Uji Dea

Ngushtohen trotuaret, këmbësorët gjilanas të përjashtuar nga komunikacioni

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Qytetarët e Gjilanit po konsiderojnë se janë duke u përjashtuar nga pjesëmarrja në jetën publike. Krahas ankesave mbi menaxhim, vonesa si dhe ngecje, në investimet në infrastrukturë nëpër zonat urbane, në vend që të përmirësohet qarkullimi i trafikut, po krijohen probleme të reja si dhe po kufizohet qasja dhe siguria e këmbësorëve.

Komuna e Gjilanit, për disa vite me radhë, ka prioritizuar zgjerimin e rrugëve për automjete, duke neglizhuar ruajtjen e trotuareve për qytetarët. Në disa zona të qytetit, trotuaret janë reduktuar deri në atë pikë sa vetëm një person mund të kalojë lirshëm.

Këto praktika nuk janë raste të izoluara. Raste të tilla janë të pranishme në rrugët “Idriz Seferi”, “Abdullah Tahiri”, “15 Qershori 99”, rrugët e reja përreth zonës së Tregut të Gjelbër, rrugët në “Dardani”, e së fundmi edhe në rrugën “Adem Jashari”, ku kanë filluar punime infrastrukturore.

Ndërsa, Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, e konsideron nisjen e investimit në rrugën “Adem Jashari” si një sukses, duke theksuar se do të ndërtohet trotuari, si dhe do të shtohen 80 vende parkime për automjete. Madje, ai ka thënë se rruga po ndërtohet brenda standardeve të lejuara.

Megjithatë, sipas raportimeve të qytetarëve, realiteti tregon të kundërtën. Përkundër frekuentimit të lartë të qytetarëve në këtë rrugë, parkingjet po ndërtohen në kurriz të këmbësorëve. Po ngushtohet trotuari. Në njërën pjesë të zonës përballë Universitetit “Kadri Zeka”, ku po zhvillohen këto punime, trotuari është ngushtuar aq sa për të kaluar lirshëm një person.

Fundamenti

Për më tepër, trotuaret nëpër rrugët urbane të Gjilanit shpeshherë bllokohen nga makinat e parkuara, nga bizneset ose nga pengesat tjera.

Veprime të tilla bëjnë edhe vet institucionet publike, siç është rasti nga makinat e policisë përpara Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, e cila së fundmi është zhvendosur në ish-objektin e QKMF-së, në rrugën “Abdullah Tahiri”. Gjersa telashet në këtë rrugë nuk janë të panjohura për publikun, automjetet e tyre tashmë kanë bllokuar trotuarin, duke e krijuar njё problem të ri.

Qytetarët i kanë raportuar Rajonipress se zyrtarët policorë shpeshherë i mbyllin sytë përpara kaosit në këto pjesë të qytetit. Ata thonë se u është dashur në disa rate t’u kërkojnë zyrtarëve policorë të largojnë automjetet e parkuara nëpër trotuar, pavarësisht se kanë qenë vetëm disa metra larg nga vendi ku po kryenin kontrollet e automjeteve që po qarkullonin.

Ky përjashtim i qytetarëve nga “komunikimi”, si në kuptimin fizik, ashtu edhe simbolik, shkon përtej bezdisjes. Ai kufizon qytetarët nga pjesëmarrja në jetën e përditshme të komunitetit. Kjo për faktin se rrugët nuk janë thjesht kalime për makina, por vende ku njerëzit takohen, bashkëbisedojnë, kryejnë aktivitet e tyre të përditshme ekonomike e sociale si dhe lidhen me qytetin e tyre./rajonipress/