Kozniku: Vieira dhe Shuker po lobojnë për Kosovën

Nga vendimi i FIFA-s e deri te karriera e tij me Kroacinë. Ardian Kozniku në një intervistë për revistën kroate, “Max”, ka komentuar vendimin e fundit të FIFA-s për Kosovën, si dhe ftesën, që sipas tij ka marrë për të drejtuar Kosovën.
“Për ndryshim prej shumë politikanëve dhe punëtorëve të futbollit, që vendimin e FIFA-s e vlerësojnë si fitore të madhe për Kosovën dhe që janë të bindur se ai paraqet hap drejt pranimit të plotë në atë organizatë, unë jam skeptik dhe nuk shoh që diçka ka ndryshuar në qëndrimet e federatës botërore ndaj nesh. Aq më shumë, vlerësoj se ai vendim është hap prapa”, ka thënë Kozniku, që tani punon si trajner i kategorive të reja në klubin kroat, Lokomotiva.
FIFA, në dhjetor vendosi që Kosova mund të luajë miqësore me klube, kategori të reja dhe përfaqësuese të femrave, por me kusht që për ndeshjet brenda Kosovës të merret leje nga Serbia, ndërsa jashtë Kosovës të luajë pa simbole të saj.
“Unë si sportist, nuk mund të pranoj faktin që përfaqësuesja jonë mund të luajë ndeshje, por jo në Kosovë. Po ashtu nuk guxojmë të kemi simbole në fanella. Ajo që është më e rëndësishmja, ndalohet intonimi i himnit të Kosovës. Çfarë hapi është ky drejt pranimit në FIFA? Ani pse ende nuk jemi pjesë e Kombeve të Bashkuara, fuqitë botërore, SHBA-ja, Gjermania e Britania e Madhe e kanë pranuar Kosovën dhe nuk shoh arsye që FIFA mos të na pranojë. Në Kosovë ka mbizotëruar euforia pas atij vendimi dhe të gjithë thonë se është hap para, por frikësohem që kjo do të jetë e tëra që do të marrim nga FIFA. Pesë vjet kanë shkuar nga pavarësia e Kosovës dhe ne ende qëndrojmë në pikën zero”, ka shtuar Kozniku.
Ai ka thënë se përmes shokëve që ka në Francë, ka lobuar për futbollin e Kosovës. “Përmes shokëve, siç është Patrick Vieira, me të cilët jam ende në kontakt, shumë flasim dhe lobojmë. Vërtet ata na përkrahin dhe duan të na ndihmojnë. Njëjtë si Federata e Futbollit të Kroacisë. Më herët Vlatko Markoviq, tani Davor Shuker, Slaven Biliq e Igor Shtimac, lobojnë për Kosovën. Ndoshta duke iu falënderuar atyre, kemi fituar atë status që mund të luajmë ndeshje miqësore. U jam shumë falënderues për përkrahjen dhe lobimin për Kosovën”, ka thënë gjakovari Kozniku.
Sipas tij, Kosova ka lojtarë kulmorë që shkëlqejnë në përfaqësuese tjera, por që asnjëherë nuk kanë luajtur së bashku. Për këtë arsye, Kozniku vlerëson se në eliminatoret e para Kosova nuk do të kualifikohej, por nuk do të mbetej pa u vërejtur. Dëshirë e Koznikut është që ndeshjen e parë zyrtare, Kosova ta luajë me Kroacinë. (ORAinfo)