Hidromorava

Kosova e Serbia mund ta shkruajnë bashkë një libër historie

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Prishtinë – Për ambasadorin e Gjermanisë dhe atë të Francës historia e vendeve të tyre ka diçka të përbashkët me atë të Kosovës e Serbisë. Madje, kosovarët e serbët mund ta shkruajnë bashkë një libër historie. E ky, për këto dy vende do të ishte shembulli i pajtimit ashtu siç kanë bërë Franca e Gjermania gjysmë shekulli më parë, pas Luftës së Dytë Botërore.

Për ta dëshmuar këtë, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer, dhe homologu i tij francez, Jeans Francios Fitou, ia kanë dhuruar Universitetit të Prishtinës një libër historie i shkruar nga historianë gjermanë e francezë. Libri i shkruar më 2006 përthekon historinë e përbashkët të dy vendeve që në historinë e tyre njohin tri luftëra, duke filluar prej vitit 1870 për të përfunduar më 1945. “E veçanta e këtij libri është se e ka përmbajtjen e njëjtë të ngjarjeve historike që kanë ndodhur mes popullit francez dhe atij gjerman. Paramendoni një libër të përbashkët historik mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Blomeyer.

Këtë koment, ambasadori gjerman e ka bërë në një konferencë për media të mbajtur në kuadër të vitit të miqësisë franko-gjermane, kur katër kopje të librit i përkthyer në gjermanisht dhe frëngjisht i janë dhuruar UP-së. “Mund t’ju them se nuk është e thjeshtë të gjendet pajtimi për pasqyrim të njëjtë të historisë dhe mund ta paramendoni se sa e vështirë është të përpilohet një libër i përbashkët duke pasur parasysh vuajtjen e popujve”, u ka thënë ai studentëve në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Kosovës në konferencën e mbajtur në kuadër të vitit franko-gjerman.

Pasi ka dhënë një pasqyrë për historinë e luftërave që janë zhvilluar mes Francës e Gjermanisë, Blomeyer ka theksuar se pajtimi dhe krijimi i miqësisë mes të dyja vendeve u ka sjellë dobi jo vetëm atyre, por gjithë Evropës. “Nuk është një gjë e guximshme për ta ofenduar një popull tjetër, por është e guximshme për t’u angazhuar në mënyrë të ndershme për pajtim. Këtë gjë e kanë mësuar gjermanët dhe francezet pas vuajtjeve të shumta dhe unë shpresoj se këtë do ta mësojnë shqiptarët dhe serbët”, ka thënë ai.

Ambasadori francez në Kosovë, Jean Francois Fitou, ka përmendur disa aspekte të bashkëpunimit praktik që ekziston mes Francës dhe Gjermanisë.

Uji Dea

“Kemi instrumente ushtarake të përbashkëta, bashkëpunim në politikë të jashtme, por ka edhe bashkëpunim në fushën e kulturës, arsimit dhe rinisë”, ka thënë Fitou.

Sipas Fitous, përafrimi franko-gjerman është bërë përmes kulturës dhe rinisë, shembull ky që mund të ndiqet edhe nga kosovarët e serbët.

“Përafrimi është bërë përmes rinisë dhe kulturës dhe është një përafrim që bëhet në mënyrë të përditshme dhe konkrete, siç është ky libër që u dhurua sot. Ju kosovarët e dini se nuk është e lehtë, por ne vijmë nga bregu i rrënimit që kemi qenë për shkak të gabimit të të dyja palëve dhe njëri nga sukseset e përafrimit tonë ka qenë se nuk e kemi harruar këtë”, ka thënë ai.

Në emër të Universitetit të Prishtinës ka folur prorektorja Lindita Tahiri.

“Sigurisht e keni vënë re atmosferën festive për 100-vjetorin e Pavarësisë. Dua t’ju them se ky është një rast i rëndësishëm për ne që të reflektojmë për përvoja historike dhe kjo është me rëndësi në praninë e studentëve të dëgjohet një mënyrë e tillë e reflektimit”, ka thënë Tahiri. (koha)