Fundamenti

Kosova e mbyll vitin më të dështuar me papunësi rekorde

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Ekonomia dhe qytetarët e Kosovës po e mbyllin edhe vitin 2017 me një tkurrje ekonomike, me papunësi rekorde dhe mungesë të madhe të investimeve të huaja. Andaj, me të drejtë analistët pyesin se deri kur qeveritë në nivelin qendror dhe atë lokal nuk do të jenë në gjendje që të tërheqin investitorët dhe të heqin dorë nga ryshfeti, korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Të dhënat zyrtare tregojnë se shkalla e papunë- sisë në Kosovë është 30.6 për qind, tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Krahasuar me një vit më parë, ka një rritje tre për qind të papunësisë. Në Kosovë, bazuar në të dhënat zyrtare, mësohet se në asistencë sociale janë mbi 25 mijë familje, me rreth 100 mijë anëtarë.

Analisti i ekonomisë, Florim Rudhani, për “Kosova Sot” tha se është shqetësues fakti që Kosova nga viti 2014 ka rënie të investimeve të huaja.”Ky vit po mbyllet pa asnjë investim të huaj serioz, kjo vërtet është shqetësuese ndaj Kosova shumë lehtë edhe mund të bjerë në kolaps ekonomik, po të shpresojmë se Qeveria ‘Haradinaj’ do ta ndryshojë gjendjen… Por, ky vit duhet të cilësohet viti më i dështuar i Kosovës që nga paslufta e deri më sot”, theksoi ai. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), investimet e huaja direkte në Kosovë vitin e kaluar kanë shënuar rënie për rreth 100 milionë euro, në krahasim me vitin 2015.
Mungoi strategjia zhvillimore

Eksperti i ekonomisë dhe ligjëruesi universitar, Nazmi Mustafa, për gazetën “Kosova Sot” ka thënë ekonomia e Kosovës u shndërrua në një ekonomie me mundësi eksportuese në një treg importues të gjithçkaje.”Veprimi i parë që është dashur të ndërmerret ka qenë të sajohen strategji zhvillimore ekonomike me afat të shkurtër, deri në 3 vjet, afatmesme deri në 5 vjet dhe afatgjata 10 vjet, e për disa fusha edhe më të gjata, si çështja e ‘Trepçës’, Energjetikës, Bujqësisë e kështu me radhë. Për të gjitha këto kanë qenë të nevojshme studime edhe analiza të gjendjes dhe synimet, qëllimet dhe objektivat adekuate të veprimeve, e jo premtime të deklaruara”, u shpreh ai.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa, për gazetën “Kosova Sot” tha se rritja ekonomike në Kosove në tri vitet e fundit ka pasur disa shenja përmirësimi.”Kjo ishte rezultat i disa masave që favorizonin investimet dhe prodhuesit vendorë. Megjithatë, niveli i rritjes ekonomike mbetet gjithnjë i pamjaftueshëm, përderisa nuk arrin diku rreth 7 për qind për të adresuar papunësinë dhe varfërinë ende tepër të lartë në Kosovë”, u shpreh ai.

Mobi Casa

Mustafa sqaron se modeli i deritashëm i bazuar në asistencë të jashtme, remitanca që kanë servisuar konsumin e bazuar në import dhe me investimet publike si faktor kyç i rritjes ekonomike është i harxhuar. “Andaj, duhet të merren masa të integruara për investime në rritjen e ofertës dhe përforcimin e aftësisë konkurruese të produkteve dhe shërbimeve vendore”, shpjegon më tutje ai. Hovi i ri i vendimeve qeveritare Bankieri Milazim Abazi tha për “Kosova Sot” se Qeveria ‘Haradinaj’ për 100 ditë ka arritur ta përmirësojë klimën e biznesit dhe të bëhet partner mbështetës i prodhuesit vendor. “Kryeministri ka marrë vendime të shpejta dhe të favorshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës, siç janë: fillimi i zbatimit të Ligjit për ‘Trepçën’, rregullimi i problemeve të aktivizimit të minierës së thëngjillit në fshatrat Shipitullë dhe Hade”, theksoi ai.”Me nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e TC-së do të ndikohet për rritje të ndjeshme të investimeve të huaja në një masë vjetore prej mbi 30 për qind në vit. Me ndryshimin e ligjeve në fushën e energjisë, të minierave dhe mineraleve dhe të ligjeve për menaxhimin e fondeve publike, do të krijohen kushte për thithje të investimeve të tjera strategjike, të huaja dhe vendore”, u shpreh Abazi.

Hovi i ri i vendimeve qeveritare

Analisti Nehat Emrullahu tha për gazetën “Kosova Sot” se ende beson se kjo qeveri ose një qeveri në të ardhmen e shpejtë do të dijë ta menaxhojë drejt dhe si duhet Republikën e Kosovës.”Do të isha shumë i lumtur nëse të paktën njëri nga kryetarët e komunave ose njëri nga ministrat do të anashkalojë presionin dhe interesat klanore duke vërë prioritet interesin e vendit dhe qytetarëve dhe kjo sigurisht do të rezultojë me krijimin e kushtit bazik për zhvillim ekonomik”, u shpreh ai.”Qeveria ‘Haradinaj’ duhet të lirohet nga hipotekat korruptive, gjë që vlen edhe për nivelin lokal, sepse të njëjtat nuk krijojnë besueshmëri për bizneset vendore, si dhe investitorët nga vendet e zhvilluara”, thekson Emrullahu.

(Kosova Sot)