të tilla janë histori në vete, që në të ardhmen të futen në faqe të ndritshme të historisë më të re.

Libri në fjalë ka vlerën e vet shumëdimensionale duke u nisur se për çfarë është shkruar, lloj-llojshmëria e kronikave të bëra me datat përkatëse, intervista dhe lajme nga terreni dhe rregullimi i tyre konform rregullave bazë të shkrimeve historike dhe shkencore.

Baki Rexhepi ka bërë një punë të madhe lidhur me tubimin e këtyre shkrimeve në një libër të këtij formati i cili është edhe i pari në këtë rajon, i cili hapë rrugën edhe për botime të tjera të këtij lloji, jo vetëm nga autori por edhe nga të tjerët./rajonipress/