UBT

Kosova synon tejkalimin e barrierave dhe izolimit

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Anëtarësimi i Kosovës në organizata e mekanizma ndërkombëtarë, është një nga prioritetet e shumta të Qeverisë së Kosovës për vitin 2015. Kosova mbetet vendi më i izoluar në Evropë dhe këtë tashmë e kanë thënë edhe vetë krerët e shtetit.

Andaj, institucionet vendore synojnë që gradualisht të përpiqen të largojnë barrierat që po e mbajnë shtetin më të ri evropian nën izolim, qoftë përmes përmbushjes së kritereve për lëvizje pa viza apo edhe përmes aplikimeve për anëtarësim nëpër organizata e mekanizma ndërkombëtarë.

Në tremujorin e parë, synohet që me përkrahjen e vendeve partnere, Kosova të fillojë procedurat për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Procedurat për anëtarësim në këtë organizatë marrin një kohë të konsiderueshme, ka deklaruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.

Sipas tij, gjasat për anëtarësim janë të mëdha, pasi që nga 47 shtete anëtare, 34 prej tyre e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Duam të besojmë që aplikimi ynë nuk do të ngjallë ndonjë debat të panevojshëm në Këshill të Evropës. Natyrisht që është një procedurë pak sa e gjatë prej aplikimit deri në anëtarësim duke pas parasysh edhe përvojat e vendeve tjera të Evropës Juglindore”, ka theksuar Thaçi.

Rruga për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, besohet se do të mund të hapet në momentin kur institucionet e saj do të aprovojnë ligjet e nevojshme për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Eco Higjiena

Themelimi i kësaj gjykate ka dalë si ide nga Këshilli i Evropës që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marti, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Andaj është e pritshme që Kosova paralelisht me aplikimin e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës të procedojë tutje ligjet për themelimin e Gjykatës Speciale.

Krahas synimeve për anëtarësim në disa mekanizma ndërkombëtarë dhe pjesëmarrje në konferenca e nisma rajonale, Kosova vazhdon edhe angazhimet e saj në përmbushjen e kritereve të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave dhe rrumbullakimin e procesit të Asocim Stabilizimit me nënshkrimin e marrëveshjes me Brukselin.

Kryeministri Isa Mustafa është shprehur më se i bindur se Kosova mund të çojë përpara këto dy procese gjatë vitit vijues.

“Duhet të zbatohen detyrimet tona dhe orientimet tona për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit që do të aprovohet dhe në planin e veprimit 2015 për zbatimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave si dhe në strategjitë sektoriale të cilat ekzistojnë”, është shprehur Mustafa.

Si një vend që nuk e ka rrumbullakuar ende subjektivitetin e saj ndërkombëtar, në planet afatgjata, Kosova synon t’i tejkalojë edhe mosmarrëveshjet me Serbinë përmes procesit të bisedimeve që si qëllim kanë normalizimin e marrëdhënieve reciproke, me çka autoritetet besojnë se do t’i hapet rruga anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe një ditë edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. /REL/