Këqyrja e shtetit në pasqyrë
Nga Blerim Shala – Shyqyr që Brukseli përgatitë Raportin e Progresit, dhe shyqyr që kritereve të BE-së, nuk mund t’i iket as t’iu shpëtohet, mësa vdekjes.
Raporti i Progresit i këtij viti për Kosovën i Komisionit Evropian, sivjet koincidon me fushatën për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Në gjithë këtë zhurmë parazgjedhore, vështirë është të pritet një përqendrim më serioz i politikanëve dhe partive tona në përmbajtjen e këtij Raporti. Ndërsa, duhet thënë fare hapur që aktualisht (së paku), shoqëria dhe politika kosovare nuk kanë një tjetër pasqyrë ku mund të këqyren se ku janë, çfarë kanë bërë deri tash, dhe cilat janë detyrat në ciklin vijues njëvjeçar, për të ecur para në procesin e integrimit në BE. Pas përvojave aspak të këndshme të mëhershme me zgjerimin e BE-së, as në ëndërr, si thuhet, shtetet që kanë mbetur jashtë familjes së madhe evropiane, nuk mund të shohin ngritjen e flamurit të tyre në Bruksel, pa i kryer të gjitha detyrat e shtëpisë të cilat janë gjithnjë e më të rënda, gjithnjë e më vëllimore. Mbase, diç e tillë është e mirë për këto shtete, përfshirë këtu edhe Kosovën. Nuk ka më gjasa që të gjendet ndonjë ‘udhë e shkurtë’ për të hyrë në BE, pa pastruar oborrin e shtëpisë, pa siguruar sundimin e ligjit, pa bërë shtetin funksional në të gjitha aspektet e mundshme.
Pa kurrfarë dyshimi mund të thuhet që aktualisht, klasa politike e Kosovës as që e ka idenë se çka e pret në vitet e ardhshme, për ta kualifikuar Republikën e Kosovës për anëtarësim në BE. Në anën tjetër, fati i të gjithë qytetarëve të Kosovës, i kësaj shoqërie, gjithsesi, edhe i politikës kosovare është që këtu, në këtë temë, nuk ka dhe nuk mund të ketë Plan B, apo Opsion rezervë: Kosova medoemos duhet të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian.
Pyetja e vetme që shtrohet këtu është: Kur?
As nuk është pyetja si do të ndodhë kjo. As nuk është pyetja çka duhet të bëhet në ndërkohë që Kosova të anëtarësohet në BE. Raporti i sivjetmë i Progresit, ka përmbajtjen tashmë të njohur për të gjithë, të gatitur me qasjen e cila poashtu është e ditur. Nuk është Komisioni Evropian Gjykatë Supreme politike, e cila shfaqet me vlerësimet bardh dhe zi për një shtet.
Si edhe më parë, Brukseli me një gjuhë që nuk i shmanget dykuptimësive, por e cila megjithatë nuk i rri larg as qartësisë së duhur, na flet për problemet që kemi si vend, si politikë. Tek e fundit, gjuha edhe më e qartë, vlerësimet më kategorike, do të duhej të bëheshin prej vetë nesh në Kosovë. Vetë ne do të duhej ta bënim, ta zëmë, në çdo fundvit, apo ndoshta edhe më mirë, për çdo 17 shkurt, me rastin e shënimit të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, një Raport të këtillë gjithëpërfshirës për gjendjen politike, ekonomike, sociale, financiare, të sigurisë, të Kosovës.
Por, në rrethanat çfarë tash mbizotërojnë në Kosovë, një Raport i kësisojt nuk mund dot as të paramendohet. Sidoqoftë, shyqyr që Brukseli përgatitë këtë Raport, dhe shyqyr që kritereve të BE-së, kërkesave të Brukselit, nuk mund t’i iket as t’iu shpëtohet, mësa vdekjes. Kjo është një e vërtetë ngushëlluese për të gjithë ne.
Këto kritere janë tepër të rëndësishme, në rastin e Kosovës, edhe kur bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit të 19 prillit, e cila, si një shteg për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, është përcaktuese edhe për fatin e inkuadrimit të Serbisë në BE. Kaptina 35 e bisedimeve të Beogradit me Brukselin, do të jetë në nismë dhe në fund të tyre, dhe Beogradi, objektivisht, nuk do të mund t’i shmanget zotimeve që ka marrë me Marrëveshjen e Parë, dhe me të tjerat, që pritet të pasojnë tash e tutje.
Muajt e shkuar nuk kanë qenë aspak inkurajues sa i përket implementimit të Marrëveshjes së 19 prillit. Beogradi ka pasur arsyetime të ndryshme për shtyrjen dhe zvarritjen e zbatimit të saj(mbi të gjitha, kontestin gjyqësor të Ligjit të Amnistisë), dhe si edhe më parë, është përpjekur që të kushtëzojë përmbushjen e detyrave që i ka, me ngjarjet kryesore që duhet të vijnë së shpejti, siç është rasti me organizimin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.
Pak javë, tek e mbrama, na ndajnë nga gjyqi zgjedhor i 3 nëntorit. Pas kësaj date, apo, pas raundit të parë të zgjedhjeve, nuk do të duhej të lejohej më kurrfarë justifikimi për këtë zvarritje në procesin e implementimit të Marrëveshjes së 19 prillit. Fundi i këtij viti zatën, pritet të jetë vendimtarë për fatin e fillimit të bisedimeve të Beograditdhe Brukselit për inkuadrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Prej 3 nëntorit e tutje, brenda jo më shumë se tridhjetë ditëve, do të duhej të ndodhnin ndryshimet thelbësore në terren, në Veri të Kosovës, para se të gjithash, për të dëshmuar që gjendja konkrete aty, po i merr trajtat e parapara me Marrëveshjen e 19 prillit. Njësitë matëse për ta vërtetuar këtë gjë janë shumë të qarta, dhe ato janë të ditura jo vetëm për Prishtinën, por edhe për Beogradin dhe Brukselin. Strukturat e Serbisë në Kosovë nuk do të duhej të ekzistonin më, në asnjë sferë, në asnjë formë, në asnjë mënyrë.
Fazat kalimtare do të përmbyllen së shpejti. Mekanizmat e inkuadrimit të përfaqësuesve të strukturave të deritashme të sigurisë dhe atyre politike, administrative, në strukturat e Kosovës janë fare të qarta dhe këtu nuk ka më çka të bisedohet. Integrimi i plotë i qytetarëve serbë në Veri të Kosovës, do të ndodhë me zgjedhjet e 3 nëntorit.
Nëse në këto çështjet kyç nuk do të ketë qartësi të plotë, atëherë Beogradi nuk do të duhej të merrte dritën jeshile për nismën e bisedimeve në fillim të vitit 2014.


