Komuna merr obligim të dezinfektojë të gjitha xhamitë në Gjilan

Gjilan – Kemi marrë obligim që t’i dezinfektojmë të gjitha Xhamitë që janë në Komunën e Gjilanit, në pjesët urbane dhe ato rurale, si dhe sot, kemi asistuar me mjete mbrojtëse, të cilat do të jenë në funksion të xhematit për t’i vënë në funksion masat mbrojtëse ndaj COVID19 ka thënë Arbër Ismajli.
Postimi i plotë i Arbër Ismajlit
Të dashur qytetarë,
Ishte kënaqësi dhe nder i veçantë, të takoj kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, ef. Naim Aliu, me të cilin diskutuam përgatitjet për hapjen e xhamive në të gjithë territorin e komunës, nga dita e Enjte, me vendim të qeverisë së Republikës.
Kemi marrë obligim që t’i dezinfektojmë të gjitha Xhamitë që janë në Komunën e Gjilanit, në pjesët urbane dhe ato rurale, si dhe sot, kemi asistuar me mjete mbrojtëse, të cilat do të jenë në funksion të xhematit për t’i vënë në funksion masat mbrojtëse ndaj COVID19.
Ne e falënderojmë kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, ef. Naim Aliu, për bashkëpunimin e tyre konstruktiv përgjatë kësaj faze pandemike, duke i shërbyer nevojave të kohës dhe komunitetit në përgjithësi.
Nga tani e tutje, të gjithë besimtarët musliman, por, edhe besimtarët tjerë, mund t’i kryejnë ritet e tyre fetare nëpër shtëpitë e besimit të tyre, duke patur kujdes në respektimin e rregullave të vëna nga institucionet relevante.
Disa nga masat shtesë që janë ndërmarrë për kryerjen e riteve fetare nëpër Xhamitë janë, së pari, duhet të merret abdes në shtëpi, të vendosen maskat, të ketë dezinfektues të duarve në Xhami, të mbahet distanca sociale, të mos ketë tubime tjera përveç namazit, ligjëratat e Xhymasë nuk duhet të zgjasin më shumë se 10 minuta, nuk duhet të shfrytëzohen abdes-hanet dhe toaletet e përbashkëta.
Të gjitha këto masa do të shërbejnë në parandalimin e situatës me COVID19, dhe, do të jenë në funksion të plotë deri në një vendim tjetër./rajonipress/