KKGJILAN

Koalicionet joparimore pasojë e paqëndrueshmërisë politike të pushtetit lokal në Preshevë…

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Bisedë me zv. kryetarin e KKSH-së z. Enver Mehmeti – Zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme që u mbajtën në komunën e Preshevës më 28 mars dhe një vendvotim i përsëritur, si dhe çështja e bashkëpunimit në mes të KKSH-së, me komunat tona, përkatësisht me komunën e Preshevës, si në planin institucional, ashtu edhe në atë material, si dhe “ngërçi” politik që është akoma nga partitë politike që po synojnë ta bëjnë shumicën në Asamblenë Komunale të Preshevës, ishte arsyeja që zhvilluan një bisedë me z. Enver Mehmetin. Zv. kryetar i KKSH-së, i cili me kënaqësi pranoi të jetë pjesë e bisedës sonë).

Nacionali: Z. Mehmeti, zgjedhjet e jashtëzakonshme në Preshevë mbaruan, na thuani cila është arsyeja e këtyre zgjedhjeve, zhvillimi i fushatës dhe si kaluan zgjedhjet sipas jush?

Enver Mehmeti: Siç dihet arsyeja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Preshevë është paqëndrueshmëria e koalicioneve joparimore që ishin të formuara si pasojë e inateve politike dhe rezultatet u panë, sipas qëllimit edhe fundi, më së shumti pasojat i bartën qytetarët nga ky jostabilitet politikë. Fushata kryesisht ishte e qetë përjashtim situatat e gjuhës denigruese që është fatkeqësisht duke dominuar vitet e fundit në politikën preshevare. Ajo që është duke e dëmtuar dhe imponuar rezultatin real është korruptimi i votës si asnjëherë më parë duke shpërndarë mjete, duke mos zgjedhë forma pa kurrfarë kriteri vetëm e e vetëm të kapet pushteti, kjo e dëmton shoqërinë dhe të ardhmen e vendit.

Nacionali: Me këtë rezultat që kemi tani, dhe me bojkotimin e tri partive politike opozitare që të takohen apo edhe të lidhin koalicion me APN, sipas jush cili koalicion do të jetë më i arsyeshëm dhe më jetëgjatë?

Enver Mehmeti: Parimet demokratike fillimisht duhet respektuar duke i dhënë mundësinë partisë së parë me vota më shumë të tentojë të formojë koalicionin në rast se dështon vazhdon parimi duke i dhënë mundësinë partisë së dytë me radhë. Dy parti kishin provuar pushtetin me APN por pa sukses, dhe duke u nisur nga kjo më nuk është e natyrshme të përsërisin të njëjtën duke e ditur fundin paraprakisht.
Nacionali: Po shkarkimin e drejtorit të shtëpisë së shëndetit në Preshevë dhe emërimin e një mjeku të nacionalitetit serb, si e komentoni?

Mobi Casa

Enver Mehmeti: Këshilli Kombëtar Shqiptar në vazhdimësi ka ngritur zërin ndaj zvogëlimit të kompetencave nga pushteti qendror ndaj pakicave, kryesisht kjo ka dëmtuar më shumë shqiptarët, duke filluar me drejtorët e shkollave shqipe nga ana e Ministrit në bashkëpunim me partinë që i ka shërbyer në Preshevë. Edhe një ditë i erdhi radha që të goditen edhe vetë nga partneri i tyre i koalicionit APN-SNS. Nga gjitha këto veprime dëmtohen vetëm shqiptarët në këto raste arsimi dhe shëndetësia.

Nacionali: si është bashkëpunimi në mes KKSH-së me tri komunat tona, dhe si është participimi material për KKSH-në?

Enver Mehmeti: Këshilli Kombëtar Shqiptar siç dihet është organi më i lartë përfaqësues kombëtar përveç katër fushave: arsim. Informim kulturë edhe përdorim zyrtarë të gjuhës ka kompetence ligjore të merret me gjitha çështjet që preken interesat kombëtare edhe në nivelin rajonal me organizatat ndërkombëtare edhe me institucionet të shtetit amë, në këtë raste të dy shteteve tona. Prandaj, fillimisht këtu lind një lloj defekti në bashkëpunim pasiqë partitë politike kanë qëllim më primar marrjen e pushteteve nëpër komuna. Arsyet dihen, komunat nga kompetencat rajonale kanë mundësinë vetëm të binjakëzimit, por duke e parë situatën më të veçantë në të cilën gjendet Lugina, shtetet amë dhe organizatat ndërkombëtare zhvillojnë edhe takime të mëshirës. Nga kjo vjenë si pasojë edhe mos respektimi i hierarkisë institucionale ndaj Këshillit Kombëtar. Komuna e Bujanocit më shumë ka kryer obligimet ndaj Këshillit, ndërsa dy tjerat më pak.
Mendoj se duhet të lihen anash inatet politike që na kanë dëmtuar në vazhdimësi, duhet t’i respektojmë parimet demokratike dhe kompetencat institucionale fillimisht në pushtetet ku qeverisin shqiptarët, duke mos harruar se kemi përballë një shtet që në vazhdimësi na ka diskriminuar, e sidomos me pasivizimet dhe mosnjohjen e diplomave. Pasojat nga kjo dihen zvogëlimi dhe dëbimi i shqiptarëve nga trojet autoktone. Andaj është i domosdoshëm bashkëpunimi ndërpartiak, institucional, me shtetin amë me bashkësinë ndërkombëtare, që sa më parë ta kuptojnë të gjithë se Lugina duhet të përfshihet në marrëveshjen përfundimtare dhe me këtë të rikthehet në pushtetin e Kosovës, si zgjidhje e vetme që do të krijon edhe stabilitet afatgjatë në Ballkan.

Intervistoi, Bilall Maliqi