Kërkimi i fajtorit
Nga Ibrahim Rexhepi – Sjellja e Qeverisë dhe e partive në pozitë dhe përmbajtja e komunikatës së KQP-së dëshmojnë se privatizimi i PTK-së është pranë dështimit dhe tash duhet gjetur fajtorin. Kjo përgjegjësi nuk mund t’i bartet Kuvendit të Kosovës.
Hashim Thaçi, krejt kabineti i tij qeveritar dhe partia e tij po ikin nga shtëpia e tyre! Në fakt, ata në dy seancat e fundit nuk u duken në sallën e Kuvendit të Kosovës, praj nga duhet ta drejtojnë këtë vend. Këtë nuk e bënë për shkak të detyrave që kanë në fushatën parazgjedhore, por për të ikur nga debati për mënyrën se si po bëhet shitja e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Në fakt, që të gjithë këta kanë për qëllim të bllokojnë procesin, përmes të cilit duhet të identifikohen shkeljet ligjore dhe përgjegjësia individuale e pjesëmarrësve në këtë proces.
Fill pas këtij cirkusi në parlament, Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së del me një komunikatë jo aq të përgjegjshme, meqenëse tërë fajin për zvarritje, apo edhe për dështimin që po duket ia hedh Kuvendit të Kosovës. Ai qenka fajtor pse procesi po zvarritet, apo pse nënshkrimi i kontratës me blerësin mjaft enigmatik – “Aksos & Najafi” shtyhet deri në Kërshëndella. Kjo është shtyrja e tretë me radhë, që vetvetiu flet qartë se këtu diçka nuk po shkon. Diçka nuk është në rregull.
Qeveria dhe partitë në pozitë kanë arsyen pse po e bllokojnë hetimin e këtij procesi. Në folderin e dokumentacionit për shitjen e PTK-së ka shumë parregullsi, për të cilat përgjegjësit ndodhen në mesin e ikësve nga salla e Kuvendit të Kosovës. Nuk bëhet fjalë vetëm për faktin që flitet se dikush mund të ketë përfituar financiarisht, apo e ka korruptuar tërë procesin, ose se prapa blerësve gjerman fshihet dikush nga kabineti qeveritar, por për shkeljet e rënda ligjore, që këtë shitje e bëjnë të paligjshme.
Madje, krejt parregullsitë fillojnë kur kjo pozitë dikur ishte në opozitë dhe kundërshtonte fuqishëm privatizimin e ndërmarrjeve publike. Atëherë në parim ishte miratuar strategjia për telekomunikacionin, në kuadër të së cilës parashihej edhe shitja e një pjese të aksioneve të PTK-së. Më asnjëherë nuk u morr vendim i qartë dhe i qëndrueshëm për këtë proces. Madje, atë nuk mund ta zëvendësoj as neni 4 famoz në Ligjin për buxhetin e vitit 2011. Si qeveria, ashtu edhe KQP-ja janë të vetëdijshëm për këto parregullsi, prandaj krejt çështjen e nxorën para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ashtu që të marrin mandatin për nënshkrimin e kontratës. Po të kishte vendim të drejt dhe të qëndrueshëm, atëherë qeveria nuk do ta kishte për obligim që të kërkoj leje për nënshkrim, por vetëm do të raportonte për procesin e shitjes, si ndodhi edhe me rastin e privatizimit të distribucionit të KEK-ut.
Mirëpo, puna me PTK-në shkoj keq, meqenëse pozita, përkatësisht Qeveria e Kosovës frikësohet nga procesi I votimit, meqenëse janë ngatërruar numrat. Ka kundërshtar edhe në mesin e pozitës, prandaj nuk është e sigurt se procesi mund të shkoj në mënyrën si është dizajnuar nga shitësit.
Përderisa në parlament zhvillohej monologu i opozitës, në këtë çështje edhe më shumë hedhë dritë ministri Fadil Ismajli, i cili më së paku ka qenë i involvuar, por tash i ra hise që të nxjerr patatet e nxehta. Ai thotë se më e mira do të ishte që kompania të jepet në menaxhim një kompanie ndërkombëtare, për shkak se vendorët nuk mund të jenë menaxher të mirë. Pra, në vend të shitjes, menaxhimi i PTK-së t’i dhurohet dikujt tjetër.
Njësoj sikurse që dikur KEK-u iu dha kompanisë ESBI, e cila nuk bëri asgjë më shumë se që instaloj sistemin e reduktimeve ABC dhe tash kërkon hise në parat që qeveria fitoj nga shitja. Në esencë kjo qasje është më e avancuar se sa shitja e PTK-së për shkak se buxhetit domosdoshmërish i duhet një shtytje përmes të hyrave të njëhershme, por edhe për shkak të ndërhyrjeve anësore në procesin e menaxhimit të PTK-së, i cili ka rezultuar më rënien e investimeve, pamundësinë e ndjekjes së hapit me teknologjitë e reja dhe me konkurrencën, me rritjen e numrit të punëtorëve dhe shpenzimeve për ta, që si saldo kanë rënien e fitimit dhe të dividendës për pronarin e aksioneve.
Ideja është që përmes një menaxhimi më të mirë të rritet vlera e kësaj pasurie, që për qëllim të fundit ka edhe çmimin më të lartë në treg, ndërsa në një të ardhme, mbetja e 25 për qind të aksioneve në pronësi të Qeverisë së Kosovës do të ishte shumë më e me vlerë ndoshta se sa krejt PTK-ja aktualisht. Por, kjo nuk është lehtë që të arrihet, meqenëse, fillimisht pronari duhet ta ndryshoj qasjen ndaj kësaj pasurie, që atë të mos e trajtoj si mundësi për përfitime individuale, por si një aset që mund të sjellë të mira të përgjithshme.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)


