Klani
Nga Xhemal Ahmeti – Në hapësirat shqiptare nuk ka lobe në kuptimin siç perceptohen ato në perëndim, por ka klane, madje edhe më të egra sesa në feudalizëm.
KLANE APO LOBE? – Edhe në demokracinë më të zhvilluar (siç konsiderohet Zvicra) lobet jorrallë bëjnë kërdinë duke shkelur mbi rregulla e ligje për të ardhur deri te synimet e tyre.
Kemi të bëjmë me grupe interesi të cilat kryesisht vijnë nga shoqëria civile dhe biznesi. Si pasojë e depërtimit të lobeve thellë në politikë, demokracitë e konsoliduara vazhdimisht ashpërsojnë ligjet në këtë drejtim. Mediet, në këtë kontekst, luajnë një rol më se substancial, veçanërisht kur bëhet fjalë për moskapjen e institucioneve kyçe të shtetit nga oligarkë, kapitalistë të atillë me buxhetin e përafërt sa njëra nga bankat kryesore e vendit ose të mos korruptohen nga ideologji të ndryshme që rëndom shkaktojnë subverzion brenda shtetit, shoqërisë, demokracisë.
Si funksionojnë lobet, bashkësitë e interesit në shoqëritë shqiptare?
HISTORIA – Shoqëritë shqiptare nuk njohin aristokracinë, kapitalizmin dhe industrializimin. Ato nga feudalizmi dolën në „pasurinë“ kolektive (komunizmi, familja, fisi). Kryesisht si rob – reformat agrare osmane, serbe, etj. – e më vonë nëpunës, intelektualë, ata të vetmen metodë grupimi formëlobi brenda shteteve të huaja e kishin vijën politokombëtare, etnonacionale, kulturore. Në sistemin parakomunist të realsocializmit shqiptar grupimet përtej vijës ideologjike fillimisht u zhdukën e më vonënuk u lejuan më kurrë. Në ish-jugosllavi ishte ndryshe: aty lejohej organizimi i grupeve gatilobike apolitike kulturore, çka edhe mundësoi krijimin e grupeve të para intelektuale, kryesisht letrare që nga koha e viteve të 70-ta. Këto, mirëpo nuk patën gjithaq funksion multiplikimi, rrjetëzimi e përhapjeje për emancipimin e gjerë të shoqërisë, por më shumë ishin të mbyllura në klane lokaliste që përpiqeshin të kapin sa më shumë copë në mediet e atëhershme, politikë e gjetiu – për vetafirmimi e privilegje personale natyrisht!
Në tranzicion, në këtë drejtim nuk u regjistrua ndonjë frymë reformiste, me përjashtimin që oligarkë të caktuar ndërtuan fijet, lidhjet dhe nëpërmjet klaneve familjare e personale i hoqën deri në dhimbje sa më shumë kompetenca shtetit dhe shoqërisë nga tregu i lirë dhe ai i zi. Piramidat, gropat dhe arkitektura e paformë dhe e egër qyteteve shqiptare janë vepër edhe e kësaj simbioze primitive ndërmjet politikës, ekonomisë dhe shoqërisë të koordinuara nga klanet e undergroundit të mendësisë shqiptare.
SOT – Si në Tiranë, në Shkup ashtu në Prishtinë duket sikur mos të ketë perënduar forma postfeudale e formimit, funksionimit dhe e natyrës së klaneve. Grupe letrarësh të rinj, të asistuara nga ndonjë profesor apo shkrimtar i afirmuar, veprojnë si klanet e viteve të 70- ta me përpjekjen të fitojnë sa më shumë nga Ministria e Kulturës dhe Institucionet e jashtme për të depërtuar, për t’u privilegjuar e për t’u bërë konkurrencë klaneve të vjetra. Organizatat, të cilat pretendojnë të jenë civiliteti ose janë pa asnjë relevancë shoqërore ose po ashtu të ndërtuara mbi familjarizëm, lidhje, referenca e preferenca që nuk kanë asfare të bëjnë me segmentin që duan të përfaqësojnë, mbrojnë apo zhvillojnë.
Se politika, respektivisht parlamenti dhe partitë duhet të bëjë diçka për vënien nën kontroll të të ashtuquajturës filcokraci, për të mundësuar lobe të kulturuara dhe brenda ligjeve mbizoturuese as që duhet ripotencuar, mirëpo as shteti e as politika nuk munden gjithaq të ndikojnë në bazë, në mentalitet nëse të rinjtë, njerëzit e kulturës, medieve nuk vendosin përfundimisht të shkoqen nga mendësia e klanoqenies, feudogrupeve me standarde që nuk i shkojnë më kohës.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


